Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i tha CNN të mërkurën se një tërheqje e pjesshme ruse nga Kherson tregon se mbështetja e ofruar nga aleanca ushtarake për Ukrainën është e suksesshme.
“Ajo tregon guximin, vendosmërinë, përkushtimin e Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme. Kombinimi i trajnimit të forcave ukrainase me pajisje të avancuara dhe guximit të forcave ukrainase po bën të mundur arritjen e fitimeve dhe çlirimin e territorit siç shohim tani edhe rreth Khersonit”, tha Stoltenberg për CNN.
Sipas mediave shtetërore ruse, komentet e tij vijnë pasi Ministri rus i Mbrojtjes Sergej Shoigu urdhëroi më herët të mërkurën një tërheqje të forcave ruse nga bregu perëndimor i lumit Dnipro në rajonin Kherson. Forcat ukrainase kanë bërë përparime drejt qytetit Kherson nga dy drejtime.
Të martën, nënsekretari i mbrojtjes i Pentagonit për Politikë, Colin Kahl tha se Rusia ka pësuar "dhjetëra mijëra viktima" që nga fillimi i luftës në shkurt.
Stoltenberg i tha CNN se NATO ka të njëjtën analizë për humbjet e Moskës.
“Ne kemi të njëjtën analizë që Rusia ka humbur shumë dhe ata në fakt i kanë kushtuar rreth 80% të forcave të tyre tokësore në Ukrainë dhe kanë marrë humbje të mëdha, si për personelin, por edhe për pajisjet. Kjo tregon sërisht fitimet që ukrainasit kanë mundur të bëjnë me mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s”, tha ai për CNN.
Shefi i NATO-s paralajmëroi se Kremlini nuk duhet të nënvlerësohet.
“Rusia ka ende shumë kapacitete ushtarake. Ne kemi parë sulmet me raketa, sulmet me dron, kundër qyteteve të Ukrainës dhe infrastrukturës kritike dhe termocentraleve. Prandaj, lufta nuk ka mbaruar dhe nuk duhet të nënvlerësojmë brutalitetin e forcave të armatosura ruse”, tha ai.
Lajmi kryesor: