STRASBURG - Raportuesi special i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë, Jelko Kacin, ka bërë të ditur se, nuk ka kthimin e përkohshëm të regjimit të vizave për vendet e Ballkani, ndërmjet tyre edhe Shqipërisë. Në deklaratën e Kacinit, e cila u është shpërndarë mediave nga zyra e tij, ai ka hedhur poshtë shkrimet në disa media në lidhje me këtë temë, duke thënë se “ thjeshtë nuk janë të sakta”.
 
Sipas Kacinit, temë e shqyrtimit të së martës të mbledhjes plenare, në asnjë moment, nuk ka qenë kthimi i regjimit të vizave. “Ajo për çfarë ne kemi diskutuar ka qenë miratimi i mekanizmit për kthimit të përkohshëm të vizave për vendet që nuk arrijnë të përballojnë problemet lidhur me implementimin e regjimit të udhëtimit pa viza. Natyrisht, kjo, para së gjithash, ka të bëjë me problemin e azilkërkuesve të rremë”.
 
Kacin thotë se sipas draftit aktual, periudha kohore gjatë të cilës vendet anëtare mund ta shfrytëzojnë këtë mekanizëm dhe të kërkojnë nga Komisioni kthimin e përkohshëm të regjimit të vizave do tës skadojë 7 vjet pas momentit të heqjes së vizave. “Me fjalë të tjera, në qoftë se nuk ndodhin ndryshime dramatike deri në dhjetor të vitit 2016, regjimi i udhëtimit pa viza hyn në fuqi përgjithmonë për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë, kurse një vit më vonë edhe për shtetasit e Bosnjës e Hercegovinës dhe të Shqipërisë”.
 
“Ritheksoj se në qoftë se ndonjëri prej vendeve anëtare njëmend kërkon vendosjen e sërishme të vizave, Komisioni Evropian është institucioni që duhet ta vlerësojë arsyeshmërinë e kërkesës dhe të marrë vendim për miratimin ose refuzimin e saj”, shkruan Kacin në deklaratën e shpërndarë për median.
 
“Ndonëse situata nuk është dramatike, vetëkuptohet se qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë gjithë çfarë është në mundësitë e tyre që të ndalojnë valën e azilkërkuesve të rremë.
 
Parlamenti Evropian do ta thotë fjalën e vet mbi këtë draft të enjten, më 12 shtator. Votimi i sotëm nuk është shtyrë, siç kanë raportuar disa medie“, thuhet në deklaratën e Jelko Kacinit.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)