STRASBURG, 27 janar /ATSH-ANA-MPA/ - Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, do të jetë i pari zyrtar i lartë i huaj, që do të vizitojë Athinën dhe që do të takohet me kryeministrin e ri grek, Aleksis Cipras.
Sipas vlerësimeve nga burime të SYRIZA-s, misioni i vizitës së zotit Schulz nuk lidhet me çështje që kanë të bëjnë me Parlamentin Europian, por me negociatat e qeverisë së re greke me kreditorët.
Sipas të njëjtave burime, Schulz dëshiron që të ketë një njohje të drejtëpërdrejtë të qëndrimeve të qeverisë së re greke dhe t'i përcjellë në Berlin.
Burimet e SYRIZA-s vënë në dukje se kjo është lëvizja e dytë që bëhet ndaj Athinës dhe Aleksis Ciprasit, pas presidentit francez François Hollande që e ftoi Ciprasin të vizitojë Parisin gjatë samitit të BE-së të 12 shkurtit.
Këto lëvizje, sipas burimeve të mësipërme, tregojnë se negociatat kanë filluar faktikisht./ a.jor.