STRASBURG – Parlamenti Europian diskuton këtë mbrëmje, raportin për integrimin e Kosovës në BE. Një pjesë e politikanëve europianë ka bërë thirrje për përfshirjen e saj në BE, ndërkohë që disa të tjerë kanë vërejtur problemet me trafikun e grave dhe fëmijëve apo të inkriminuarve të ngjitur deri në poste shtetërore.

Komisionieri për Zgjerimin në KE, Stefan Fyle, tha nga ana e tij: "Kosova duhet të vazhdojë me të njëjtin dinamizëm dhe të njejtat forca. Kjo çon në një diskutim të dytë për 5 vendet anëtare, që ende s’e kanë njohur atë. Sëbashku me Catherine Ashton kemi kombinuar përpjekjet me vendet anëtare. Por çfarë ekzaktësisht dhe si duam ne ta bëjmë më të lehtë për ato 5 vende, që të marrin vendimin për njohjen e Kosovës?

Së pari, normalizimin e rajonit, si pjesë e këtij raporti. Për herë të parë ne përshkruam se çfarë kuptojmë me normalizim dhe e vendosëm në procesin e zgjerimit për të. Ne duam të krijojmë kushtet që marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës të normalizohen. Ky është një argument për ato 5 vende, që s’e kanë njohur.

Çështja e dytë është dialogu, kur në fazën e parë u arritën një sërë marrëveshjesh, politike dhe dialogu në këto momente po vazhdon. Dialogu është një pjesë e rëndësishme e normalizimit, që do të sjellë zgjidhje. Kjo do ta bëjë më të lehtë për 5 vendet, që ta përfshijmë Kosovën në zgjerimin e BE-së", - theksoi Fyle.

QENDRIMET E DISA DISKUTANTEVE

"Do të doja shumë që të firmosej një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës", tha një deputete europiane. -"Një nga shtetet që s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, është Spanja. Me gjithë përpjekjet që ne po bëjmë për të njohur Kosovën, dua të pyes se çfarë argumentesh ka komisioni që këto vende ta njohin Kosovën".

"Ka disa krime që nuk janë hetuar në Kosovë dhe ata që i kanë kryer janë në krye të administratës atje", - tha një deputet tjetër. - "Ka ende 200 mijë njerëz të humbur në Kosovë, gra e fëmijë, ka mungesë civilizimi".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)