Për politikën e ditës, Partia Demokratike duket se amniston edhe masakrën e Sllobodan Millosheviçit në Kosovë, ku vrau të paktën 13 mijë shqiptarë.
Në seancën e sotme të Kuvendit, ku u diskutua mbi raportin e veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish - Sigurimit të Shtetit për vitin 2024, pati debate mes deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Për të prodhuar një replikë, Strazimiri arriti të thotë se vrasësi më i madh që kanë shqiptarët nuk është Millosheviçi, por Enver Hoxha, i cili është themelues i Partisë së Punës që ndërroi emrin në Partia Socialiste.
'Për fatin tonë të keq, për turpin tonë të gjithë të madh, shqiptar vrasësi më i madh i shekullit 20 nuk është Millosheviçi, për fat të keq, është Enver Hoxha. Është themelues i kësaj partie, që në qershor 91 vetëm ndërroi emrin se sot quhet socialiste. Vrasësit e shqiptarëve, ata ekzekutorët, krejtësisht material, janë të dekoruar sa herë Partia Socialiste vjen në pushtet. Përsekutori i tyre bëhet qytetarë nderi, ky është turpi i madh që kemi ne. Kjo është Partia e Enver Hoxhës’, tha Strazimiri.
Në përgjigje, Balla tha se Sllobodan Millosheviçi është Kasapi i Ballkanit, pasi ka vrarë shqiptarë të Kosovës, boshnjak dhe kroatë.
‘Nuk kam asnjë dyshim që shërbëtorët familjarë të Sali Berishës t'a amnistojnë Slobodan Millosheviçin në të tashmen. Shërbëtorët familjarë të Sali Berishës që marrin vend në parlament, për shkak se i shërbejnë familjes së Sali Berishës, bëjnë atë që bëjnë duke amnistuar Sllobodan Millosheviçin. Sllobodan Millosheviçi është Kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosheviçi ka vrarë ka vrarë shqiptarë të Kosovës, ka vrarë boshnjak, ka vrarë kroatë.
Unë nuk kompleksohem aspak sepse Enver Hoxha është dënuar nga populli shqiptar, është dënuar nga partia që unë kam nderin të bëj pjesë. Por, vargëtarin e Enver Hoxhës e ke ti kryetar partie dhe që i shërben edhe, pse s'po them ndonjë fjalë tjetër. Prandaj, gjeni ku e keni vargëtarin. Por, ajo që ndodhi sot në emër të Partisë Demokratike, që të amnistohet Slobodan Milosheviçi, ky është një akt i rëndë, por që dëshmon që kjo parti është e marrë peng nga interesat e një personi që i ka shërbyer Serbisë dhe Jugosllavisë sa herë i është dhënë mundësi, dhe gjithë e dinë që është dhëndër i Beogradit’, tha ai.
Luftërat që shpërthyen gjatë periudhës së sundimit të Slobodan Millosheviçit (nga fundi i viteve ’80 deri në vitin 2000) në territoret e ish-Jugosllavisë shkaktuan, sipas vlerësimeve më të besueshme të institucioneve ndërkombëtare dhe gjykatave të Hagës, mbi 130.000 viktima gjithsej.
Ja ndarja më e saktë sipas konflikteve:
* Lufta në Slloveni (1991): rreth 70 të vrarë (konflikt që zgjati vetëm 10 ditë).
* Lufta në Kroaci (1991-1995): midis 20.000 dhe 25.000 viktima, shumica civilë.
* Lufta në Bosnjë e Hercegovinë (1992-1995): midis 95.000 dhe 100.000 të vrarë, sipas Qendrës për Kërkime dhe Dokumentim në Sarajevë; prej tyre rreth 40.000 civilë.
* Lufta e Kosovës (1998-1999): midis 10.000 dhe 13.000 të vrarë, shumica dërrmuese shqiptarë të Kosovës.
Totali i përgjithshëm i vlerësuar: nga 125.000 deri në 140.000 viktima, si dhe mbi 4 milionë refugjatë e të zhvendosur në gjithë rajonin.
Edhe pse Millosheviçi nuk ishte zyrtarisht i pranishëm në të gjitha frontet, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) e konsideroi atë përgjegjësin kryesor politik dhe ushtarak të strategjisë së “Serbisë së Madhe” që ushqeu të gjitha këto konflikte.
Ai vdiq në vitin 2006 gjatë procesit për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pa u dhënë një vendim përfundimtar.
Lajmi kryesor:
Miratohet me 77 vota pro projektligji për barazinë gjinore! Berisha sulmon Gonzaton: S'mund të na imponojë bindjet e veta! Deputetët e PS priten jashtë me protesta











