TIRANË- Mes debateve të shumta dhe protestave, Kuvendi miratoi me 77 vota pro të mazhorancës projektligjin e shumëdebatuar "Për barazinë gjinore". Kundër votuan 36 deputetë të opozitës, të cilët e kanë kritikuar ligjin ashpër duke thënë se qëllimi është shkatërrimi i familjes. 

Debatet e ashpra nisën që prej orëve të paradites të punimeve të seancës plenare, ku kreu i PD, Sali Berisha sulmoi sot ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. E nisi para se të hynte në Kuvend, i cili, teksa shprehu kundërshti për projektligjin, shënjestroi edhe diplomatin, duke thënë se nuk mund t’i imponojë shoqërisë bindjen e tij personale.

“Zotëri ne respektojmë orientimin seksual të të gjithëve. Përpjekjet tuaja për t’i imponuar standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, përveç asaj binare, edhe në statusin tënd ti je binar. Nuk merremi me ne trajtime. Ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e veta mbrapa siç ka shpjeguar jetën e tij personale. Cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore?”, tha Berisha.

Vijoi sërish me sulmet brenda Kuvendit, kur mori fjalën për të folur. Berisha e akuzoi gjithashtu se ambasadori ka ‘urdhëruar’ që ky projektligj të miratohet në seancë.  Për kreun e PD-së, një projektligj i tillë nuk është i bazuar në asnjë direktivë të BE-së, dhe se sipas tij goditet familja.

“Qytetarë dhe qytetarë sillet në emër të direktivave të BE, ekspertë të shquar, kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore, për gjini me diversitet të gjerë. Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë tu thotë shqiptarëve se direktivat aty, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016, se u mohon prindërve të drejtën e edukimit. Ky ligj de fakto në shoqërinë post marksiste, godet familjen. Çfarë ka bërë ky grup sororianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar. Edhe ajo që erdhi e rritur e pasuruar pasurisht me fondet e Soros dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në 2 të natës. E Kanë vendosur në pikën 17 të rendit të ditës. Këtë ligj i cili defakto përmbys kodin e familjes."

Më tej, Berisha përmendi sërish atë që tha jashtë për gazetarët, teksa tha se "duan të marrin rastin e veçantë e t’ia imponojnë shoqërisë", duke iu referuar Gonzatos.

"Nuk ka asnjë lidhje me direktivat evropiane. Dhe ata që e paraqesin, u kërkoj njerëzisht të na thonë ku është direktiva, ku shkruhet në dokumentet e BE për përkatësinë e shumëfishtë gjinore apo për gjini me diversitet të gjerë. Në cilin dokument është e shkruar kjo? Në asnjë. Duan të marrin rastin e veçantë, t’ia imponojnë shoqërisë. Edhe ai që ka mbrojtur ligjin, edhe ai ka pasur historinë e tij familjare, ka bërë ndryshimin. Ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por ne nuk përmbysim shoqërinë kurrë për këtë. Kjo që bëni ju. A e di pse i bëni këto o zotëri? I bëni për të shpëtuar se jeni mafia më e rrezikshme në Europë. Dhe ata, të cilët duhet t’u denoncojnë ju për shkak të këtij ligji, u mbrojnë ju. A e di pse e bëni këtë ju? Se jeni hajdutët më të mëdhenj në Europë, dhe ata të cilët duhet t’u denoncojnë ju, për shkak të këtij ligji u mbrojnë ju.", tha Berisha.

Deklaratat e Berishës duket se shkaktuan një incident të mirëfilltë diplomatik. Komisionerja për Zgjerimin e Bashimit Europian, Marta Kos, dënoi publikisht komentet e Berishës. Pas kësaj, me propozim të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Kuvendi ndëpreu diskutimet e seancës së sotme. 

Pas seancës plenare një grup qytetarësh që protestuan paradite kundër këtij pr.ligji, ishin mbledhur sërisht jashtë Kuvendit ku pritën deputetët e PS me protesta e pankarta në duar kundër ligjit.

Për opozitën ky pr.ligj dëmton thelbin e familjes, por Taulant Balla sqaroi duke thënë se përkatësi e shumëfishtë është term social që lidhet me ligjin e diskriminimit, pasi gjinitë mbeten vetëm 2: burrë dhe grua.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:40
Kuvendi miraton aktin normativ për rishikimin e buxhetit! 77 vota pro ‘paketës ligjore’ kundër ndërtimeve pa leje

1762469080_Screenshot411068x605.png

Seanca plenare që u mbyll pa u shqyrtuar të gjitha pikat për shkak të debateve që shkaktoi deklarata e Berishës kundër ambasadorit të BE-së, miratoi paketën ligjore me tre akte normative kundër ndërtimeve pa leje. Aktet u miratuan me nga 77 vota pro.

-Akti normativ nr. 7, datë 1.10.2025, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998, "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, u miratua me 77 vota Pro, 0 Abstenim, 28 Kundër.

-Akt normativ nr. 8, datë 1.10.2025 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit””, u miratua me 77 vota Pro, 0 Abstenim, 21 Kundër.

-Akt normativ nr. 9, datë 1.10.2025 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9780, datë 16.7.2007, “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme””, të ndryshuar, u miratua me 77 vota Pro, 0 Abstenim, 20 Kundër.

Po ashtu u miratua rishikimi për herë të tretë i buxhetit të shtetit për vitin 2025, që parashikon rritjen e të ardhurave dhe të shpenzimeve, si dhe dhënien e bonusit për pensionistët në fundvitit në vlerat 100-150 euro.

-Akt normativ nr. 10 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, u miratua me 77 vota Pro, 0 Abstenim, 24 Kundër.

Dritën jeshile me 77 vota pro, 23 kundër dhe 1 abstenim e mori edhe projektligji "Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2024”.

Ndryshe nga projektligji "Për barazinë gjinore" që u miratua me 77 vota pro dhe 36 kundër, propozimi i opozitës “Për gjendjen civile”, i ndryshuar, nuk arriti të miratohej, pasi u votua me 34 vota Pro, 0 Abstenim, 77 Kundër.

Vendimet e tjera të miratuara me votat e mazhorancës kishin të bënin me antarësinë në komisionet e përhershme parlamentare, si dhe u votuan pro emërimet e reja në Komisionin Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjatë seancës së 6 nëntorit Kuvendi shqyrtoi katër raporte të institucioneve të pavarura, të KLSH-së, Komisionit të Prokurimit Publik, Adminsitratës Publike si dhe të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu u miratuan edhe projektrezolutat me rekomandime për secilin institucion.

Ora 23:15
Kuvend/ Miratohet me 105 vota pro përbërja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe Komisionit për Reformën Territoriale

1762463623_kuvend6nentor2025.jpeg

Parlamenti ka miratuar me 105 vota pro përbërjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe Komisionit për Reformën Territoriale, në seancën e sotme.

Nga grupi parlamentar i PD në Komision do të marrin pjesë Oerd Bylykbashi si Bashkëkryetar, Ivi Kaso Anëtar, Gent Strazimiri Anëtar, Albana Vokshi Anëtar, Gjin Gjoni Anëtar, Arian Ndoja Anëtar zëvendësues, Klevis Balliu Anëtar zëvendësues dhe Elda Hoti Anëtar zëvendësues 

Anëtarët e PD në Komisionin për Reformën Territoriale janë Luçiano Boçi Bashkëkryetar, Jorida Tabaku Anëtar, Bledion Nallbati Anëtar , Xhelal Mziu Anëtar , Ramadan Likaj Anëtar, Eno Bozdo Anëtar, Greta Bardeli Anëtar zëvendësues, Bardh Spahia Anëtar zëvendësues, Igli Cara Anëtar zëvendësues dhe Ina Zhupa Anëtar zëvendësues.

Anëtarët e PS për Komisionin e Reformës Zgjedhore: janë Damian Gjiknuri Bashkëkryetar, Arbjan Mazniku , Bledar Çuçi, Ulsi Manja, Olsi Komici, Aurora Mara dhe Ogerta Manastirliu.

Ndërsa deputetët socialistë zëvendësues janë Aulona Bylykbashi, Ermal Pacaj, Ermal Elezi, Erion Malaj dhe Erjona Ismaili.

Anëtarët e PS për Komisionin e Reformës Territoriale Arbjan Mazniku Bashkëkryetar, Blendi Klosi, Damian Gjiknuri, Romina Kuko, Ermal Pacaj, Marjana Koçeku, Ermal Elezi dhe Klevis Jahaj.

Anëtarët zëvendësues socialistë janë Tërmet Peçi, Etleva Budini, Aulona Bylykbashi, Agron Malaj dhe .Vasil Llajo.

Ora 23:00
Toni Gogu: Ligji për Barazinë Gjinore është europian dhe ligjor, jo ideologjik. Ndjesë publike për sulmin ndaj ambasadorit të BE-së

Pas përfundimit të seancës plenare, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, dha një prononcim për gazetarët ku foli mbi incidentin e ndodhur në Kuvend gjatë diskutimit për ligjin e barazisë gjinore.

Gogu e cilësoi gjuhën e përdorur nga kryetari i opozitës si “stigmatizuese dhe të papranueshme”, duke kërkuar në emër të Kuvendit dhe të shqiptarëve ndjesë ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian. Ai theksoi se ligji i miratuar nuk është akt ideologjik, por një hap i rëndësishëm drejt përafrimit të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian.

Deklarata e plotë e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu për gazetarët,pas përfundimit të seancës plenare

Një seancë që kulmoi me një incident jashtëzakonisht të rëndë, që në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe  të gjithë shqiptarëve dua t'i kërkoj falje ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian, Komisionit Europian dhe të gjithë europianëve për atë gjuhë stigmatizuese ndaj ambasadorit të tyre, për shkak të cilësive të tij personale, nga kreu i opozitës që në fakt nuk ishte asgjë tjetër por ishte kulminacioni i ideologjisë së re. Pra nëse kishim sot një ligj ideologjik ishte versioni që Partia Demokratike solli, duke u përpjekur që të luajë me frikërat e njerëzve.

Gazetari: Z.Berisha kërkoi ndjesë...

Dhe nëse ju shikoni sjelljet, nuk e di  besoj, ndjesa zakonisht ndodh me veprime, dhe do ishte shumë mirë që në emër të të gjithëve ne të na hiqte atë njollë turpi që na u vendos sot. Ligji për barazinë gjinore është një ligj, i cili na përafron me 10 direktivat e Bashkimit Europian.

Ai ligj nuk është ideologji, ai është një akt tërësisht i pastër ligjor që është në zemër të së drejtës europiane. Dhe kur flet për barazinë gjinore, flet për barazinë burrë-grua, dhe ky është ligji që sot ka kaluar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, natyrisht duke mbrojtur nga diskriminimi çdo njeri, i cili për shumë arsye nuk mundet të mos mbrohet nga shteti shqiptar, qoftë kjo gjini, qoftë kjo racë, qoftë prejardhja, qoftë arsim dhe shumë gjëra të tjera.

Por kryesore, ai ligj sjell barazi midis burrave dhe grave në pagat e tyre, në vendin  tyre në qeverisje, në përfaqësimin e tyre në shoqëri, në arsim, në çdo gjë. Pra, ne jemi një shoqëri që vjen nga një e kaluar patriarkale dhe na duhet që patjetër, ashtu siç po ndodh në të gjithë shoqërinë shqiptare, kemi bërë një super udhëtim dhe ju e shikoni rolin e grave në qeverisje. E shikoni rolin e grave në ligjbërje, e shikoni rolin e grave në biznes, në akademi, që do të thotë se duhet ta mbrojmë me të gjitha mekanizmat këtë vlerë europiane që tashmë është ulur këmbëkryq në Shqipëri.

Të gjitha akuzat që ky ligj "shpik gjini të reja" që nuk mund të bëhen për këtë ligj, ky ligj i hap rrugën lloj-lloj fantazive. I garantoj të gjithë shqiptarët që sot ne kemi miratuar një ligj, i cili na sjell më afër me Bashkimin Europian, përfaqëson më mirë vlerat shqiptare përsa i përket kësaj që ne kemi arritur në barazinë burrë-grua.

Gazetar: A është konsultuar mjaftueshëm ky ligj dhe çfarë përgjigje keni për ata që kanë protestuar gjatë ditës së sotme? 

Gogu: Unë mendoj që protesta është një e drejtë themelore kushtetuese e Republikës së Shqipërisë dhe mendoj se ata qytetarë janë duke ushtruar të drejtën e tyre.

Ajo që mund t’ju them është se, nëse mes tyre ka nga ata që ndajnë të njëjtat bindje me mua, që gjinia është mashkull dhe një femër që bindje të tilla ne nuk mund t'i detyrojmë, bindje që vijnë nga besimi nga botëkuptimi, nuk mund të detyrojnë shtetin që të mos mbrojë përmes ligjit administrativ. 
Pra, për të gjithë ata besimtarë, ne e dimë shumë mirë që kulminacioni i ligjit është dashuria. Dashuria e plotëson ligjin. Kjo është edhe porosia që na ka lënë Shën Pali, të cilën miqtë e mi ndonjëherë e marrin si shembull për të mbrojtur patriarkalitetin – atë gjë të cilës ne i kemi thënë lamtumirë në shoqërinë tonë. Dhe sot i thamë lamtumirë edhe me ligj.

Kurse kjo historia tjetër e re e diskriminimit gjinor duhet të marrë fund. Unë besoj që duhet vërtet t’i thërrasim arsyes dhe të bëjmë një kërkim shpirtëror, për shkak se unë besoj e dyert e para që duhet të jenë të hapura janë dyert e kishave dhe xhamive për ata njerëz që duan të vijnë, të takohen me Zotin dhe duhet që të pajtohen me të. Aty mund të gjejnë mënyrën për të transformuar sjelljet e tyre.

Por nuk mundet që bindjet fetare t’i kthejnë në armë politike, nuk mund t’u bien njerëzve me Bibël apo me Kushtetutë, me Kuran apo me Kushtetutë si çekan. Jo, me Bibël dhe me Kuran ne i duam njerëzit, por me ligj i mbrojmë. Kjo është logjika e gjithë gjësë. 

Ndërkohë, Partia Socialiste do të vazhdojë aksionin e madh të integrimit europian, i cili ju do të shikoni që seancat do të jenë edhe më të gjata për shkak të paketës së ligjeve është e tillë që ne nuk kemi asnjë sekondë për të humbur për t’u bashkuar me familjen europiane.

Kështu që edhe në javët në vazhdim, përveç diskutimit të buxhetit, do të vijnë një shumicë ligjesh të Bashkimit Europian që do të bëhen pjesë e korpusit tonë ligjor.

Gazetar: Pse nuk pranuat debati i sotëm por kaloi direk në votim?

Gogu: Ne pranojmë debate, e keni vënë re, në çfarëdolloj forumi, në çdo shesh publik, në çdo studio, për aq kohë sa debati është qytetar dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk kthehet në një tribunë anti-europiane.

Kjo është arsyeja: Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të vazhdonte të kthehej në një tribunë ...

Deklaratën e zotit Berisha e dëgjova me vëmendje. Nuk kishte asnjë pikë ndjese, sepse jo vetëm që nuk u tërhoq nga diskriminimi i orientimit seksual, por hyri edhe në diskriminimin e shëndetit mendor.

Donte të shfajësohej “Jo, nuk fola, më ngatërrove binaritetin me bipolaritetin.” Pra, nga diskriminim seksual, shkoi në diskriminim të shëndetit mendor. Mos më bëni të flas më shumë në fund të kësaj dite të ngjeshur për një njeri që është recidivist kur vjen puna te diskriminimi. Faleminderit.

Ora 22:41
'Turp kombëtar!'/ Miratuan projektligjin për Barazinë Gjinore, deputetët e PS priten me protesta jashtë Parlamentit (VIDEO)

Deputetët e PS janë pritur me protestë jashtë Parlamentit, ku qytetarë kundër projektligjit për Barazinë Gjinore kanë bërtitur “turp kombëtar” drejtuar socialistëve.

Protestuesit kanë qëndruar jashtë ambienteve të Parlamentit gjatë ditës së sotme, ndërsa Parlamenti miratoi pak momente më parë projektligjin me 77 vota pro.

Sakaq, kreu i PD Sali Berisha i shoqëruar nga deputetët demokratë u është afruar protestuesve pas seancës plenare duke komunikuar me ta.

"Është akti në të cilin fëmijët i merren familjes dhe u jepen edukimit shtetëror sipas moralit të shumë gjinive e të tjerë e të tjerë. Unë jua thashë dhe këtu, që tani fjalën do ta kenë qytetarët. Dhe ne nuk do të pajtohemi kurrë gjersa në Shqipëri, siç është në 21 vende anëtare të Bashkimit Europian. Janë 21 vende anëtare të Bashkimit Europian që kanë refuzuar dhe nuk kanë këtë ligj. Kanë sistemin që kemi ne sot. 21 vende.  Pesë vende, Shqipëria sot bëhet e gjashta, e kanë këtë, këtë ligj. Ne do rrinim me shumicën e tyre. Por Edi Rama i bën të gjitha këto për të mbijetuar, ne do bëjmë gjithçka që ai t'i ketë ditët e shkurtra, ju e thatë, parlamenti është parlament jo legjitim, i dalë mbi rrëmbimin e votës, krimin dhe faktorë të tjerë.  Ka disa ditë që ne po projektojmë të ndërmarrim protesta dhe ato protesta do kenë vetëm një vend, para kryeministrisë. Tani ai ka dalë i qartë, me tunele, Llogara, Belinda është masha e tij, ajo ka firmos sepse i ka thënë o bëj këtë o të... dhe të gjitha këto duhet t'i marrim me vendosmëri.  Se ne kemi të drejtë",- tha Berisha.

Vetë Berisha e ka kundërshtuar ashpër projektligjin, duke e cilësuar si hapje të rrugës për instalimin e një ideologjie të rrezikshme.

Ora 22:28
Parlamenti rrëzon me 77 vota kërkesën e PD për shkarkimin e Begajt

Seanca plenare që u mbyll pa u shqyrtuar të gjitha pikat për shkak të debateve që shkaktoi deklarata e Berishës kundër ambasadorit të BE-së, miratoi raportin e Komisionit të Ligjeve që, për mos-ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, z. Bajram Begaj", u miratua me 77 vota Pro, 0 Abstenim, 32 Kundër.

Shkarkimi i presidentit u kërkua nga opozita, me pretendimin se kishte kryer 7 shkelje të rënda të kushtetutës.

Ora 22:17
Ja cilat janë ndryshimet e miratuara në projektligjin për barazinë gjinore

Me 77 vota pro, Kuvendi miratoi sot projektligjin "Për barazinë gjinore". Më poshte rendisim disa prej ndryshimeve që u miratuan në projektligj.

"Përkatësi e shumëfishtë” do të quhet ndërlidhja/kombinimi i gjinisë me karakteristika të ndryshme të parashikuara në legjislacioni në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi.

"Gjini" nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivitetet dhe atributet që një shoqëri e caktuar i konsideron të përshtatshme për gratë dhe burrat.

Më herët, këto 2 nocione përkufizoheshin në ligj si më poshtë: 

"Përkatësi e shumëfishtë" ndërlidhja/kombinimi i gjinisë me karakteristika të tjera si mosha, aftësia e kufizuar, prejardhja e imigrantëve, etnia, orientimi seksual ose prejardhja socio- ekonomike, 

"Gjini" sipas këtij ligji ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.

Ora 22:01
Pas shumë debateve, Kuvendi miraton me 77 vota pro projektligjin për barazinë gjinore

 

Me 77 votat pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi sot projektligjin e shumëdebatuar "Për barazinë gjinore". Kundër votuan 36 deputetë të opozitës.

Ora 21:44
Pas reagimit të Komisioneres Kos për sulmet e Berishës ndaj Gonzatos, Kuvendi ndërpret diskutimet dhe kalon në votim

1762462246_ËhatsAppImage20251106at21.43.28.jpeg

Me propozim të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Kuvendi ndëpreu diskutimet e seancës së sotme.

Kërkesa e Ballës erdhi pasi Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, dënoi sulmet e Sali Berishës ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

"Jo vetëm që nuk u kërkua ndjesë, por u shtuan edhe deklarata të tjera, megjithëse kishte reaguar komisionerja e BE-së. Është shprehja më kuptimplotë se Kuvendi nuk mund të vazhdojë më. Ky është një skandal diplomatik",- tha Balla.

Ora 21:40
A i kërkon falje ambasadorit Gonzato? Berisha kërkon të shfajësohet: Nëse ai e konsideron fyerje, i kërkoj të falur (VIDEO)

 

Kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar nga jashtë Parlamentit se i kërkon falje ambasadori të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, nëse ky i fundit e ka konsideruar si fyerje deklaratën e tij më herët ditën e sotme.

Berisha u shpreh se “është gjëja me e thjeshtë të kërkoj ndjesë”, por sipas tij ka qenë vetë Gonzato, i cili ka deklaruar se pas martesës së tij të parë, tani është i martuar me një mashkull.

“Nëse ai e konsideron fyerje, unë do e rikonsideroj qëndrimin tim, i kërkoj të falur por kjo nuk përbën fyerje”, përfundoi Berisha.

 

Ora 20:19
'Ka porosit vrasje, bashkëpunëtor bandash', Balla i përgjigjet Berishës: S’kam mbi supe akuza si ti, shkon me autoblindë në Tropojë (VIDEO)

 

Kreu i PD Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla, duke thënë se ai ka porositur vrasje dhe se është bashkëpunëtor me bandat.

Balla ka replikuar me liderin e PD, teksa i tha se ai nuk ka asnjë akuzë mbi supe, duke i kujtuar Berishës çështjet e hapura me drejtësinë. Sipas Ballës, akuzat që i hidhen vazhdimisht nga Berisha, vijnë për shkak se Balla e ka kallëzuar në SPAK për dosjen ‘Partizani’.

Berisha: Regjistrimi tjetër është Tao që porosit vrasje, dhe bashkë me një prokuror vendosin të djegin denoncimin se kishte porositur vrasje. Bashkëpunëtor bandash që e mbani në krye të grupit.

Balla: Do më duhet të përdor kohën edhe për një replikë ndaj dikujt me të cilin më është dashur të përballem shumë shpesh në këto 21 vite. Kujtoj një koleg të PS që në përballje më të parë në 2005 me individin, më tha ‘Taulant nuk ia vlen të përballesh me të sepse është i paskrupullt dhe të sulmon me shumë të pavërteta që dashur apo padashur të bëjnë pis’. Kolegu në një moment të caktuar erdhi dhe u bë aleat me zotërinë. Ilir Meta ka qenë që ma ka thënë. Me Metën kam qenë koleg, e kam pasur kryetar në FRESH. Gjithë jetën pulitke sa e kishte kundërshtar i tha gjithë të zezat. I them atëherë Ilirit, ‘e kam ndarë mendjen dhe mendoj se gjërat duhen thënë përballë’, ti ngele një komunist i pandreqshëm dhe gjithë jetën vjen këtu dhe thua ‘tha ky, tha ai’.

Nuk bëhem pishman që të kam kallëzuar për dosjen e ‘Partizani’ dhe pse më duhet të përballoj këtë baltë që më hedh ti përditë. Jam shumë krenar për familjen time, për zonën nga vij dhe shkoj çdo fundjavë, jo si ti që shkon me autoblindë në Tropojë. Kemi dhe një çështje me ty që nuk do flasim dhe ia kemi lënë drejtësisë, zbardhjen e vrasjes shtetërore të 21 Janarit. Jam krenar që nuk kam asnjë akuzë mbi supe siç ke ti që vodhe fushat e Partizanit për t’u pasuruar.

Ora 20:17
Sulmet e Berishës ndaj Gonzatos, ministri Toni Gogu: Duhen dënuar, stigmatizohen ambasadorë për arsye personale

 

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka reaguar për sulmet e Sali Berishës ndaj ambasadorit Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. Ai tha se këto sulme duhet që të dënohen.

‘Ligji është standard evropian. Këtë thotë komisionerja. Është politikë evropiane, pra ofron, i nderuar zotëri i 21 janarit, pra afrohet me 10 direktiva, jo një, 10 direktiva, sepse flitet për barazinë burrë-grua, sepse flet për barazinë burrë grua. Kështu që kjo historia e sulmit personal ndaj ambasadorit për një politikë publike evropiane, për një standard evropian, për një kulturë shqiptare, që është kultura e mosdiskriminimit për asnjë arsye në botë. Unë besoj që duhet të dënohet nga ky parlament dhe nga këta njerëz të cilët vazhdojnë dhe stigmatizojnë ambasadorë për cilësi të tyre personale', tha ai. 

Ndërkohë, Berisha në replikë ndaj Gogut tha se nuk ka pasur qëllim fyerjen.

‘S'pari, injoranca s'është punë e gjuhës shqipe. Parafolësi duket se fjalën binar e ngatërron me fjalën bipolar. Por zot fale se s'di ç'thotë. Fjala binar në konceptin tim s'është kurrë fyerje. E vetmja gjë që kërkova, të na tregojë cilën direktivë?’, tha ai.

Ora 20:10
Deklaratat për ambasadorin Gonzato, Berisha: Nuk e fyeva, i kërkova direktivën e BE që flet për përkatësi të shumëfishtë gjinore

 

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk i quan fyerje deklaratat e tij të bëra mëngjesin e sotëm për ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

"Nuk kam bërë asnjë fyerje ndaj asnjë ambasadori, por kam shprehur mendimet e mia këtu, siç do ju shpreh haptas në çdo rast. Kam kërkuar nga ky parlament dhe nga ky parlament, nga ambasadori Gozato, të na tregojë cilën direktivë, sepse ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos, deklaron se ka mbajtur qëndrimin e BE. Cila direkteivë e BE përdor terminologjinë e përkatësisë së shumfishtë gjinore",- tha Berisha.

Ora 19:59
Partia Demokratike shfajëson Millosheviçin që vrau 140 mijë vetëm mes të cilëve 13 mijë shqiptarë të Kosovës: Vrasësi më i madh Enver Hoxha (VIDEO)

Për politikën e ditës, Partia Demokratike duket se amniston edhe masakrën e Sllobodan Millosheviçit në Kosovë, ku vrau të paktën 13 mijë shqiptarë.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ku u diskutua mbi raportin e veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish - Sigurimit të Shtetit për vitin 2024, pati debate mes deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Për të prodhuar një replikë, Strazimiri arriti të thotë se vrasësi më i madh që kanë shqiptarët nuk është Millosheviçi, por Enver Hoxha, i cili është themelues i Partisë së Punës që ndërroi emrin në Partia Socialiste.

'Për fatin tonë të keq, për turpin tonë të gjithë të madh, shqiptar vrasësi më i madh i shekullit 20 nuk është Millosheviçi, për fat të keq, është Enver Hoxha. Është themelues i kësaj partie, që në qershor 91 vetëm ndërroi emrin se sot quhet socialiste. Vrasësit e shqiptarëve, ata ekzekutorët, krejtësisht material, janë të dekoruar sa herë Partia Socialiste vjen në pushtet. Përsekutori i tyre bëhet qytetarë nderi, ky është turpi i madh që kemi ne. Kjo është Partia e Enver Hoxhës’, tha Strazimiri.

Në përgjigje, Balla tha se Sllobodan Millosheviçi është Kasapi i Ballkanit, pasi ka vrarë shqiptarë të Kosovës, boshnjak dhe kroatë.

‘Nuk kam asnjë dyshim që shërbëtorët familjarë të Sali Berishës t'a amnistojnë Slobodan Millosheviçin në të tashmen. Shërbëtorët familjarë të Sali Berishës që marrin vend në parlament, për shkak se i shërbejnë familjes së Sali Berishës, bëjnë atë që bëjnë duke amnistuar Sllobodan Millosheviçin. Sllobodan Millosheviçi është Kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosheviçi ka vrarë ka vrarë shqiptarë të Kosovës, ka vrarë boshnjak, ka vrarë kroatë.

Unë nuk kompleksohem aspak sepse Enver Hoxha është dënuar nga populli shqiptar, është dënuar nga partia që unë kam nderin të bëj pjesë. Por, vargëtarin e Enver Hoxhës e ke ti kryetar partie dhe që i shërben edhe, pse s'po them ndonjë fjalë tjetër. Prandaj, gjeni ku e keni vargëtarin. Por, ajo që ndodhi sot në emër të Partisë Demokratike, që të amnistohet Slobodan Milosheviçi, ky është një akt i rëndë, por që dëshmon që kjo parti është e marrë peng nga interesat e një personi që i ka shërbyer Serbisë dhe Jugosllavisë sa herë i është dhënë mundësi, dhe gjithë e dinë që është dhëndër i Beogradit’, tha ai.

Luftërat që shpërthyen gjatë periudhës së sundimit të Slobodan Millosheviçit (nga fundi i viteve ’80 deri në vitin 2000) në territoret e ish-Jugosllavisë shkaktuan, sipas vlerësimeve më të besueshme të institucioneve ndërkombëtare dhe gjykatave të Hagës, mbi 130.000 viktima gjithsej.

Ja ndarja më e saktë sipas konflikteve:

* Lufta në Slloveni (1991): rreth 70 të vrarë (konflikt që zgjati vetëm 10 ditë).

* Lufta në Kroaci (1991-1995): midis 20.000 dhe 25.000 viktima, shumica civilë.

* Lufta në Bosnjë e Hercegovinë (1992-1995): midis 95.000 dhe 100.000 të vrarë, sipas Qendrës për Kërkime dhe Dokumentim në Sarajevë; prej tyre rreth 40.000 civilë.

* Lufta e Kosovës (1998-1999): midis 10.000 dhe 13.000 të vrarë, shumica dërrmuese shqiptarë të Kosovës.

Totali i përgjithshëm i vlerësuar: nga 125.000 deri në 140.000 viktima, si dhe mbi 4 milionë refugjatë e të zhvendosur në gjithë rajonin.

Edhe pse Millosheviçi nuk ishte zyrtarisht i pranishëm në të gjitha frontet, Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) e konsideroi atë përgjegjësin kryesor politik dhe ushtarak të strategjisë së “Serbisë së Madhe” që ushqeu të gjitha këto konflikte.

Ai vdiq në vitin 2006 gjatë procesit për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pa u dhënë një vendim përfundimtar.

Ora 19:59
Komisionerja e BE dënoi sulmet ndaj Gonzatos, Balla: Kemi kërkuar përjashtimin e Berishës 30 ditë nga Kuvendi

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi si incident të rëndë diplomatik sulmin e Sali Berishës ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se reagimi e Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, lidhur me sulmet e krydemokratit, dëshmojnë se ky incident diplomatik ka marrë përmasa të mëdha. 

"Ju paralajmëruam në mëngjes për një incident të rëndë diplomatik, por masat e situatës janë rënduar. Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian i ka kërkuar Partisë Demokratike të distancohet nga kjo deklaratë e turpshme",- tha Balla.

Balla bëri me dije se është depozituar një kërkesë për përjashtimin 30-ditor të Berishës nga Kuvendi.