LUSHNJE- Një bazë e falsifikimit të dokumenteve dhe strehimit të emigrantëve nga vendet e treta me qëllim kontrabandimin e tyre në një nga vendet e BE-së, kundrejt fitimit, është zbuluar në Lushnje.
Policia ka arrestuar shtetasit G. H., 53 vjeç dhe Xh. H., 24 vjeç, babë e bir, banues në Karbunarë, pasi kishin marrë një banesë me qira, e cila shërbente si bazë për të strehuar klandestinë nga Bangladeshi. Më pas këto të dy, kundrejt parave, kishin si qëllim trafikimin e klandestinëve në vendet e Bashkimit Europian duke i pajisur me pasaporta të dyshuara të falsifikuara.
Gjatë kontrollit të banesës që kishin me marrë me qira, u gjetën dy shtetas të huaj si edhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 11 pasaporta, dokumente të tjera të dyshuara të falsifikuara, 5600 euro, një sasi parash që përdoren në Bangladesh, 1 laptop, 6 aparate celularë dhe 1 automjet tip "Renault".
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme procedurale.