Shqipëria pritet të japë rezultatet e para në luftën ndaj krimit të organizuar, e mbështetur dhe nga agjentët amerikanë të FBI. Këta të fundit kanë mbërritur në Tiranë, ku së bashku me autoritetet shqiptare do nisin punën për luftën ndaj grupeve kriminale. Në vend është ngritur Task-Forca kundër organizatave dhe grupeve të krimit të organizuar, e cila do të japë rezultate shumë shpejt.

Kjo strukturë e rëndësishme e policisë do të hetojë dhe godasë drejtuesit e grupeve kriminale, në bashkëpunim dhe me vendet e rajonit, pasi një pjesë e ‘kokave’ të këtyre grupeve veprojnë jashtë vendit. Report Tv iu sjell më poshtë strukturën e plotë të Task-Forcës, që ndahet në dy drejtime, qendrore dhe rajonale, ku të dyja do të bashkëpunojnë për shkëmbimin e informacioneve mbi bandat kriminale.

Task-Forca Speciale përfshin disa nga institucionet më të rëndësishme në vend në luftën ndaj krimit, duke nisur nga Ministria e Drejtësisë, Policia e Shtetit, Prokuroria, SHISH, Ministria e Drejtësisë, SHÇBA, Ministria e Financave. Të gjitha këto institucione do bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë informacione për të luftuar grupet kriminale në vend e më gjerë.