/ATSH/.- Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç asaj të integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian - është përfundimi që del qartë nga të gjitha aktivitetet, e që ishin të shumta, të organizuara sot në Prishtinë me rastin e Ditës së Evropës, 9 Majit.
Por, kjo rrugë nuk është dhe aq e drejtë dhe e lehtë, por paraqet një labirint të vërtetë dhe këtë, me një aktivitet më të veçantë, edhe vizualisht e treguan studentët e Universitetit AAB. Ata, përmes një labirinti të ndërtuar te Sheshi "Zahir Pajazi", dëshmonin për atë se sa e vështirë është lëvizja e qytetarëve të Kosovës në BE dhe se sa shumë kritere duhet plotësuar për t'u anëtarësuar në familjen evropiane.
Studentët po sfidonin qytetarët që të ecnin në labirintin e paraqitur, me çka ilustruan numrin e madh të kritereve që Kosova ka përmbushur dhe që duhet të plotësojë për të marrë liberalizimin e vizave.
Sipas studentes së Departamentit të Shkencave Sociale në këtë universitet Antigona Retkoceri, Kosova, megjithëse një vend i vogël, i duhet të plotësojë kritere shumë të mëdha.
"Ne me studentët e Universitetit AAB dhe në bashkëpunim me profesoreshën Alberita Bytyqi, departamenti i Shkencave Sociale, kemi organizuar këtë aktivitet për nder të Ditës së Evropës, 9 Majit dhe përmes këtij labirinti të tregojmë se Evropa ka vendosur shumë kritere për Kosovën dhe që është një rrugë e vështirë si shtet i vetëm që jemi në Ballkan që nuk jemi integruar. Që do të thotë Kosova është një shtet shumë i vogël, por që kriteret i ka shumë të mëdha nga Evropa dhe ky labirint e tregon vetë atë", tha Retkoceri.
Ndërsa profesore Alberita Bytyçi u shpreh se Kosova po përballet me barriera të shumta për t'u integruar në BE dhe për t'u bërë pjesë e saj.
"Universiteti AAB, departamenti i Shkencave Sociale, ka organizuar këtë aktivitet për të festuar Ditën e Evropës dhe si më së miri përmes labirintit të tregojmë që ka shumë kritere, shumë barriera se si të integrohemi dhe të jemi edhe ne pjesë e Evropës. Studentët janë përgatitur nga Departamenti i Shkencave Sociale për ta festuar këtë Ditë të Evropës", theksoi Bytyçi.
Në anën tjetër, Rrahim Rexhepi, një qytetar i cili provoi labirintin e shfaqur në mënyrë simbolike nga studentët e AAB-së, tha se kalimet dhe kthesat që ai i kaloi ishin të mundshme, çka sipas tij dëshmoi se çdo kthesë ka sakrificën brenda vetës, e cila duhet bërë për të hyrë në BE.
Dita e Evropës - 9 Maji është një ndër Festat Zyrtare në vend. Kjo festë ditë më parë në Kuvendin e Kosovës është kërkuar të hiqet si ditë pushimi në mesin e festave zyrtare dhe po ashtu është kërkuar që pushimi për këto ditë të mos bartet në ditë të tjera në rast se bie gjatë fundjavës si kësaj radhe. Mirëpo, kjo nuk ka marrë votat e mjaftueshme nga ana e deputetëve, kështu që prapë institucionet shtetërore e publike do të pushojnë të hënën./