TIRANE - Studentet e mbijetuara nga aksidenti tragjik i Himarës, kanë protestuar dje para zyrave të kompanisë së sigurimeve SIGMA në kryeqytet. Ato i kanë kërkuar kompanisë dëmshpërblimin për aksidentin, pasi sipas tyre shuma që u është dhënë nga kompania është qesharake. “Ne sot(dje) jemi mbledhur këtu dhe kërkojmë që kjo kompani të dalë të na thotë përse nuk na ka dëmshpërblyer.

A e di kjo kompani se në 21 maj të vitit të kaluar u shënua një nga aksidentit më tragjike të ndodhur në Shqipëri. A e di kjo kompani se 26 vajza të tjera mbetën të plagosura dhe me pasoja shumë të rënda për shëndetin. A e di kjo kompani se dy shoqet tona pas aksidentit ishin në gjendje kome dhe në rrezik për jetën.

Nëse kjo kompani i di të gjitha këto ne duam të dimë se sa do të zgjasë pritja dhe ankthi jonë. Ne duam të dimë se kur do të dëmshpërblehemi për të vazhduar kurimin. Ne kërkojmë që kompania të na dëmshpërblejë në bazë të shumës që përcaktohet në ligj për sigurimin rrugor.

Ne nuk kërkojmë as më shumë dhe as më pak, por vetëm shumën që përcaktohet në ligj” shprehet Eriselda Gubere një nga vajzat e aksidentit të Himarës. 26 studentet me mbështetjen nga prindërit dhe studentë të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, kanë kërkuar edhe nga politikanët dhe qeveritarët të reagojnë për çështjen e tyre.

“Ne kërkojmë edhe njëherë që politikanët tanë të përdorin forcën që u jep posti për të vënë drejtësi sa më shpejt. Ne duam t’u bëjmë thirrje dhe grave të Parlamentit , mosreagimi i tyre na ka vrarë edhe më shumë, ato janë nëna dhe duhet të kishin ngritur zërin edhe më shumë për ne” shprehen studentet.

Ato kanë bërë thirrjen se nëse nuk dot të marrin shumën që u takon do të përshkallëzojnë protestën. “Ne duam që ky problem të zgjidhet sa më shpejt në të kundërt ne do të përshkallëzojmë protestat në grevë urie, sepse kompania po tallet me ne” tha Alma Deda. Vajzat janë shprehur se dëmshpërblimi që u ka shpërndarë SIGMA ishte tallës dhe nuk është i mjaftueshëm për të përballuar shpenzimet e kurimit.

“Unë kam nevojë për ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Por operacioni më shkon gati 8 mijë euro, ndërs kompania është tallur me mua duke më dhënë vetëm 40 mijë lekë” shprehet Dorina Kumria. Po të njëjtin shqetësim ka edhe Alma Deda “Unë kam pasur shumë probleme shëndetësore, pas aksidentit kam probleme me shtyllën kurrizore, nuk kam lëvizur për një kohë të gjatë dhe ende kam nevojë për kurim.

Kam shkuar në spital dhe më kanë thënë që nuk mund të bëj skaner, pasi kam shumë probleme dhe mund ta bëj atë vetëm pas 6 muajsh. Gjithashtu kam probleme edhe me veshkat, pra ky aksident më la gjysmë njeriu. Ndërsa këta më japin dëmshpërblim 2 milionë lekë të vjetra.

Mua kaq pak lekë as për ilaçe dhe për rrugën Tiranë-Elbasan nuk më dalin” tregon vajza e mbijetuar nga aksidenti i Himarës. Vajzat menjëherë pas protestës kanë zhvilluar një takim me drejtorin e dëmshpërblimeve të kompanisë SIGMA, ai u ka thënë studenteve se do të shqyrtohen të gjitha ankesat e tyre dhe nëse ato nuk janë të kënaqura nga dëmshpërblimi mund t’i drejtohen gjykatës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)