Nënkryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, ka reaguar sot për protestën e studentëve shqiptarë të drejtësisë që kërkojnë mbajtjen në gjuhën shqipe të provimeve të lirimit, duke kritikuar edhe politikat e qëllimshme për dobësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucione shtetërore.

Osmani, i cili mori pjesë në protestë, thotë se u ndie krenar për brezin e ri që nuk bën compromise me dinjitetin por nga ana tjetër u ndie keq për sjelljen e politikanëve shqiptarë.

“Sot isha në protestën e studentëve si ligjerues, si prind po edhe si politikan. Ishte një vorbull emocionesh. Nga njëra anë u ndjeva krenar. Krenar për një gjeneratë që nuk bën kompromis për dinjitetin e vet. Po në të njëjtën kohë u ndjeva edhe keq.  Keq për ku e kanë sjellë disa politikanë shqiptarë këtë popull në pak vite. Prej një populli që bashkëdrejtonte shtetin e përtej shtetit, sot dëgjova: “duam të drejtat tona”. Çfarë degradimi. Dhe prapa këtij degradimi ka emra dhe mbiemra konkret.  Por një gjë ta dini.  Emrat tuaj kanë me mbet në faqet e errëta të historisë. Të secilit prej jush. Një nga një” shkroi ai në Facebook

Një ditë më parë, ai akuzoi deputetët e VMRO-DPMNE në parlament që sipas tij ka ndërmarrë një politikë të paramenduar duke përfshirë edhe aktorë politik shqiptarë për dobësimin e shqipes.  


Lajmi kryesor:

'Provim i drejtësisë në gjuhën shqipe', studentët shqiptarë protestë në Shkup: Shqipja s'negociohet, Mickoski të dorëhiqet! Hoxha: Gjuha, e drejtë themelore (VIDEO)