Bejazi nga Ankara ka vetëm një javë që ka nisur studimet bachelor në Universitetin Aleksandër Moisiu të Durrësit. Leksionet për “Menaxhim Biznesi” i ndjek në anglisht, teksa tregon arsyen pse zgjodhi Shqipërinë.

“Përpara se të bëja zgjedhjen, isha shumë e kujdesshme të ndiqja një universitet që njihet ndërkombëtarisht, dhe UAMD i plotëson plotësisht këto kritere”, thotë ajo.

Edhe Ahmeti ka ardhur nga Antalia për të ndjekur studimet në Durrës.

“Kam zgjedhur të studioj Menaxhim Marketingu. Jam shumë i lumtur që vendosa për këtë universitet, pasi është i njohur në vendet e Bashkimit Europian”, shprehet ai.

Rektori Shkëlqim Fortuzi tregon se kjo degë është hapur për herë të parë këtë vit në bashkëpunim me Universitetit portugalez të Bragancës. Gjithashtu ofrohet mundësia për të marrë diplomë ndërkombëtare edhe në Psikologji dhe Punë Sociale.

 “Risi këtë vit është fakti që nga gjashtë diploma duale që ishin më parë, do të jenë aktive 15 diploma duale. Vazhdon puna intensive për të diversifikuar ofertën akademike. Studentët do të pajisen me dy diploma, do të marrin njohuri teorike dhe praktike, duke u formuar sipas standardeve europiane, me qëllim që t’i shërbejnë tregut të brendshëm dhe atij ndërkombëtar’, tha rektori i universitetit Shkëlqim Fortuzi.

Degët e tjera të preferuara janë Hoteleri-Turizëm, Informatika Kuantike dhe Komunikim & Marketing Dixhital.

“Në një farë mënyre, po sjellim universitete europiane në Shqipëri, dhe diploma që do të marrin tek UAMD dhe tek universiteti partner do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës dhe do t’i ndihmojë në integrimin në tregun europian’, tha rektori i universitetit Shkëlqim Fortuzi.

Për vitin akademik 2025-2026, në Universitetin Aleksandër Moisiu janë regjistruar ne total 1,900 studentë ose 10% më shumë se vitin e kaluar.