Studimi/ Botohet libri i parë
për esenë shqiptare

Studimi/ Botohet libri i parë<br />për esenë shqiptare
TIRANE- Përpjekja  e parë e për të sistemuar esenë shqiptare, duke kërkuar tekste eseistike, aty ku duken edhe aty ku nuk duken, shënohet me daljen në dritën e botimit të librit “Eseistika” (sprovë) të studiuesit Tonin Çobani. “Termi eseistikë në gjuhën shqipe është një sajesë e paqartë deri në fund, -thotë autori i këtij libri, -duke argumentuar se; përndryshe eseistikë do të thotë një letërsi që nuk është as letërsi shkencore me kuptimin e plotë të fjalës, as fiction, as kritikë letrare në kuptimin e ngushtë profesional të fjalës, e as thjesht publicistikë”. Kjo gjini vjen që nga antikiteti. Esetë janë vërtetë një zhanër i rrallë, dhe këtë e ndjejmë me intuitë, kur ato janë tronditëse e rrjedhin mesazhe aktuale, në çdo kohë që mund të jenë shkruar.

Ndaj merita e autorit është se ka nisur rrugën i pari që të hulumtojë e studiojë në vijën historiografike zanafillën e këtij zhanri, esenë, “që kosovarët i thonë dhe eseu”, shprehet autori i këtij libri. Natyrisht për nevoja të shkollës, në punën e tij si pedagog në Universitetin e Shkodrës, Tonin Çobanit i është dashur të lexojë e përshkruaj faqe të tëra të eseve të lëvruara në epoka të ndryshme, për t’i lënë një vend të nderuar në historinë e letrave shqipe edhe esesë shqiptare. Studiuesi Çobani thotë se e ka një arsye të fortë që ia nisi kësaj pune, “ngaqë eseja është lëvruar, por nuk është studiuar si gjini më vete”. Ndaj, pas një pune hulumtuese 4-5-vjeçare me këtë libër, Tonin Çobani, hedh themelet e kërkimit të lëvrimit nëpër kohët historike të esesë shqiptare.

Ai ka zbuluar dhe ka shënjuar në këtë libër herën e parë të ndeshjes së termit ese në tekstin shkollor të Justin Rrotës “Letratyra shqype”, Shkodër 1934. Por eseja ka qenë e lëvruar më parë, edhe pa nevojën e përcaktimit të termit. Kështu Çobani ia ka nisur studimeve me “Çetën e profetëve të Bogdanit”, me veprat eseistike të De Radës e Zef Jubanit, Dora D’Istrias, Pashko Vasës, Aristidh Kolës, Faik Konicës, Mitrush Kutelit, etj. Me qasje të argumentuara saktë, ky libër bëhet i domosdoshëm për të mësuar se çfarë është eseja dhe si u lëvrua veçanërisht eseja shqiptare.

“Jo çdo shkrim mund të emërtohet me këtë term”, thotë studiuesi Çobani. Ndaj përcaktimin e termit ese do ta bënte të pagabueshëm leximi i këtij libri, sepse siç thotë autori “në të vërtetë, në përgjithësi, as intelektualët e letrave dhe vetë autorët që përpiqen ta kultivojnë esenë nuk i kanë të qarta rregullat që përcaktojnë një tekst si të tillë”. Në brendësi të librit, Tonin Çobani merret me klasifikimin e eseve, historinë e lëvrimit dhe, pasi ka bërë këtë rrugëtim studimor, ai trajton me shembuj konkretë edhe esetë e disa prej personaliteteve më të spikatura të letrave shqipe.

Ai e ka hartuar tekstin e këtij libri, pasi ka hartuar në programin e tij të kërkimit një antologji, të cilën e nis me përkthyesin e parë të Biblës në gjuhën shqipe, me Shën Jeronimin, dhe vjen deri në ditën e sotme. Pasi krijohet një përkufizim më i qartë me lëvrimin  e esesë në kohët antike nga Ciceroni te Shën Jeronimi, Çobani tregon se lëvruesit e esesë janë të shumtë, ku përfshihen edhe shkrimtarët si Fishta dhe Kadareja apo edhe Pashko Vasa. Ndërsa Samiu, Çabej dhe Rugova vinin nga radhët e shkencëtarëve, ku ndër ta mund të përfshihet sipas studiuesit edhe Fan Noli.

“Eseistë të mirëfilltë ishin Pashko Vasa, Konica dhe Noli. Ata shkruan ese në gjuhë të huaj, ndoshta më parë se të shkruanin shqip ose paralel; vetëm Konica vetëdeklarohej si shkrimtar esesit”. Duket se historishkrimi i esesë shqiptare ndjek një rrugë tepër të gjatë, gjë që Tonin Çobani e argumenton më së miri në kapitullin 3 të librit Eseistika, “Fillesat retorike: Ciceroni, Jeronimi i Ilirisë...”. Çobani shkruan në këtë libër edhe për ata që i quan “latinistë të tjerë shqiptarë”.
 

Shkrimi u publikua sot (16.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane