Studimi/ Rasti i parë me COVID-19 në Evropë, në muajin dhjetor

Studimi/ Rasti i parë me COVID-19 në Evropë, në muajin dhjetor

Amirouche Hammar tregon foton e tij të marrë gjatë kohës që ishte i shtruar në spital

Shkencëtarët francezë thonë se mund të kenë identifikuar një rast të mundshëm të një personi të prekur nga koronavirusi COVID-19 që daton në muajin dhjetor, rreth një muaj përpara se të konfirmoheshin zyrtarisht rastet e para në Evropë. Ai që mendohet të jetë pacienti i parë i prekur nga sëmundja (në Evropë) është një shtetas frances, i cili nuk kishte kishte pasur ndonjë historik udhëtimesh përpara infektimit.

Në një studim të botuar në gazetën ndërkombëtare mbi “Agjentët Mikrobikë”, mjekët në një spital në veri të Parisit rishqyrtuan kampionët e marrë nga 14 pacientë të trajtuar për pneumoni atipike në fillim të muajit dhjetor dhe në mes të janarit. Mes tyre ishin dhe të dhënat e Amirouche Hammar, një tregtar peshku, rreth të 40-tave me origjinë nga Algjeria, i cili jeton prej vitesh në Francë e që së fundmi nuk kishte pasur ndonjë historik udhëtimesh.

Zoti Hammar i tha agjencisë së lajmeve "Associated Press" se disa javë më parë mjekët e informuan se kishte të ngjarë që në dhjetor, ai të ishte prekur nga COVID-19.

Tashmë i shëruar plotësisht e duke luajtur futboll në kopshtin e shtëpisë së tij, zoti Hammar thotë se ndjehet i "bekuar" që ia doli të mbijetojë.

Gruaja ime u trondit (Fatiha). Tek shihja pandeminë, valën vdekjeprurëse të saj kudo në botë mendoja: jam i bekuar, sinqerisht! Sëmundja nuk njihej asokohe. Kjo është gjëja më e keqe. Mjekët nuk dinin se çfarë të bënin. Për ta ishte një infeksion shumë, shumë i rëndë, kështu ma shpjeguan, por nuk qenë në gjendje ta gjenin çfarë ishte", thotë ai.

Zoti Hammar, i cili vuan nga diabeti, u shtrua në spital me simptoma që mjekët thonë se ishin të ngjashme me ato që manifestohen tek pacientët me COVID-19 në Kinë dhe Itali. Dy nga fëmijët e tij u sëmurën disa ditë pas tij. Kur mjekët rishqyrtuan kampionët e marrë nga zoti Hammar në muajin dhjetor, ata zbuluan se ishte pozitiv ndaj koronavirusin.

Nisi si një kollë e thatë, për rreth një javë. Kisha kollë të thatë gati çdo ditë. Pastaj nisi temperatura e cila rritej çdo ditë derisa shkoi edhe mbi 40 gradë celsius, jam i sigurt. Nuk e mata, por gruaja ime më preku në ballë dhe më tha: digjesh si furrë”, tregon ai.

Profesori Yves Cohen është një nga studiuesit francezë dhe specialist i kujdesit intensiv në periferitë veriore të Parisit, ku jeton zoti Hammar, zonë e cila ka qenë veçanërisht e goditur nga COVID-19, jo vetëm për sa i takon numrit të të prekurve, por edhe vdekjeve.

Zoti Cohen hedh poshtë mundësinë që mostrat e marra nga zoti Hammar të ishin të infektuara. Ai tha se kishin rishqytuar gjithashtu edhe skanerin e tij, pamjet e të cilit ishin të ngjashme me ato të një pacienti me COVID-19.

Kampionët e marrë nga Hammar mund të jenë të jenë të infektuara dhe kjo është arsyeja pse bëjmë disa teste të ndryshme. Kur kryejmë dy teste, nëse mostra është e infektuar, njëri prej tyre jep informacion të pasaktë, por në këtë rast të dy ishin pozitivë. Nuk mund ta shmangim faktin se kemi të bëjmë me COVID-19, pasi skaneri tregonte gjithashtu një gjë të tillë dhe skaneri nuk mund të infektohet", thotë ai.

Sipas të dhënave zoti Hammar nuk duket të ketë infektuar persona të tjerë. Ai u shërua më vonë pas trajtimit me antibiotikë në repartet e kujdesit intensiv. Zoti Cohen dhe kolegët e tij thonë se rezultatet e tyre treguan se mund të ketë shumë raste të tjera të paidentifikuara me koronavirus përpara se sëmundja të zbulohej zyrtarisht në Evropë.

Epidemia ndoshta ka filluar një muaj më përparë sesa mendojmë ne dhe kjo na mundëson të dimë më shumë rreth epidemisë. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se është e rëndësishme që mjekë të tjerë, qoftë në Francë, por edhe në Shtetet e Bashkuara, të kryejnë studime, që po i kryejmë aktualisht, për ta kuptuar më mirë këtë virus. Sa më mirë ta njohësh armikun, aq më efikase përgjigja ndaj tij”, thotë ai.

Disa ekspertë thonë se rezultatet janë interesante, por vështirë të jenë bindëse. Një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i përshkroi gjetjet si "lajme emocionuese" dhe tha se ato mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë evolucionin e COVID-19./VOA

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ton Ton: 08/05/2020 10:42

    Vetem lebot bojn fotografi n spital

    Përgjigju
  • Kafsha: 08/05/2020 08:50

    Nuk eshte rasti i pare! Covid 19 do të thote qe virusi u shfaq në Nëndor të vitit 2018, dmth dy muaj para 2019-ës, prandaj quhet 19. Në të gjithë vitin 2019 ka bërë hatanë dhe nuk na e kanë thënë. Na e thanë tani që është drejt fundit. Plerat!

    Përgjigju
    • Kafsha kesaj rradhe Jam me mendimin e Juaj..: 08/05/2020 10:59

      Mese e vertete ,,ngaqe nje lloje Epidemie Si kjo e kalova vete ne kete Muaj Nendore te 2018..dhe me mbajti deri nga mezi i Marsit 2019.. Dhe mu rikthye perseri ,,por perseri pa asnje lloje Mjekimi me kaloi per gati tre jave.. Se mendoja se eshte ftohje Gripe normal ,dgevase pake me i forte nga Grupet e tjera ,,qe i pata kaluar per nje jave..

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen