Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie kujdestare sipas modelit të Maqedonisë së Veriut dhe konsensusi për reformën zgjedhore ishin ndër kërkesat e përfaqësuesve të opozitës në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, e nisi fjalën e tij me akuza ndaj qeverisë, duke iu drejtuar komisioneres europiane për Zgjerim, Marta Kos.
“Mirë se erdhët në Tiranë, në atë që konsiderohet si zemra e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë”, tha Këlliçi.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, vuri në pikëpyetje mënyrën se si po zhvillohet procesi i integrimit, duke kërkuar zgjedhje të lira e të ndershme, lista të hapura dhe konsensus për reformën zgjedhore.
“Shqiptarët e mbështesin anëtarësimin në BE. Pyetja është nëse ky proces është një mundësi historike për popullin apo demagogji dhe përfitim për të mbajtur pushtetin në dëm të interesave shqiptare. A është në shërbim të qytetarëve? A duhet anëtarësuar Shqipëria në bazë të meritës apo të kontrollohet nga krimi i organizuar?”, tha Mediu.
Ndërsa Tedi Blushi i Partisë së Lirisë u ndal te fondet europiane për bujqësinë, duke akuzuar qeverinë se për shkak të korrupsionit fermerët shqiptarë janë privuar nga 336 milionë euro.
“Partia e Lirisë mbështet integrimin që kërkon shtet të së drejtës, luftë kundër krimit dhe korrupsionit dhe respektim të lirive themelore. Bllokimi i fondeve europiane, mosaktivizimi i IPARD III u ka mohuar fermerëve shqiptarë 336 milionë euro për tre vjet. Kur korrupsioni bllokon reformat dhe u mohon shqiptarëve ndihma, nuk është integrim, por sabotim i integrimit”, tha Blushi.
Lajmi kryesor:
Këshilli Kombëtar i Integrimit, Marta Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë! Balla apel për konsensus për reformat: BE, destinacioni i përbashkët! Tabaku: Integrimi të mos përdoret si fasadë








