Studimi: Sindroma e zemrës së thyer ekziston, mësoni se cilët janë më të prekur

Studimi: Sindroma e zemrës së thyer ekziston, mësoni se cilët janë më të prekur

Foto ilustruese

Një gazetar i Daily Mail, Michael Mosley ka treguar se sindroma e zemrës së thyer ekziston bazuar në disa studime dhe se janë më të prekur më shumë burrat se sa gratë.

Ai ka treguar edhe historinë e tij personale.

Kur isha në fillim të viteve 20, gruaja kishte dalë me mua për më shumë se tre vite dhe në fund më la për një person tjetër.

Unë isha i shqetësuar, i zemëruar, i stresuar dhe shkruaja shumë poezi të këqija.

Edhe pse isha jashtëzakonisht keq për disa muaj, më në fund e kapërceva atë dhe në asnjë moment nuk mendova se do të vdisja nga një zemër e thyer.

Por mund të jetë ndryshe nëse gruaja ime Clare, me të cilën jam martuar për më shumë se 30 vjet, do të vdiste para meje. 

Sepse rezulton se vërtet mund të vdesësh nga një zemër e thyer.

Është e rrallë, por ekziston një gjendje mjekësore e quajtur sindromë e zemrës së thyer, e cila mund të shkaktohet nga stresi emocional intensiv, siç është refuzimi ose vdekja e një të dashuri.

Dhe nëse keni qenë së bashku me partnerin tuaj për një kohë të gjatë, jeni veçanërisht të prekshëm.

Muajin e kaluar, kritiku letrar dhe filozofi George Steiner vdiq në moshën 90 vjeç. 

Vetëm dhjetë ditë më vonë vdiq edhe gruaja e tij, Zara Steiner, e cila ishte një akademike e shkëlqyer, që ishte martuar me të për 65 vjet. 

Në mënyrë të ngjashme, pak para Krishtlindjes vdiq historiani Sir Michael Hoëard. Partneri i tij Mark, me të cilin ishte në shumë dekada, vdiq disa muaj më vonë. 

Po çfarë po ndodh?

Cilat janë shanset që nëse dikush që keni qenë në një lidhje me shumë vite do të vdiste, ju do ta ndiqnit me shpejtësi? 

Stresi i humbjes mund të shkaktojë fryrje të zemrës 

Unë kam thënë tashmë që sindroma e zemrës së thyer tani njihet si e vërtetë, dhe jo thjesht një mendim poetik. 

Në fakt, ajo ka një emër tjetër, më teknik, por patjetër më pak romantik: kardiomiopatinë takotsubo, ose TTS. 

Ishin studiuesit japonezë në vitet 1990 ata që identifikuan për herë të parë këtë shkak të stresit të dështimit të papritur të zemrës dhe ata që i dhanë një emër. 

Takotsubo është një fjalë japoneze që do të thotë 'kurthi oktapod'. 

Dikush që vuan nga sindroma e zemrës së thyer zakonisht do të zhvillojë një fryrje të madhe në barkushen e majtë, një nga dhomat kryesore të zemrës.

Kjo e bën zemrën e të sëmurit  të duket paksa si shishet me fund të rrumbullakët dhe me qafë të ngushtë të përdorura tradicionalisht nga peshkatarët japonezë për kapjen e oktapodëve.

Askush nuk është plotësisht i sigurt pse ndodh kjo gjendje. 

Por mendohet se është shkaktuar nga një ngjarje e madhe emocionale, e cila nga ana tjetër çon në një rritje të papritur të madhe të hormoneve të stresit. 

Këto hormone rrisin presionin e gjakut dhe pulsin, të cilat mund të shtrembërojnë formën e zemrës.

Simptomat mund të përfshijnë dhimbje të forta në gjoks dhe gulçim,  por shumica e pacientëve bëjnë një rikuperim të plotë pa shumë dëme afatgjata.

Kur shkaku i stresit largohet, zemra zakonisht kthehet në formën e saj normale.

Por fryrja e papritur mund të jetë vdekjeprurëse, sepse barkushja e majtë është përgjegjëse për pompimin e gjakut të oksigjenuar rreth trupit tuaj.

Nëse shtrembërohet, nuk do të funksionojë  dhe kjo mund të çojë në një sulm në zemër. 

Normalisht, sulmet në zemër shkaktohen nga një mpiksja e gjakut dhe më pas bëhet bllokimi në një nga arteriet koronare që furnizojnë gjak në zemrën tuaj.

Në sindromën e zemrës së thyer, megjithatë, nuk ka shenja bllokimi ose dëmtimi të arterieve koronare.

Nuk ka trajtim specifik për sindromën e zemrës së thyer, por pacientëve mund t'u ofrohen ilaçe për dështimin e zemrës për të ulur presionin e gjakut.

Një shoqja ime, Sally, më tha që disa vjet më parë ajo ishte në shtëpi në Londër kur ajo mori një telefonatë nga babai i saj, i cili jetonte në Yorkshire.

Ajo mori vesh që  nëna e saj kishte vdekur papritur nga një sulm në zemër.

Sally paketoi shpejt disa gjëra, u fut në makinën e saj dhe hipi në Yorkshire për të qenë pranë babait të saj.

Por kur arriti në shtëpinë e tyre, ajo gjeti një ambulancë jashtë.

Babai i saj sapo kishte vdekur, nga një sulm në zemër.

Shumica prej nesh do të pësojë një goditje zemre në një moment. Por sa është mundësia që të na vrasë?

Në vitin 1969, studiuesit rekrutuan 4,486 burra që i kishin vdekur të shoqet, të moshës 55 e më të vjetër dhe i ndoqën për shumë vite.

213 vdiqën brenda gjashtë muajve nga vdekja e grave të tyre. 

Studime të tjera kanë bërë jehonë për keto gjetje.

Është interesante se kur bëhet fjalë për gratë, nuk ka ndonjë rritje të dukshme të normave të sulmit në zemër ose vdekje nga ndonjë shkak pasi partnerët e tyre të vdisnin. 

Sidoqoftë, studime të tjera sugjerojnë që po aq gra, nëse jo më shumë, preken nga ndryshimet fizike të sindromës së zemrës së thyer, por pastaj shërohen.

Pse është kështu? 

Ka shumë teori, por një nga shpjegimet më të mundshme është se në një marrëdhënie afatgjatë shpesh janë gratë që mbajnë lidhjet me miqtë dhe familjen. 

Kur partneri i saj vdes, një burrë shpesh do të bjerë në një gjendje depresioni të thellë, duke lënë pas dore miqtë, të njohurit dhe familjet dhe duke izoluar veten. 

Gratë nuk janë vetëm më të mirë në ruajtjen e miqësive të tyre, por ata janë më të gatshëm të kërkojnë ndihmë kur ndjehen të shtypura nga humbja e tmerrshme. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë