Një tjetër pikë e trajtuar sot në ‘Studio Live’ nga të ftuarit ish-zv/ministri i Energjetikës, Ilir Bejtja dhe gazetari Fatos Çoçoli, ka qenë dhënia e dritës jeshile nga qeveria për Jared Kushner për projektin e ishullit të Sazanit si investitor strategjik.
Një nga detajet e reja të zbuluara ka qenë edhe vlera e projektit, ku pritet të jetë mbi dyfish nga ajo fillestare dhe të shkojë në të paktën 1,4 mld dollarë. Bejtja e cilësoi pozitiv këtë investim për vendin, pasi zhvillon turizmin dhe ekonominë, hap vende pune dhe i shërben të ardhmes, teksa hodhi poshtë zërat se ky ishull ishte pikë strategjike mbrojtëse.
Ish-zv.ministri theksoi se investitori më i madh strategjik nuk bëhet dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, sepse aktualisht mbahet nga ‘Calik” i ‘Kurum” me 500 mln euro dhe më tej ‘Marina Bay” me mbi 2 mld dollarë, por e cilësoi gjithashtu të rëndësishëm.
“Pjesët e investitorëve strategjikë u janë dhënë shumë të tjerëve, nuk vijnë këtu t’i marrin në kurriz dhe të ikin. Nuk duhet trajtuar kështu. Investitori më i madh strategjik në Shqipëri është Calik, turk, 500 mln euro, ai është më i madhi. Nuk ka gabim që të kemi investitor strategjik. Nuk është projekti më i madh apo investitori më i madh strategjik, kemi Marina Bay në Durrës që shkon në 2,2 mld. Mendoni edhe sesa vende pune krijohen. Uroj që të bëhet edhe 2 mld ky investim, edhe më mirë për ne. Shyqyr që vjen me 1,4 mld”, tha ai.
Kurse për idenë se ishulli ishte pikë mbrojtëse për vendin ai e kontestoi, duke thënë se në Sazan nuk do jetë e ndaluar të shkohet.
“Ne e kemi parë si porta e zjarrit ndaj agresioneve Sazanin, por tani nuk kemi më agresion. I vetmi agresion që kemi është ai i turizmit. A kanë mundësi turistët shqiptarë të shkojnë jashtë? Sigurisht që po, ke lekë shkon ku të mundesh, në Sazan, Vlorë, Sarandë etj. Pra sigurisht që turistët mund të shkojnë atje”, shtoi Bejtja.
Ndërsa gazetari Fatos Çoçoli vlerësoi se ky investim gati trefishohet nga projekti fillestar, por shprehu rezerva se edhe pse hap 1 mijë vende pune dhe zhvillon turizmin, nuk duhet të jepej i gjithë, por të ndiqej praktika e Singaporit, ku të kombinohej edhe me hapësira të tjera.
“Sipas Reuters, investimi për Sazanin, nga 500 mln euro apo dollarë, shkon në 1,4 miliardë. Mund të jetë më i madhi. 1 mijë vende pune për investimin në Sazan. Ka marrë 4,5 km katrorë. Nuk duhej t’i jepej e gjitha, mund të përdorej për gjëra të tjera, zyra, natyrore, se është pikë strategjike. Unë dua që turisti të rrijë në Sazan gjatë gjithë vitit, me projekte të caktuara, si ‘time share’, ku të jepet gjatë gjithë kohës për shërbim”, tha ai.
Lajmi kryesor: