DIVJAKE- Shiu i dendur, mbrëmjen e së mërkurës, (24 tetor) shoqëruar me stuhi ka dëmtuar kulturën e patates në fushat e Divjakës. Për shkak të strukturës ranore të tokës, kokrrat e patates, ende në zhvillim kanë dalë në sipërfaqe. Shumë degë e lastarë janë thyer nga era e fortë.
Fermerët sot po rikuperojnë dëmet, duke mbuluar patatet e dala në sipërfaqe. Ata shprehen se asnjë prej tyre nuk e ka të siguruar prodhim nga fatkeqësitë natyrore dhe as s’kanë shpresë për dëmpërblim nga shteti.
“Po detyrohemi t’i mbulojmë me dhe se ato jeshilosen nga dielli dhe prishen” thotë fermeri.
“Karrotën e pataten i ka dëmtuar më shumë. Bujqësia kështu është, ‘bujqësi pa çati’ tregon një tjetër.
“Prodhimin nuk kemi mundësi ta sigurojmë në kompanitë e sigurimit. Na ka bërë dëme shumë, ka zbuluar kokrrat. Nuk presim rendiment këtë vit dhe as ndihmë, veç jemi me sytë nga Zoti”, thanë ata.
Ndërsa për karrotën që aktualisht është në vjelje, fermerët thanë se “s’ka shitje, pasi grosistët kanë futur në treg karrotën e importuar nga Turqia”.
Këtë vit bujqësor në Divjakë janë mbjellë 400 hektarë me patate, siperfaqe më e madhe se vitet e tjera, ç’ka do të thotë se edhe humbjet do të jenë të mëdha.