Tirana u zgjua këtë të shtunë nën ujë. Prej ditës së premte vendi ynë u godit nga ‘Ciaran’.

Stuhia e pazakontë e shiut që përfshiu vendin ka lënë pas rrugë e biznese të përmbytura në kryeqytet.

Bizneset rreth lumit të Lanës këtë mëngjes i kishin ulur qepenat. Edhe ato janë përfshirë nga përmbytjet. Elizabeta Rushiti tregon se ka rreth 3 milionë lekë dëm në biznesin e saj me rroba të përdorura.

“Me ato ushqehemi, paguajmë taksat. Brenda 1 minute u mbush dyqani full. Rrobat janë lagur shumë, i kam hedhur. Edhe këpucët nga ana tjetër. Rreth 3 milionë lekë”, thotë ajo.

Me një situatë të tillë tregon se është hera e parë e parë që përballet dhe thotë se thirrjeve për ndihmë nuk I është përgjigjur 112.

“Ka qenë shumë keq. Kam marrë emergjencën dhe nuk ka ardhur. Pompat nuk funksiononin. I kam nxjerrë me kova”, vijon Rushiti.

Kjo agjenci turistike po në të njëjtën zone është totalisht e prekur dhe e përmbytur.

“Marrim në telefon 128, 112. Na u mbytën bodrumet, garazhet, dyqanet. Asnjë s’ka ardhur. Asnjë se ka vra mendjen fare. Dyqanet këtu njëherë kanë mbaru gjithë po doli edhe sot. Do përmbyten gjithë pallatet”, tha pronari i agjencisë turistike.

Në rrugën e Elbasanit një tjetër biznes veshmbathjesh u prek nga stuhia. Pusetat e bllokuara u bënë shkak për përmbytjet e këtij ambienti tregtar sipas pronares.

“U mbush plot me ujë dyqani. Thirra zonjën që më ndihmoi një shoqja ime. E nxorëm jashtë. Do i lutem komunales, duhet të pastrojnë gjethet se i lënë aty ku janë. I kemi hap vetëm me dorë”, tregon një tjetër pronare.

Ky qytetar tregon i tronditur video nga telefoni i tij sesi në pak orë dyqani i tij me atlete u përmbyt  i gjithi.

“Në këtë koment nga rruga, hyri i gjithë uji nga brenda”, shprehet ai.

Shiu dhe breshëri i dendur  që vijuan edhe përgjatë të shtunës kanë nxjerr në pah edhe problematikat me disa rrugë për shkak të infrastrukturës së amortizuar.

Rrugë të përmbytura pati në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, Don Boskos, Kombinatit, Astirit, Yzberishtit dhe rruga që të çon për te spitali i Traumës.

Niveli i Lanës u rrit sërish të shtunën nga intensiteti i reshjeve , por nuk ka rrezikuar daljen e saj nga shtrati si një ditë më pare.

Rruga dytësore Tiranë -Durrës në akse të veçanta të saj ka shfaqur problematika me përmbytjet. Përgjatë rrugës  disa pemë e biznese ishin dëmtuar ndërsa makinat të jepnin përshtypjen sikur po notonin në ujë.

Grupet e punës janë  duke punuar për zhbllokimin e dhjetëra segmenteve e bizneseve të përfshira nga përmbytjet. Kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj u ka kërkuar qytetarëve bashkëpunim që të minimizojnë lëvizjen me automjete që rrugët të jenë të lira për vinçat dhe ekskavatorët.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:18
Bizneset përreth ‘Lanës’ të përmbytura! Pronarja: Dëmi i shkaktuar deri në 300 mijë lekë

Reshjet e dendura të shiut që përfshinë vendin ditën e djeshme, kanë shkaktuar dëme të shumta edhe në kryeqytet.

Bizneset rreth lumit ‘Lana’ janë përmbytur. Në foto shihet situata e shkaktuar në një prej bizneseve ku shiteshin rroba të vjetra.

Sipas pronares së biznesit Elisabeta Rushiti, dëmet e shkaktuara kapin shifrën e 300 mijë lekëve të reja, duke u shprehur se një pjesë të madhe të mallit të saj e ka hedhur.