Stuhia 'Ciaran'/ Në Tiranë përmbyten dhjetëra biznese! Probleme në akse rurale e furnizim me energji! Prishet ura, izolohen 34 familje në Panarit

Stuhia 'Ciaran'/ Në Tiranë përmbyten dhjetëra biznese! Probleme në akse rurale e furnizim me energji! Prishet ura, izolohen 34 familje në Panarit

Përmbytjet

Përpos Tiranës, stuhia 'Ciaran' ka përfshirë disa rajone të vendit, si Lezha, Elbasani, Korça dhe Dibra. Probleme kryesisht ka pasur në rrugë rurale të cilat u bllokuan ose kaloheshin me vështirësi për shkak të rrëshqitjes së dherave. Mijëra banorë mbetën pa drita në Elbasan dhe Korçë. 

Prej ditës së djeshme vendi ynë u godit nga stuhia ‘Ciaran’ që tashmë ka goditur pjesën më të madhe të Evropës duke shkaktuar dëme të shumta dhe viktima, por sot intensiteti ka qenë më i ulët se ai i një dite më parë.   

Tiranë reshjet e dendura të shiut mesditën e sotme rikthyen në Tiranë për pak kohë problemin e përmbytjeve dhe trafikut të rënduar. Shiu dhe breshëri i dendur që vijuan prej ditës së djeshme kanë dëmtuar dhjetra biznese e rrugë të kryeqytetit. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se po punohet për riparimin e urës.

Në Korçë reshjet e shiut dhe stuhia e mbrëmjes së të premtes krijoi probleme në rrjetin elektrik të Korçës. Rreth 5600 familje janë pa energji elektrike në gjithë qarkun, ndërsa përroi ka marrë përpara urën e fshatit Panarit, duke lënë në izolim 34 familje.

Në Elbasan nga bllokimi i kanalizimeve disa rrugë të qytetit u mbuluan nga uji, duke krijuar vështirësi në qarkullim. Rrëshqitje dherash pati në disa akse si Elbasan-Qafë Thane, Gramsh-Moglice, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Sterbleve, ku qarkullimi kryhet me vështirësi. Janë dëmtuar linjat elektrike duke lënë në terr qindra banorë të fshatrave në Peqin, Cërrik, Librazhd dhe Gramsh. Ndërsa në fshatin Kusarth është rrëzuar muri rrethues i një banese,  duke dëmtuar rrugën dhe kabujt elektrik.

Në Lezhë ra 50 mm shi, shoqëruar me erë. Krahas detit të trazuar me dallgëzim të lartë, reshjet e dendura të shiut përmbyten rrugët dhe shëtitoren në Shëngjin dhe Kune. Shumë fshatra në qarkun e Lezhës janë pa energji elektrike.

Edhe segmenti që lidh qytetin e Klosit me Rrugën e Arbrit është dëmtuar. Nga vërshimi i ujit është çarë asfalti.Policia Rrugore njofton qytetarët e bashkive Klos dhe Mat, që duan të lëvizin në drejtim të Tiranës të ndjekin aksin e vjetër Klos-Burrel-Ulëz. Ndërsa Rruga e Arbrit është e kalueshme, por duhet treguar kujdes në bajpasin e Murrizit ku herë pas here ka rrëshqitje dherash.

Gjirokastër për shkak të reshjeve të dendura është bllokuar aksit rrugor që lidh qytetin e Gjirokastrës me fshatrat Karjan, Mingul dhe Gjat. Emergjencat Civile po punojnë për hapjen e aksit. 

Përmet një grup prej 23 turistësh të huaj u evakuuan pa probleme, pasi u bllokuan në hyrje të kanionit të Langaricës për shkak të prurjeve të shumta të lumit.

Nga ulja e ndjeshme e temperaturave në vend nisën reshjet e para të dëborës. Në Kukës, Dibër dhe Kolonjë bora zbardhi malet.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:34
Situata nga moti i keq, Ministria e Mbrojtjes: Po punohet për riparimin e urës në Panarit

Ministria e Mbrojtjes përditësuar të dhënat për situatën e krijuar nga moti i keq në të gjithë vendin. Ministria e Mbrojtjes thotë se po punohet për hapjen e aksit që lidh Gjirokastrën me fshatrat Karjan, Mingul, Gjat.

Ndërkohë, po vijon puna për riparimin e urës që u dëmtua në fshatin Panarit, ku 34 familje kanë mbetur të izoluara.

“Ekipet e Emergjencave Civile dhe efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë pa u ndalur angazhimin për menaxhimin e situatës së krijuar nga moti i rënduar, ku fatmirësisht nuk ka zgjerim të hartës së zonave të prekura.

Në qarkun e Gjirokastrës po punohet për kthimin në normalitet të aksit rrugor që lidh qytetin e Gjirokastrës me fshatrat Karjan, Mingul dhe Gjat i bllokuar për shkak të reshjeve të dendura. Në qarkun e Korçës, po punohet me intensitet për riparimin e urës që u dëmtua në fshatin Panarit.

Me vëmendje maksimale po ndiqet situata në qarkun e Dibrës dhe Lezhës, ku për shkak të reshjeve që vijojnë me intenstet të lartë ka bllokime rrugësh.

Angazhim maksimal për të shmangur çdo rrezik për jetët njerëzore e gjënë e gjallë.  Grupet e punës të OSHEE vijojnë të jenë në terren për eliminimin e defekteve dhe rilidhjen e energjisë në zonat e thella”, njofton ministria.

Ora 18:18
VIDEO/ Mbetën të bllokuar prej motit të keq, dalin pamjet kur ndihmohen 23 turistët te banjat e Bënjës

 

23 turistë janë shpëtuar nga autoritetet e emergjencës pasi mbetën të bllokuar te banjat e Bënjës në Përmet. Policia njofton se pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, pas 2 orësh punë intensive, turistët janë nxjerrë  nga automjetet e tyre në vendin ku kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në banjat e Bënjës, nga reshjet e shiut. Turistët janë transportuar dhe janë akomoduar në hotel, në qyetin e Përmetit, ku janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i policisë

Punonjësit e Policisë, shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Emergjencave Civile iu shkojnë në ndihmë, në mesnatë, 23 turistëve gjermanë, polakë dhe francezë, të cilët kishin mbetur të bllokuar te banjat e Bënjës, për shkak të motit të keq.

Paraditen e sotme, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me ato të Emergjencave Civile, bënë të mundur dhe nxjerrjen e automjeteve dhe dorëzimin e tyre te turistët, të cilët mesditën e sotme kanë vijuar lëvizjen për në destinacionet e radhës që do eksplorojnë në vendin tonë.  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Emergjencave Civile, mesnatën e djeshme, kanë marrë njoftim se gjatë eksplorimit të natyrës, me këmbë dhe me automjete, 23 turistë kanë mbetur të bllokuar, në vendparkimin e zonës së quajtur “Banjat e Bënjës”, në Përmet, pasi automjetet e tyre nuk qarkullonin dot për shkak se rruga ishte prishur si pasojë e daljes së lumit, nga moti i keq.

Pavarësisht reshjeve të shumta të shiut, pas 2 orësh punë intensive, turistët janë nxjerrë  nga automjetet e tyre në vendin ku kishin mbetur të bllokuar, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në banjat e Bënjës, nga reshjet e shiut. Turistët janë transportuar dhe janë akomoduar në hotel, në qyetin e Përmetit, ku janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu, paraditen e sotme, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me ato të Emergjencave Civile, bënë të mundur dhe nxjerrjen e automjeteve të turistëve, që ndodheshin në vendparkimin e banjave të Bënjës. Automjetet iu janë dorëzuar turistëve të cilët kanë vijuar lëvizjen për në destinacione të tjera në vendin tonë.

Turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe shërbimet e Emergjencave Civile, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë, duke iu shpëtuar jetën dhe duke iu dorëzuar automjetet e tyre.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112. 

Ora 14:31
Stuhia/ Ndalohet edhe nesër dalja në det e varkave dhe anijeve të peshkimit

1699104969_det.PNG

Duke marrë shkas nga moti ekstrem që ka sjellë stuhia “Ciaran”, Drejtoria e Përgjithshme Detare ka njoftuar masat e marra për lundrimin në det.

“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në Republikën e Shqipërisë gjatë datave 05.11.2023 duke filluar nga ora 06:00 datë 05.11.2023 era do jetë me drejtimin Jug-Jug-Lindje, forca e detit deri 6-8 bft, shpejtësia e erës do jetë  15-30 m/s, dhe lartësi dallge deri 2-3m.

Si rezultat i kushteve të përkeqësuara të motit Drejtoria e Përgjithshme Detare ka marrë masat e më poshtme:

1.Është ndaluar dhënia e leje - nisjes gjatë datës 05.11.2023 duke filluar nga ora 06:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit.

2. Janë njoftuar mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që  të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuara dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre.

3.Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar  për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 22:00 datë 05.11.2023”,- thuhet në njoftim.

Ora 14:15
Era e fortë shemb murin rrethues të një banese, rrëzohet edhe shtylla që mbante kabujt elektrikë në fshatin Kusarth të Elbasanit

 

Në afërsi të fshatit Kusarth të Elbasanit, muri rrethues i një banese është shembur dhe ka marrë para edhe një shtylle që mbante kabujt e internetit dhe kabujt elektrikë. 

Pavarësisht se është bllokuar një pjesë e madhe e rrugës, makinat shfrytëzojnë krahun tjetër duke kaluar me vështirësi. 

 

Ora 13:24
Elbasan, reshjet e shiut shkaktojnë përmbytje në disa segmente rrugore

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të disa segmenteve në rrugët e qytetit të Elbasanit. 

Si pasojë është vështirësuar qarkullimi i automjeteve në rrugët kryesore të qytetit. Rruga pranë urës së Shkumbinit është pothuajse totalisht e mbuluar nga uji. 

Ora 13:00
VIDEO/Pak minuta shi dhe përmbyten rrugët në Tiranë, gruaja zbathur e këpucë në dorë kalon ujin, e ndihmon polici!

 

U desht vetëm pak minuta shi i dendur dhe shumë rrugë në Tiranë janë tashmë nën ujë.  Zonat më problematike janë ato tek ish Parku  i Autobusëve, “komuna e Parisit” “Don Bosko’’ Casa Italia’

Në një video të mbërritur në redaksinë e Report Tv një polic ndihmon një grua të kapërcejë rrugën e cila është e mbushur me ujë. Por më parë gruaja ka hequr këpucët e çorapet dhe po kalon zbathur rrugën.

 

Ora 12:27
FOTO+VIDEO/ Tirana sot mes reshjeve të dendura të shiut e trafik të rënduar

Reshjet e dendura të shiut vijuan mesditën e sotme në Tiranë. Prurjet në lumin Lana janë rritur dhe niveli është në kufijtë e saj. Ende nuk ka dalë nga shtrati por nëse reshjet vijojnë rrezikon të përsëritet situata e mesditës së djeshme.

Reshjet kanë krijuar trafik të rënduar. foto LSA 

 

Ora 12:26
Vendi i përfshirë nga stuhia 'Ciaran', Rama thirje qytetarëve: Shmangni lëvizjet e panevojshme deri në normalizimin e situatës

1698867907_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka shprehur mirënjohjen ndaj ekipeve të punës për menaxhimin e situatës së krijuar pasi vendi u përfshi nga stuhia ‘Ciaran’ që ka prekur edhe vende të tjera të Evropës.

Rama shkruan se ekipet e punës, vijojnë të jenë në terren për parandalimin e pasojave si dhe u bën thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në normalizimin e situatës.

‘’Mirënjohje të gjithë ekipeve që kanë punuar pa reshtur gjatë natës për menaxhimin e situatës së krijuar nga moti i rënduar, ndërsa vazhdojnë të jenë në terren në gjithë vendin për parandalimin e pasojave.

Një apel edhe ndaj qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në normalizimin e situatës duke shtuar kujdesin’’- shkruan Rama në reagimin e tij.

 

Ora 12:04
VIDEO/Reshjet e dendura të shiut, përmbyten disa segmente të rrugës dytësore Tiranë-Durrës

 

Reshjet e shumta të shiut që përfshinë edhe kryeqytetin ditën e sotme kanë sjellë përmbytje të disa bizneseve dhe të segmenteve të rrugës dytësore Tiranë-Durrës. 

Për pasojë janë krijuar pellgje me ujë, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks. 

Ora 11:45
Ministria e Mbrojtjes: Strukturat e emergjencës në mobilizim të plotë, po punohet për zhbllokimin e rrugëve dhe rilidhjen e energjisë elektrike

1699094907_mbrojtja.PNG

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe një situatë kaotike në të gjithë vendin duke aktivizuar plotësisht strukturat shtetërore, ekipet e emergjencës, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, punonjës të drejtorive vendore të rrugëve, zjarrfikës dhe policinë të cilët kanë punuar në terren për të garantuar qarkullimin pa vështirësi të qytetarëve dhe automjeteve.

Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi zyrtar ka garantuar mobilizim të plotë të strukturave shtetërore gjatë këtyre orëve kritike.

“Mbrojtja” bën me dije se në kryeqytet, situata është përmirësuar ndjeshëm, ndërkohe që po punohet në segmentin rrugor Bënçë-Lekdush, në vendin e quajtur “Uji i Varur”, bashkia Tepelenë, në aksin rrugor Picar- Golem, për zhbllokimin e rrugëve nga inertet.

Ndër të tjera, ministria njofton se një grup prej 23 turistësh të huaj u evakuuan pa probleme, pasi u bllokuan në hyrje të kanionit të Langaricës për shkak të prurjeve të shumta të lumit.

Në disa akse rrugore në Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat e Korçë po punohet për pastrimin e rrugëve. Ndërsa ekipet e OSHEEE po mundësojnë rilidhjen e energjisë në disa zona të thella të Gjirokastrës, Vlorës, Beratit, Fierit, Korçës, Dibrës e Elbasanit.

Ora 11:43
VIDEO/Stuhia me erë të fortë dhe reshje të dendura shiu rrëzon pemën në rrugën dytësore Tiranë-Durrës

Si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve të dendura të shiut, është rrëzuar një pemë në rrugën dytësore Tiranë-Durrës. 

Fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar, pasi pema është rrëzuar në anë të rrugës. Qarkullimi vijon i pandërprerë deri në orët e mesditës. 

Ora 10:54
Reshjet e dendura të shiut në Korçë, 5600 familje pa energji elektrike

 

Rreshjet e shiut dhe stuhia e mbrëmjes, krijoi probleme në furnizimin elektrik në Qarkun e Korçës, ku prej orësh dhjetra fshatra dhe më tepër se 5600 familje janë pa energji elektrike. Sipas infotmacioneve nga OSHEE, grupet e punës janë prej orësh në terren për të bërë te mundur rikthimin e energjisë.

Më të prekura nga ndërprerjet e energjisë elektrike janë Bashkitë Pogradec dhe Maliq. 

Sipas informacioneve zyrtare nga OSHEE Korçë, 139 abonentë zonat rurale: Zona Strelcë, Strelcë, Velçan dhe Popçisht janë pa energji elektrike.

Energjia elektrike u shkëput edhe në fshatrat Orman, Sheqeras, Rëmbec dhe terovë të Bashkisë Maliq, ku 1500 abonentë të kësaj zone janë pa energji elektrike. Gjithashtu dhe 900 familje në zonat rurale të qytetit të Korçës, së bashku me 150 të tjerë në qytet janë pa energji elektrike.  Fshatrat Mollas, Panarit dhe Zona Clirim kanë më tepër se 440 familje pa energji elektrike. Ndërsa situata më e rëndë është në degëzimin e Malit të Thatë në Fshatin Petrushë, ku më shumë se 2472 familje ndodhen pa energji elektrike. Nga një kontakt me përfaqësues së OSHEE Korçë, na është bërë e ditur se për situatën dhjetra grupe pune janë në terren, po për shkak të problemeve të krijuara nuk dihet saktësisht kur përfundimisht do të zgjidhet kjo situatë. 

Ora 10:23
VIDEO/Dëmtohet ura e fshatit Panarit në Korçë, bllokohen 34 familje

 

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut është dëmtuar ura e fshatit Panarit në bashkinë Korcë i njësisë administrative Vithkuq. Për pasojë kanë mbetur të bllokuara 34 familje. Ndërkohë ekipet ndodhen në terren për hapjen e rrugës.  Në këtë zonë ka pasur edhe rrëshqitje të dherave. 

Ora 10:22
Përmbyten rrugët ne Shëngjin, dallgët e detit dëmtojne sërish shëtitoren në Kune

 

Moti i keq me reshje të dendura shiu ka krijuar probleme edhe në Lezhë. Sipas të dhënave zyrtare të Mbrojtjes Civile, deri në orët e paradites të së shtunës kanë rënë rreth 50 mm shi të shoqëruara me erë, duke krijuar situatë problematike në zonën turistike të Shëngjinit.

Krahas detit të trazuar me dallgëzim të lartë, reshjet e dendura të shiut përmbytën disa zona në Shëngjin. Kanalizimet nëntokësore nuk e përballuan nivelin e prurjeve, duke bërë që uji të dalë në sipërfaqe në qendër të qytetit, rrugës e përgjatë shëtitores dhe në atë të Kunes.

Niveli i ujit në disa pika arriti deri në 40 cm, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësoreve dhe automjeteve.

Gjithashtu nga moti i keq në Lezhë vijon të jetë i pezulluar lundrimi për të gjitha mjetet, ndërsa probleme ka dhe me furnizimin me energji elektrike kryesisht në fshatra. Grupet e punës të OSHEE ndodhen në gadishmeri dhe po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë në zonat ku ka probleme.

Ora 10:00
Korçë/ Reshje të dendura gjatë gjithë mbrëmjes, uji vërshon rrugët e qytetit! Disa fshatra pa energji elektrike (VIDEO)

KORÇË- Rreshjet e orëve të fundit kanë qenë intensive por sipas informacioneve të siguruara deri në këto momente fatmirësisht deri tani nuk janë shkaktuar permbytje.

Sa i perket furnizimit me energji elektrike gjatë mbremjës për shkak te erës se forte kanë mbetur pa energji fshatrat e njësisë administrative Vithkuq ndërsa në bashkinë e Maliqit njesia administrativr moglicë fshatrat Popcisht dhe Kucakë.

Gjithashtu pa energji elektrike kane qene edhe fshatra të njësisë Administrative Leskovik ndersa në bashkinë e Pogradecit  fshatra të Njësisë Administrative Dardhas.

Të gjitha grupet e punes ndodhrn ne terren dhe do të bëjnë të mundur riparimin e çdo defekti për tu furnizuar me energji të gjitha fshatrat e lartpërmendura.

Ora 09:47
Moti i keq në Shkodër, fshatrat në disa njësi administrative pa energji elektrike! Zhbllokohen 3 segmentet në rrugën e Thethit

1699038091_thethrruge.png

SHKODËR- Të tre segmentet e bllokuara ditën e djeshme nga shembjet e dheut ne rrugen e Thethit tashmë janë të lira për qarkullim.

Niveli i reshjeve të shiut ka qene 20 mm.

Deri tani nuk ka informacione për probleme në sistemin e kullimit, nivelet janë në kuota të ulëta.

Nga OShE, bëhet me dije se:

Fidri Gjegjan Nst Fushe Arrez 892 abonente pa energji

Fidri 2 Nst Ças 652 abonente pa energji

Fidri Kelmend Nst Vukpalaj 1318 abonente pa energji.

Gjithashtu ka abonentë pa energji edhe në zonën e Ramzës.

Ne momenin e stuhive qe ndodhin ne zona te ndryshme , per shkaqe sigurie jemi te detyruar te bejme stakime emergjence per arsye qe mos te kemi

Ne bashkinë Pukë vazhdon te ketë reshje te dendura shiu,  fshati Buzhale ka nderprerje te energjise si pasoje e demtimit te kabines elektrike , nderprerje te energjise  kanë dhe Njesitë Administrative Rrape dhe Gjegjan.

Ne Bashkine Vau Dejës

Probleme janë shfaqur në njësitë administrative Bushat, Temal dhe Shllak ku nuk ka energji elektrike në pjesën më të madhe të fshatrave.

Në njësinë administrative Bushat ka shkeputje te energjise elektrike here pas here ne fshatin Bushat dhe Barbullush, Njesia admin.Hajmel nuk ka probleme, Njesia Admins.Vig Mnele ka renie guresh ne fshatin Mnele e madhe, ndersa ne Njesite Administrative Temal dhe Shllak nuk ka energji elektrike ne te gjitha fshatrat e njesive.

Ora 08:47
Ishin bllokuar në Kanionin e Langaricës, zjarrfikësit shpëtojnë 23 turistët e huaj në Përmet

Dalja nga shtrati i lumit në Kanionin e Langaricës si pasojë e rreshjeve me intesitet të lartë ka shkaktuar gjatë natës bllokimin e 23 turistëve në parkimin në hyrje të Kanionit të Langaricës.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe policore në operacion bëri të mundur shpëtimin dhe nxjerrjen e turistëve  dhe të mjeteve  në parkun e përmbytur. Gjatë kryerjes së operacionit  të kërkim - shpëtimit, që zgjati për rreth dy orë, nuk pati asnjë të lënduar. Turistët u  evakuan dhe u transportuan me mjetet e bashkisë e të policisë për t’u strehuar në hotelet e qytetit

Turistët ishin të kombësive të ndryshme (Francezë, Gjermanë e Polakë).

B.V/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • pensionisti..: 04/11/2023 14:34

    shqiperia si venecia,,,na rrofsh o edi rama,,kemi qejf te dalim ne rrugd...

    Përgjigju
  • Alb: 04/11/2023 14:18

    Shtet i falimentum, as per ver as per dimer se ke.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Finlandë, babagjyshi niset me slitë nga fshati i tij  për shpërndarjen e dhuratave përreth botës

VIDEOLAJM/ Finlandë, babagjyshi niset me slitë nga fshati i tij për shpërndarjen e dhuratave përreth botës