Sufle me dardha

Përbërësit:

  • 2 lgj gjalpë ose margarinë
  • 4-5 dardha të mëdha
  • 1/3 filxhani sheqer
  • 2 lugë gjelle lëng limoni
  • 4 të verdha vezësh
  • 3 lugë çaji niseshte misri
  • 1/2 filxhani krem qumështi
  • 1 lugë çaji lëkurë limoni e grirë
  • 1/4 lugë çaji vanilje
  • 4 të bardha vezësh
  • 1/4 filxhani sheqer

Përgatitja:

Largoni nga dardhat pjesën e brendshme të bërthamës dhe një pjesë të dardhave pritini në 7 feta të holla rrumbullake dhe pjesën tjetër priteni në feta të holla. Në një tigan me fund të trashë shkrini gjysmën e gjalpit. Shtoni gjysmën e sheqerit, gjysmën e lëngut të limonit dhe dardhat e prera në feta. Kaurdisini pa kapak derisa të avullojë pothuajse i gjithë lëngu. Lyeni me gjalpë një tavë pjekjeje dhe shtroni dardhat e kaurdisura. Rrihni të verdhat e vezëve derisa të zbardhen. Shtoni kremin e qumështit, niseshtenë, lëkurën e limonit dhe vaniljen, duke i rrahur derisa të bëhen një masë homogjene. Në një enë tjetër rrihni të bardhat e vezëve derisa të fryhen. Shtoni pak nga pak sheqerin e mbetur dhe vazhdoni rrahjen derisa të formohet një marengë e fortë. Bashkojeni me kujdes marengën me përzierjen e të verdhave dhe hidheni mbi dardhat në tavë. Në të njëjtin tigan vendosni gjalpin e mbetur, sheqerin e mbetur, lëngun e limonit dhe fetat e rrumbullakëta të dardhave. Kaurdisini derisa të avullojë lëngu dhe të karamelizohen lehtë. Vendosini fetat e dardhës në mënyrë simetrike mbi suflenë dhe piqeni në 180°C për rreth 30 minuta. Spërkateni me pak sheqer pluhur dhe shërbejeni menjëherë.