Sullivan shpreh shqetësimin për mobilizim serb në kufirin me Kosovën, thekson rëndësinë e dialogut

Sullivan shpreh shqetësimin për mobilizim serb në kufirin me Kosovën, thekson rëndësinë e dialogut

Këshilltari i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan

1696073149_888.jpg

Këshilltari i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan shprehu të premten në një telefonatë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën.”

Sipas një njoftimi për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, zoti Sullivan “përcolli ngushëllimet për humbjen e jetës së policit të Kosovës të vrarë në krye të detyrës gjatë sulmeve të dhunshme të 24 shtatorit”

Telefonata me kryeministrin Kurti u bë në të njëjtën ditë kur zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti "të pashembullt".

“I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes,” shtoi ai.

Në bisedën me kryeministrin Kurti, zoti Sullivan përmendi vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e KFOR-it, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët në mënyrë që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij.

“Zoti Sullivan dhe kryeministri Kurti diskutuan për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që zoti Sullivan theksoi se është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi si inkurajuese bisedën me këshilltarin Sullivan.

“E falënderova atë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sigurinë kufitare të Kosovës dhe i kërkova ndihmë të shtuar kundër planeve luftarake të Serbisë. E sigurova zotin Sullivan për bashkëpunimin e vazhdueshëm të policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për të mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur”, shkroi kryeministri Kurti.

 

Ndërkohë po të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pati një bisedë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç me të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit”.

Zoti Blinken tha se Serbia duhet të shoqërojë uljen e menjëhershme të tensioneve me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit (të marrëdhënieve me Kosovën) në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian./VOA


Lajmi kryesor:

Qeveria e Kosovës: Serbia ka vendosur afër kufirit artilerinë e rëndë e sisteme kundër-ajrore! Thirrje Vuçiç: Tërhiq menjëherë trupat ushtarake


M.T/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Nga ulja 30% e taksës mbi ndërtesën, pezullimi i financimit të inceneatorit, Teliti prezanton 27 amendimet e PD për buxhetin e Tiranës

Nga ulja 30% e taksës mbi ndërtesën, pezullimi i financimit të inceneatorit, Teliti prezanton 27 amendimet e PD për buxhetin e Tiranës