Qeveria e Kosovës: Serbia ka vendosur afër kufirit artilerinë e rëndë e sisteme kundër-ajrore! Thirrje Vuçiç: Tërhiq menjëherë trupat ushtarake

Qeveria e Kosovës i kërkon institucioneve të Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiç të tërheqë menjëherë të gjitha trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën. Në një reagim të saj të së shtunës në mbrëmje, (30 shtator 2023) thotë se Serbia ka vendosur kapacitetet ushtarake në 48 bazat e përparme afër kufirit me Kosovën dhe se në to janë vendosur edhe sistemet kundërajrore e artileria e rëndë.

Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë' thuhet në deklaratën e qeverisë së Kosovës

Qeveria thotë se po ndjek me vëmendje dhe vigjilencë zhvillimet e fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

 “Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës thotë se vendosja e ushtrisë serbe afër vijës kufitare me Kosovën është hapi i radhës i Beogradit pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiç. Prandaj i bëjnë thirrje Presidentit Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë të tërheqin menjëherë trupat ushtarake nga vija kufitare dhe të demilitarizojnë bazat e përparme ushtarake dhe ato të xhandarmërisë

"I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm. Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiç, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës" thuhet në deklaratë.

Edhe SHBA e BE kanë shprehur shqetësimin për dislokimin e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, të shtunën (30 shtator) është vërejtur lëvizja e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës.

Trupa serbe u shfaqën në kufi me Kosovën rreth një javë pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, (24 shator 2023) ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku, sulm të cilin e mori në përgjegjësi Millan Radoiçiç, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe. Ky i fundit sipas mediave serbe është marrë sot në pyetje nga autoritetet atje.

Ndërkohë policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme ushtarake në Zveçan.

Shtëpia e Bardhë ka zbardhur edhe telefonatën që Jake Sullivan, këshilltari për Çështje të Sigurisë Kombëtare zhvilloi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Sullivan theksoi vendimin e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë veçanërisht në veri dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij. Në njoftim, thuhet se Sullivan dhe Kurti diskutuan edhe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin zyrtari amerikan theksoi se është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën.

Për kryeministrin Albin Kurti provat zbuluan hapur se Serbia sponsorizoi situatën në veri. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Vetëvendosjes, Kurti kërkoi ekstradimin e terroristëve që ikën nga mali dhe nga ndërkombëtarët shpalljen terroristë të dy organizatave serbe ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’.

“Në Republikën tonë nuk ka vend për terroristë, përveçse para drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur tinëz malit e që janë strehuar nga Serbia, të ekstradohen në Kosovë sa më parë. Gjithashtu, organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ tashmë ka prova e argumente të mjaftueshme të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike”, vijoi Kurti.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:03
Osmani takon komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it, flasin për sigurinë në veri dhe vijën kufitare me Serbinë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në lidhje me sigurinë në Kosovë, me theks të veçantë në veri dhe vijën kufitare me Serbinë.

“Presidentja Osmani falënderoi komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it për bashkërendimin dhe bashkëpunimin e afërt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, ajo mirëpriti vendimin e NATO-s për te shtuar numrin e ushtareve në kuadër të KFOR-it si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Më tej, Osmani tha se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t’i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.

Kujtojmë se sot, Osmani ka takuar edhe komandantin e FSK-së, gjeneral Bashkim Jasharin, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.

Ora 19:39
Familjarët marrin trupat e terroristëve serbë të vrarë në Banjskë

Trupat e tre terroristëve serbë të vrarë në Bansjkë të Zveçanit iu dorëzuan sot familjarëve.

Në Institutin për Mjekësisë Ligjore në Prishtinë është bërë autopsia e trupave të tre serbëve të vrarë në sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë afër Zveçanit.

“Ajo që mund të them është se autopsia ka përfunduar. Identifikimi është çështje e prokurorisë. Raportet ende nuk janë kompletuar”, tha drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti.

Familjet e serbëve të vrarë raportohet se i tërhoqën trupat e të afërmve të tyre në orën 14:00. Policia e Kosovës ka qenë e vendosur afër vendit ku janë dorëzuar trupat.

Dy nga të vrarët do të varrosen nesër në Leposaviç, ndërsa tjetri do të varroset në Banjë të Serbisë.

Ora 19:32
Qeveria e Kosovës thirrje Serbisë e Vuçiç: Tërhiqni menjëherë të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën

Qeveria e Kosovës bën thirrje presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjithë trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën si dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë të cilat paraqesin kërcënim të përhershëm për Kosovën.

Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiç, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë” thuhet në deklaratën e qeverisë së Kosovës.

 

Reagimi i plotë i Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Republikës së Kosovës me vëmendje dhe vigjilencë është duke ndjekur zhvillimet e fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës.

Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.

Shumë herë kemi ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe kemi theksuar faktin, tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ShBA-të dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i ShBA-ve ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë.

I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm.

Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës.

Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë.

Ora 19:29
Sulmi në Banjskë, Policia e Kosovës: Sekuestrohen edhe një arsenal tjetër armësh në Zveçan

 

Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armëve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme ushtarake.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se sot është vërë kontrolli i terrenit që përfshin fshatin Brezne – Zveçan.

“Policia e Kosovës në vazhdën e realizimin të detyrave dhe aktiviteteve policore, pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në fshatin Banjskë, ka vazhduar kontrollin dhe krehjen e terrenit të asaj zone, e cila ishte shfrytëzuar nga sulmuesit terrorist”.

“Sot me datën 30.09.2023, është bërë kontrolli i terrenit që përfshin fshatin Brezne – Zveqan, pjesën malore të cilën e kanë shfrytëzuar sulmuesit, i cili ka rezultuar me gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të armëve të rënda, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se janë konfiskuar antiplumb, karikator me 30 fishek, kapelë dhe doreza, maskë ngjyrë e gjelbërt, maskë tjetër, antiplumb me tre karikator dhe 90 fishek, çantë e vogël për brez, pjesë e sipërme e uniformes, antiplumb me 3 karikator dhe 85 fishek, armë e gjatë me 5 karikator me nga 30 fishek, një rrip, dy karikator me nga 30 fishek, armë e gjatë dhe dy karikator të pistoletës me nga 15 fishek, gjoksore ngjyrë e zezë me 5 karikator nga 30 fishek dhe një granat dore, armë e gjatë me pesë karikator me nga 30 fishek,  armë e gjatë me pesë karikator me nga 30 fishek, armë e gjatë me një karikator me 30 fishek,  armë e gjatë me një karikator me 30 fishek,  radio lidhje motorol,  zollë, kapelë ngjyrë ushtarake,  një antiplumb me një karikator dhe 30 fishek,  një karikator, radio lidhje, xhakete shiut dhe një pako me cigare.

 

Ora 18:40
Ambasadori britanik në Beograd: Serbia t’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë! Shumë pyetje ende s’kanë përgjigje

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Serbi, Edward Ferguson, ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin tha se shumë pyetje ende janë pa përgjigje.

Ferguson tha se disa nga pyetjet që ende nuk kanë përgjigje janë se kush ishin sulmuesit, si arritën të hynin me një arsenal të tillë armësh dhe çfarë planifikonin të bënin.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Serbia tani të kontribuojë në një hetim të plotë dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë. E kuptoj që emocionet janë të larta nga të gjitha anët, por ajo që na duhet dëshpërimisht tani është përgjegjësia dhe vetëpërmbajtja”.- tha Ferguson.

“Nuk ka asnjë justifikim për sulmet ndaj policisë që ndodhën të dielën. Në të njëjtën kohë, duhet të pranojmë se kjo nuk ndodhi në vakum, por në kontekstin e tensioneve të shtuara në terren, e gjitha për shkak të dështimeve serike për të arritur përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Ferguson për mediumin serb Nova.

Tutje, Ferguson tha se dialogun nën patronazhin e BE-së është vendi kyç ku duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet mes Kosovës e Serbisë.

“Tensionet e pazgjidhura mes Beogradit dhe Prishtinës janë, nga të gjitha çështjet, ndoshta pengesa më e madhe për zhvillimin ekonomik të këtij rajoni. Të gjithë mund t’i shohim pasojat në formën e daljes jashtë vendit të një numri të madh të rinjsh”.

“Ajo që kanë treguar edhe ngjarjet e fundjavës së kaluar është se kjo nuk është vetëm një çështje e rëndësishme, por edhe urgjente. Për këtë arsye i bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti që t’i kthehen dialogut në frymën e kompromisit dhe në interes të të gjithë njerëzve në këtë rajon dhe më gjerë në Evropë”, tha ai.

Ora 16:23
Sulmi në Banjskë, Radoiçiç merret në pyetje nga autoritetet serbe

1695841461_millanradoii.jpg

Sot në orën 10:00 Milan Radoiçiç, organizator i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, i shoqëruar nga avokati i tij ka hyrë në ambientet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të dhënë deklaratë si qytetar për rrethanat e ngjarjes tragjike në Banjskë.

Sipas mediave serbe Ministria e Punëve të Brendshme thekson se në formë raporti do të njoftohet Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila do të ndërmarrë masa dhe veprime të mëtejshme procedurale në kompetencë të saj.

Ora 16:16
Mediat: Pas presionit nga SHBA, Serbia nis tërheqjen e trupave ushtarake nga kufiri me Kosovën

Pas shqetësimeve të ngritura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për dislokimin e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, të shtunën është vërejtur lëvizja e një autokolone ushtarake në jug të Serbisë, nga drejtimi i Vranjës në drejtim të Nishit, afër qytetit të Predejanës.

Qyteti i Predejanit ndodhet 300 kilometra në jug të Beogradit dhe rreth 100 kilometra nga pikëkalimi më i afërt kufitar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Merdarë. Siç po raporton Radio Evropa e Lirë, kolona me automjete të ushtrisë serbe, rreth mesditës ka lëvizur nga jugu në veri të vendit.

Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor. Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Ora 16:03
Presidentja Osmani mesazh Vuçiçit: Toger i Millosheviçit, s’do të lejojmë zhbërjen e arritjeve tona

1696009310_vjosaosmani.jpg

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se mbi dy dekada pasi Sllobodan Millosheviç shkatërroi Kroacinë, Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën, tash presidenti serb, të cilin Osmani e quan toger i Vuçiçit, po përpiqet të zhbëjë gjithçka që është arritur në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në.

Osmani ka thënë se Kosova do të punojë më aleatët dhe s’do të lejojë që të zhbëhet paqja, liria dhe bashkëjetesa mes komuniteteve.

“Liria do të mbizotërojë”, ka shkruar presidentja Osmani.

“Mbi 2 dekada pasi Millosheviçi shkatërroi Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën,  togeri i tij Vuçiç tani po përpiqet të zhbëjë gjithçka që kemi arritur së bashku me SHBA-në dhe BE-në, paqen, lirinë dhe bashkëjetesën mes bashkësive të ndryshme. Ne do të punojmë me aleatët tanë dhe nuk do të lejojmë që këto arritje të zhbëhen. Liria do të mbizotërojë!”, ka shkruar presidentja Osmani.

Ora 15:48
Ambasada e Kosovës në SHBA nderon policin Afrim Bunjaku

1696082019_222233.jpg

Ambasada e Kosovës në SHBA, ka nderuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili humbi jetën në një përplasje me grupin e armatosur serb në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Në ceremoninë e organizuar në godinën e ambasadës së Kosovës në SHBA, ishin prezent pjesëtarë të komunitet shqiptar në SHBA, ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shqipërisë, Gjeneral Major Arben Kingji dhe Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati.

Ora 15:27
Ushtria serbe në kufi me Kosovën, revoltohet ish-ministri gjerman: Ku dreqin është BE-ja?

Ish-ministri gjerman për Evropën dhe deputeti i Bundestagut, Michael Roth, ka reaguar pas ngritjes së shqetësimeve nga SHBA-ja për shtimin e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

Me anë të një postimi në rrjetin social X, Roth duke e etiketuar Vuçiç ka ironizuar presidentit serb me pyetjen “pyes nëse ky është kontributi juaj për de-eskalim, paqe dhe pajtim”.

Ora 14:05
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë: Në prapavijën e sulmit në Zveçan mund të jetë një mbështetje e madhe

1696075633_369.jpg

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur se pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku, mund të jenë disa struktura dhe një mbështetje jo e vogël.

Në një intervistë për BBC, Havonier theksoi se sasia e lartë dhe kalibri i jo i thjeshtë i armëve të gjetura tregojnë se “sulmuesit serbë etnikë nuk i siguruan ato vetë”.

“Tani, po ashtu, ne e dimë se një individ i cili ishte nënkryetar i njërës nga partitë serbe në Kosovë, për të cilin dihet se ka marrë pjesë në ngjarje me zyrtarë të lartë serbë, njoftoi përmes avokatit të vet se ai ishte organizator i kësaj ngjarjeje dhe se ai ishte i pranishëm”, tha Hovenier duke iu referuar Millan Radoiçiqit, nënkryetarit të deritanishëm të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

 

Ndër të tjera, diplomati amerikan ka theksuar se SHBA në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës dhe jo vetëm, po punon për zbulimin e organizatorit të aktit terrorist serb në Zveçan.

“Pra, ne ende po punojmë për ta gjetur se kush ishte saktësisht përgjegjës. Por, tani dimë më shumë rreth kësaj dhe jemi të shqetësuar për atë që ndodhi”, -deklaroi Hovenier.

Ora 13:40
Përfshirja ruse në Banjskë, në fazën e hetimeve

1695558684_ushtarserbzvecan.jpg

Provat e siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës janë pjesërisht të mjaftueshme për të pretenduar përfshirjen ruse në sulmin në Banjskë, thotë për Radion Evropa e Lirë Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë.

Sipas tij, sulmuesit mund t’i kenë siguruar armët ruse nga ndonjë furnizim i mëhershëm i kontraktuar nga Serbia me Rusinë, por jo pa dijeninë e shtetit serb.

Në variantin tjetër, thotë Ibishi, armët dhe pajisjet ruse mund të kenë ardhur drejtpërdrejt nga furnizimi i rusëve për operacionin e grupit në Banjskë.

Në rast se ky supozim vërtetohet si fakt, ai thotë se një gjë e tillë do ta përfshinte në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjësinë ruse për sulmin.

Të dyja variantet, thotë Ibishi, kërkojnë hetim, të cilin autoritetet kompetente të Kosovës nuk mund ta bëjnë vetë.

“Për këtë duhet një bashkëpunim dhe këmbim i informacioneve me shërbimet e inteligjencës së vendeve mike”, thotë ai.

Anton Quni, anëtar i Komisionit parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, thotë se nga armët e konfiskuara në Bansjkë, supozohet se një pjesë e tyre janë me prejardhje nga Rusia.

“Tani, se si janë siguruar ato, nëpërmjet institucioneve ushtarake apo janë gjetur në tregun e zi... Kjo është një çështje me të cilën do të duhej të merren organet e hetuesisë. Jam i bindur që me përpunimin e të arrestuarve, do ta mësojmë shumë shpejt edhe këtë fakt”, thotë Quni.

Cilat janë provat e deritashme për përfshirjen ruse?

Sulmi në Banjskë - pjesa veriore e Kosovës - ka ndodhur në natën mes 23 dhe 24 shtatorit, kur grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet që kanë pasuar janë vrarë edhe tre sulmues, ndërsa Policia e Kosovës ka thënë se ka konfiskuar një sasi enorme të armatimit.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Radoiçiq nuk ka vepruar i vetëm, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit e ka mohuar përfshirjen e shtetit serb në sulmin në Banjskë.

Sveçla ka thënë se në njërën prej dhjetëra makinave të kapura në Banjskë “janë gjetur materiale ruse”. Sipas tij, janë gjetur edhe dy motorë katër-rrotësh për terrene të vështira, prodhim i Rusisë.

“Ka edhe informata të inteligjencës për përfshirjen e elementeve që janë drejtpërdrejt të lidhura me Rusinë. Ne, në vazhdimësi, po punojmë në identifikimin e të gjithë këtyre terroristëve... Besoj se shumë shpejt, njësitë tona të specializuara të policisë së Kosovës, por edhe të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, në bashkëpunim me aleatët tanë, do t’i identifikojnë...”, ka thënë Sveçla.

“Ne jemi dëshmitarë se në Nish [të Serbisë] ka një qendër kinse humanitare ruse, e cila dihet botërisht se është qendër inteligjence, përmes së cilës ata përgjojnë të gjithë rajonin dhe në të cilën ka edhe ushtrime të ndryshme - qoftë për inteligjencë, qoftë për veprime në terren... dhe besojmë se edhe kjo qendër është e përfshirë në këtë sulm”, ka shtuar ministri i Brendshëm kosovar.

Pas incidentit në Banjskë, Kremlini ka thënë se është duke e vëzhguar nga afër gjendjen në veri të Kosovës, por nuk e ka dënuar sulmin.

Të nesërmen e sulmit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko.

“Jam mirënjohës që [ambasadori rus] i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram më 25 shtator, por nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.

Rusia vs. Ballkani

Kremlini ka demonstruar në mënyrë të vazhdueshme se rajoni i Ballkanit është një mjedis i favorshëm për të, për t’iu kundërpërgjigjur Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Rusia vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe ta mbështesë Serbinë në fushatat e saj për çnjohje të Kosovës; ka bërë përpjekje për grushtshtet në Mal të Zi; ka mbështetur udhëheqësit me pikëpamje separatiste në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe ka tentuar ta pengojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Rusia, po ashtu, kundërshton anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor - Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe, për më tepër, Serbisë - në Bashkimin Evropian.

Rusia vs. Kosova

Rusia ka formalizuar praninë e saj diplomatike në Kosovë tre vjet para shpalljes së pavarësisë, në vitin 2005. Asokohe, për hapjen e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë ka qëndruar ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Kosova, atëkohë, është administruar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara dhe kryeadministrator ka qenë Soren Jessen-Petersen.

Veprimtaria e Zyrës Ndërlidhëse Ruse është e shfaqur fare pak në publik.

Në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës shkruan se shef i Zyrës së Ambasadës ruse është Andrej Lissovoj, ndërsa zëvendësshef i saj është Nikolay Rudaev.

Institucionet e Kosovës, në disa raste, kanë shpallur persona të padëshirueshëm diplomatë rusë, duke i detyruar të largohen nga Kosova./REL

Ora 13:25
Borrell: Grumbullimi ushtarak serb në kufirin me Kosovën të ndalet menjëherë

1695999512_josepborrell.jpg

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se grumbullimi i forcave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën është shumë shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë.

“Nuk ka vend për armë dhe forca sigurie të grumbulluara në kontinentin evropian. Forcat duhet të tërhiqen”, tha ai për shtypin duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë pas ngjarjeve të 24 shtatorit, ku u vra një punonjës policie në veri të Kosovës gjatë një sulmi nga një grup i armatosur.

Gjatë përleshjeve që pasuan vrasjen e oficerit të policisë, tre sulmues mbetën po ashtu të vrarë në incidentin më të rëndë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

“Kapja e armëve dhe pajisjeve të javës së kaluar është shumë serioze”, tha Borrell duke nënvizuar se autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë.

Ai tha se është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët situatën aktuale në veri të Kosovës “e cila para së gjithash kërkon shtensionim dhe stabilizim të situatës së sigurisë” dhe blloku është në kontakt të ngushtë dhe të rregullt me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje.

“Ne duhet të kthehemi në një situatë ku palët flasin dhe kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është platforma e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre”, tha zoti Borrell.

Autoritetet më të larta të administratës amerikane ngritën të premten, 29 shtator, shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën”.

Edhe SHBA ngriti shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti "të pashembullt".

Ai tha se ky është një zhvillim shumë destabilizues, që ka ndodhur gjatë javës së fundit duke i bërë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes.

Shqetësimet e ngritura ishin pjesë e bisedës telefonike të këshilltarit të Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit” citon zeri i amerikës.

Ora 13:17
Sullivan shpreh shqetësimin për mobilizim serb në kufirin me Kosovën, thekson rëndësinë e dialogut

1696073149_888.jpg

Këshilltari i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan shprehu të premten në një telefonatë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, shqetësimin për “mobilizimin ushtarak serb pranë kufirit me Kosovën.”

Sipas një njoftimi për shtyp të Shtëpisë së Bardhë, zoti Sullivan “përcolli ngushëllimet për humbjen e jetës së policit të Kosovës të vrarë në krye të detyrës gjatë sulmeve të dhunshme të 24 shtatorit”

Telefonata me kryeministrin Kurti u bë në të njëjtën ditë kur zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti "të pashembullt".

“I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes,” shtoi ai.

Në bisedën me kryeministrin Kurti, zoti Sullivan përmendi vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e KFOR-it, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët në mënyrë që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij.

“Zoti Sullivan dhe kryeministri Kurti diskutuan për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që zoti Sullivan theksoi se është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi si inkurajuese bisedën me këshilltarin Sullivan.

“E falënderova atë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sigurinë kufitare të Kosovës dhe i kërkova ndihmë të shtuar kundër planeve luftarake të Serbisë. E sigurova zotin Sullivan për bashkëpunimin e vazhdueshëm të policisë së Kosovës me KFOR-in dhe se përkushtimi ynë për të mbrojtur të gjithë qytetarët është i palëkundur”, shkroi kryeministri Kurti.

 

Ndërkohë po të premten, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pati një bisedë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç me të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit”.

Zoti Blinken tha se Serbia duhet të shoqërojë uljen e menjëhershme të tensioneve me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit (të marrëdhënieve me Kosovën) në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian./VOA

M.T/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maksi: 30/09/2023 20:30

    Ende reagim zero nga Tirana e Rames porse besnike e linjes per 'zbrazje' te policise se Kosoves dhe "brazje" me KFOR, ne menyre qe ta kene me lehte likuidimin politik te Kurtit. Funderrina komuniste.

    Përgjigju
  • Frika: 30/09/2023 17:33

    Frika nga Nato dhe KFOR dhe nga policia e pergatitur e Kosoves e ka bere qe te largohen pasi do pesonin nje humbje te rradhes ! Serbia humbi ne sulmin perpara disa diteve ku u vra dhe polici Bunjaku, ne fakt Europa e kuptoj qe Serbia eshte vetem nje shtet i vogel , as nuk ka dalje portuale as nuk ka influence madhore dhe tanimē pritet dhe kriza ekonomike prej sanksionesh , kjo terheqje meriton respekt zyrtaret e kosoves dhe aleatet Nato dhe forcat perendimore , ndaj besoj duhet njohje e kosoves pastaj pas njohjes duhet te kete pas njohjes de facto dhe de juris te kete pastaj te behet edhe direkt marveshja reciproke per komunat dhe asosacionet por jo me baze autonomie por si dege e qendrorit vetem me status percaktues , ndaj besoj ballkani duhet te mbeshtetet me fonde (i gjithe 6 vendet ) qe te futen nEU ndryshe do jete zone konflikti! 2024-2025 do ishte inteligjente per EU te integronte ballkanin por 6 vende pa te drejte vote dhe veto deri 2030 kur te kete “final integration” ne kalim pastaj perfundimtar ! Besoj EU ka gabuar shume qe e ka vonuar ballkanin perendimor!

    Përgjigju
    • @Pa frike:: 01/10/2023 10:15

      @Pa frike. U bètè bajat, ju pastrim gjelbèrimi, komunalja e Janullès. NÈ MOS KINI ARMÈ, GJENI, IA RRÈMBENI ATIJ QENI. Shqiptarève, topet iu rruani. Vazhdoni vajtimin kolektiv tani sepse iu prish plani i kishès talebane greke pèr Himarèn. Albin Kurti po tregon me vepra se si duhet vepruar me ata qè provojnè tè shkelin kufirin,,,PLUMBIN BALLIT. Kjo ju bèn juve tè sèmureni. Hè xhan, sèmuru aman, dhe ftillohu ca.!!!

    • Pa frike: 30/09/2023 21:07

      Vuçiç dhe serbia po dridhen nga frika e Policise te Kosoves dhe Albin Kurti, madje jane fshehur ne bunker anti berthamor. Ne nuk dime ende se cfare planesh ka USA per te mbrojtur dhe deri ku do e mbroje kosoven. Te ishte per europen k*ve serbet do ishin sot ne prishtine. Serbet po bejne lojen e Rusit duke e testuar ameriken dhe nese ata i thone qerrohu ikin si lepuj por mos harro se amerikanet kane braktisur vietnamin, afganistanin etj. Miliarda po jepen per Ukrainen por asgje per te rritur kapacitetin ushtarak ne shqiperi dhe kosove. Asnje tank, asnje avion nuk kemi. Nuk luftohet me mjete te blinduara dhe me pushke automatike.

  • Gjergj: 30/09/2023 14:36

    Z.Bordell qènka zgjuar nga gjumi dhe paska dègjuar lajmet. Departamenti i shtetit, deklaronte nè atè moment, pikèrisht kètè qè spanjolli po na e shet si "koordinim veprimesh" me SHBA,,,,ani pse deri dje, fliste pèr "angazhim dypalèsh" pèr zbutje tensionesh, a thua se Kosova kish sulmuar Serbinè, fill pasi Serbia pèrfundojè sulmin e saj ndaj Kosovès. Z.Bordell dhe z Kaçak, i pèrkasin dy shteteve qè nuk njohin egzistencèn shqiptare nè rajon. Kush thotè dhe mendon vèrtetè se kèta tè dy pèrfaqèsojnè europèn, nuk ka haberin fare nga 150 vjet histori europiane. Pèrsa kohè, kam SHBA dhe Anglinè nè krahun tim,,,Bordellèt le tè kèndojnè sa tè duan,,,Rama, bashkè me tè.!!!

    Përgjigju
  • Atlas: 30/09/2023 14:22

    Vuçiç ka për detyrë të lejojë Rusët nga territori serb të testojnë NATOn duke sulmuar Kosovën. Putini analizon reagimin dhe nxjerr konkluzione për t'i përdorur në vendet Baltike.

    Përgjigju
  • Aben: 30/09/2023 12:48

    Edhe rama eshte dakort, por Jo te terhiqet ushtria, por de-eskalim dhe kujdes nga te Dy palet.

    Përgjigju
    • @Endri: 30/09/2023 19:42

      Se si shijon mèngjesi, e pa Serbia, edhe me ndihmèn e Rusisè, me ata kriminelat qè dèrgoi atje. Rana? Gafat e kètij njeriu, fillojnè tek qeverisja e tij e korruptuar,me ministra hajdutè (vetèm Rama nuk di gjè) dhe vazhdojnè me politikèn e jashtme, ku rrumpalla e tij personale, nxjerr dukshèm nè pah faktin qè Shqipèria drejtohet si vènd i botès sè tretè,komplet pa strategji kombètare, vetèm si ti teket bajraktarit. Albin Kurtit, i shkon anash Rama. Prej tij, ai mund tè mèsojè shumè, filluar tek pastèrtia e karakterit, e deri tek dashuria vetèsakrifikuese pèr kombin. Shqiptarèt, nuk i mbani dot pèr leshko. Ata e dinè fort mirè, kush èshtè hajdut, e kush i pastèr.

    • Endri: 30/09/2023 18:28

      Dhe ne fund po vihet te fjalet e Rames. Pa USA dhe BE, Albini yt eshte thjeshte nje kafshate e vogel per mengjes nga Serbia (me Rusine nga mbrapa)

    • Anti- Analisti: 30/09/2023 15:48

      Budallalleqe ! Harxho pak minuta ne shume dhe lexo te zezen mbi te bardhe se cfare thote Rama dhe pak minuta me pak ne cfare mendon too. Nata me diten.

  • Ndergjegja: 30/09/2023 12:44

    Sa sfidues,sa i pa ftyre dhe i korruptuar ky BORDELLO-Borrel i BE....pëëëf.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Shpërndanin drogë në Sarandë e Delvinë, “Arrest në burg” për 12 persona

Shpërndanin drogë në Sarandë e Delvinë, “Arrest në burg” për 12 persona