Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në Stamboll, ku një prokuror ka qëlluar me armë zjarri ish-të dashurën e tij gjykatëse në një seancë gjyqësore.
Incidenti ndodhi në ambientet e Gjykatës Rajonale të Apelit në Stamboll, në një sallë të mbushur plot me njerëz ku prokurori Muhammed Çağatay Kılıçarslan, 33 vjeç, qëlloi mbi gjyqtaren Aslı Kahraman, 45 vjeçe, duke e plagosur në këmbë.
Sipas mediave turke, prokurori po përpiqej të mbushte armën dhe të qëllonte sërish mbi ish të dashurën e tij, por një i burgosur që punonte në gjykatë si kamarier çaji, ndërhyri duke e rrëzuar prokurorin në tokë.
Gjyqtarja u transportua me urgjencë në spital, ku mori ndihmën mjekësore të nevojshme.
Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën ndërsa prokurori u arrestua. Ndaj tij ka nisur hetimi për veprën e “vrasjes së mbetur në tentativë”.
Ai pritet të dalë para gjykatës të mërkurën.
Mediat që raportojnë mbi rastin, sjellin në kujtesë edhe vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit në Shqipëri ndërsa po shqyrtonte një çështje pronësie.
Komente








