Një ngjarje e rëndë tronditi sot Anglinë. Dy djem të mitur u plagosën me thikë brenda një shkolleLondër, ndërsa autori i dyshuar është ende në arrati.

Sulmi ndodhi mesditën e sotme në Kingsbury High School, në zonën Brent të Londrës, në Angli. Policia britanike u njoftua rreth orës 12:40 për një sulm me thikë brenda ambientit shkollor.

Dy nxënës, 12 dhe 13 vjeç, u trajtuan në vend dhe më pas u dërguan në spital nga London Ambulance Service. Njëri prej tyre është transportuar në një qendër të specializuar për trauma. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë publike.

Metropolitan Police konfirmoi se ka identifikuar një të dyshuar, një djalë adoleshent, dhe se kërkimet për kapjen e tij janë në zhvillim. Në zonën përreth shkollës janë angazhuar forca të shumta policore.

Menjëherë pas ngjarjes, shkolla u vendos nw shtetrrethim. Askush nuk është lejuar të hyjë apo të dalë nga ambientet derisa situata të vihej nën kontroll.

Sipas autoriteteve, sulmi ndodhi në pjesën e shkollës ku mësojnë nxënësit më të vegjël, pikërisht ata të moshës 12–13 vjeç. Kingsbury High School është një shkollë e mesme me rreth 2 mijë nxënës.

Deputeti britanik i zonës, Bob Blackman, reagoi publikisht duke thënë se është “i tronditur dhe i pikëlluar” nga ajo që ka ndodhur në shkollë.