Të paktën 90 persona janë vrarë dhe rreth 300 janë plagosur në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve al-Mawasi, në perëndim të Khan Younis, thotë Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës. Mbrojtja Civile e Gazës thotë se zona e synuar ishte caktuar nga forcat izraelite si e ashtuquajtura zonë "e sigurt".

Dëshmitarët treguan se punëtorët e shpëtimit dhe ekipet shëndetësore në vendngjarje janë shënjestruar nga forcat izraelite. Forcat izraelite akuzohen se kanë sulmuar qëllimisht palestinezët e zhvendosur në qytetin e Gazës, ku dhjetëra trupa janë gjetur pas sulmeve në lagjen Tal al-Hawa.

Ndërkaq, një zyrtar izraelit tha se ushtria ka shënjestruar kreun e krahut ushtarak të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zyrtari izraelit tha se shënjestër e sulmit në Han Junis ishte Mohammed Deif, që shumë besojnë se është arkitekti i sulmit që Hamasi kreu më 7 tetor në Izrael, kur u vranë afër 1.200 persona. Ky sulm nxiti luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

Transmetuesi izraelit Kan thotë se Mohammed Deif është në gjendje të rëndë shëndetësore, por një zyrtar i lartë i Hamasit mohon që ai të jetë plagosur. Sipas tij, sulmi tregon se Izraeli nuk është i interesuar për arritjen e marrëveshjes për armëpushim.

"Pretendimet izraelite janë të pakuptimta dhe synojnë të justifikojnë masakrën e tmerrshme. Të gjithë të vrarët janë civilë dhe ajo që ndodhi ishte një përshkallëzim serioz i luftës gjenocidale, i mbështetur nga amerikanët dhe heshtja e komunitetit ndërkombëtar," tha për Reuters Sami Abu Zuhri, një zyrtar i lartë i Hamasit i cili nuk konfirmoi se Deif ishte në Khan Yunis.

Media Ynet raporton se midis të vrarëve në sulmin izraelit në Mawasi ishte Osama Nofal, drejtor i përgjithshëm i ministrisë së ekonomisë së Hamasit në Rrip. Nofal konsiderohej një figurë kryesore e Hamasit në Gaza.

Pas sulmeve, kryeministri Izraelit Benjamin Netanyahu mbajti një takim në selinë e IDF në Tel Aviv, pas sulmit ajror të mëngjesit të sotëm që kishte në shënjestër kreun e krahut ushtarak të Hamasit në Gaza. Në takim ishin Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, Shefi i Shtabit të IDF, gjeneral-lejtnant Herzi Halevi, drejtori i Mossad-it David Barnea, shefi i Shin Bet Ronen Bar, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Tzachi Hanegbi dhe shumë zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe të mbrojtjes.

"Izraeli sulmoi Gazën sot në një përpjekje për të eliminuar Mohammed Deif, por nuk ka siguri absolute absolute nëse ia dolëm”, tha Netanyahu në konferencë.

"Në një mënyrë apo tjetër" Izraeli do të eliminojë udhëheqjen e Hamasit", tha Netanyahu. Në konferencën e tij të parë për shtyp që nga marsi, nga Tel Avivi, Netanyahu tha se "nuk është absolutisht e sigurt" që Mohammed Deif, kreu i krahut të armatosur të Hamasit dhe zëvendësi i tij Rafa Salameh janë eliminuar në operacionin e sotëm nga forcat izraelite në Rripin e Gazës”.

Ndërkohë, Hamasi u bën thirrje palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor që të "mobilizohen" për të protestuar në përgjigje të sulmit izraelit në provincën Khan Younis.

“I bëjmë thirrje të gjitha brigadave të rezistencës që të mobilizohen për Gazën”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga grupi në Telegram dhe cituar nga Al-Jazeera.

Të paktën 38,345 njerëz janë vrarë dhe 88,295 janë plagosur në Gaza që nga 7 tetori. Numri i të vdekurve në Izrael nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor vlerësohet në 1,139, dhe dhjetëra njerëz mbahen ende robër në Gaza.