9 personat thuhet një njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Prokurorisë Speciale të Kosovës synon të krynin një sulm terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri në Shkodër për të zhvilluar ndeshjen futbollistike mes ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor 2016.
Sipas aktakuzës 4 prej të pandehurve me inicialet V.I., B.I., L.V. dhe F.G kanë patur qëllim të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, I cili pak ditë më parë u raportua se kishte humbur jetën në Siri.
Sic edhe mund të lexojmë në aktakuzë këtyre 9 personave iu janë gjendur materiale me të cilat mund të prodhonin lëndë shperthyese.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 9 personave, me inicialet V.I., B.I., L.V., F.G., K.P., A.A., L.G., L.M. dhe B.P.
Sipas aktakuzës, të pandehurit V.I., B.I., L.V. dhe F.G., me qëllim që seriozisht të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë dhe të shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të shteteve të Ballkanit e pastaj në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik, me dashje i janë përgjigjur thirrjes së pjesëtarit të organizatës terroriste ISIS të pandehurit Lavdrim Muhaxheri, që ta kryejnë një vepër terroriste, ashtu që pasi që i njëjti përmes kontakteve të rregullta me të pandehurin V.I., me anë të internetit – aplikacionit Telegram, këtij të pandehurit i ka bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen futbollistike mes ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor 2016.
Me këtë, në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste nga neni 136 paragrafi 1 lidhur me nenin 145 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit A.A. dhe L.G., gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së të pandehurit Lavdrim Muhaxheri me të cilin që të dytë kanë pasur kontakte të vazhdueshme përmes internetit, aplikacionit Telegram, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes me të njëjtin, kanë planifikuar ta bëjnë sulmin terrorist - atentat në ndërkombëtarët ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë, ashtu që i pandehuri L.G., ka filluar të interesohet për blerjen e armëve automatike, për të cilat brenda disa ditëve në vijim i pandehuri, Lavdrim Muhaxheri, përmes njerëzve të tij, ende të paidentifikuar, do t’ia dërgonte të pandehurit A.A., prej shumen 1500 euro.
I pandehuri V.I., në kundërshtim me dispozitat ligjore është furnizuar me 283.1 gram të eksploziv të improvizuar triacetone triperoxide (TAPT), të cilin e ka mbajtur në bodrumin e shtëpisë së tij, e cili materie është gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë me rastin e kontrollit.
I pandehuri K.P., në kundërshtim me dispozitat ligjore në shtëpinë e tij ka prodhuar materie plasëse, ashtu që në një kavanoz qelqi në punëtorinë afër shtëpisë ka mbajtur 500 gram oksidues nitrat amonit ANFO (oxidizer ammonium nitrate) me përbërje të naftës, të cilat kur përzihen në mënyrë të duhur, formojnë eksploziv të improvizuar, i gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë me rastin e kontrollit.
Me këto veprime, secili, veç e veç, kanë kryer veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 372 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri L.G., me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që më 1 nëntor 2013 është nisur nga Aeroporti i Prishtinës dhe ka ateruar në Aeroportin “Sabiha Gokçen” në Stamboll të Turqisë, e pastaj prej Turqisë në mënyrë ilegale ka kaluar në Siri ku i është bashkangjitur grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste Al Nusra, duke marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizatës për dy javë, kurse më 17 nëntor 2013 nga Siria përsëri ka kaluar në Turqi dhe përmes Stambollit me aeroplan ka ardhur në Prishtinë.
Me këtë ka kryer veprën penale Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit L.M. dhe B.P., në shtëpitë e tyre kanë mbajtur në pronësi dhe posedim armë, pjesë të armëve dhe përbërës të armëve, në kundërshtim me dispozitat e ligjit për armë, armë të cilat janë gjetur dhe konfiskuar me rastin e kontrollit nga ana e policisë.
I pandehuri L.M., gjatë muajit tetor – nëntorit 2016 ka pasur takime dhe biseda të vazhdueshme me të pandehurit tjerë dhe përmes internetit, ashtu që ka qenë në dijeni për ekzistimin e një grupi terrorist të përbërë prej të pandehurve V.I., B.I., L.V. dhe F.G., të cilët kanë qenë duke e përgatitur kryerjen e veprës terroriste të përshkruar më lart, por këtë e ka fshehur dhe nuk i ka lajmëruar organet kompetente.
Me këtë, ka kryer veprën penale Fshehja ose moslajmërimi i terroristëve dhe grupeve terroriste nga neni 142 paragrafi 2 lidhur me nenin 385 paragrafi 2 nënparagrafi 2.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com