Bandat e krimit dhe drogës kanë pushtuar me kuptim e plotë të fjalës qytetin e Guayaquil duke sulmuar media, burgje madje edhe tregtarët e thjeshtë të cilët punojnë për të jetuar.
Në këtë situatë te gjithë po jetojnë me frikë por për të mbijetuar tregtarët kanë dalë sërish në punë ndonëse janë gjatë gjithë kohës të shqetësuar për ndonjë sulm nga banditët.
Dina Moreno në një intervistë për BBC është shprehur se ajo nuk mund ta përballojë që të qëndrojë në shtëpi dhe ka vendosru të rikthehet në punë. Ajo shet aksesorë të telefonave celularë në tregun më të madh të mbuluar të Guayaquil dhe si shumë nga pronarët e tjerë të tezgave ka marrë guximin të hapë biznesin e saj.
“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Kur pamë se çfarë po ndodhte në stacionin televiziv dhe dëgjuam të shtëna, të gjithë u çmendën dhe filluan të mbyllnin dyqanet e tyre dhe të përpiqeshin të ktheheshin në shtëpi”, kujton ajo.
Një shitës, Jorge tha se pronarët e tezgave ishin të gjithë të kujdesshëm për njëri-tjetrin nën tendat e bardha të mëdha të tregut, duke mbajtur një sy në rrugë nëse ktheheshin të persona të armatosur aty.
Në mes të kaosit, akti më i paprecedentë i dhunës së bandave ishte në studion televizive TC në Guayaquil, ku njerëz të armatosur morën peng stafin, duke iu drejtuar armët gazetarëve teksa këta të fundit ishin në transmetim direkt.
Në lidhje me këtë sulm prezantuesi Jose Luis Calderon u shfaq duke u kërkuar anëtarëve të bandës që të qëndronin të qetë, edhe pse ata i drejtuan një armë gjahu në kokë dhe i vendosën një shkop dinamiti në xhepin e gjoksit.
“Ndihesha çuditërisht i qetë edhe pse e dija se jeta jonë ishte në rrezik”, tha ai.
Jose Luis përshkroi se si u fsheh në një banjë me disa kolegë kur ata dëgjuan të bërtitura dhe të shtëna me armë zjarri. Por vendi i tyre i fshehjes u zbulua shpejt dhe ata u nxorën jashtë për t’u bashkuar me stafin tjetër, nën kërcënimin e armëve.
“Ata dërguan fëmijë, të armatosur deri në dhëmbë, për të përhapur frikë, pasiguri, ankth dhe kaos. Ata ishin aty për të dërguar mesazhin se thjesht mund të hyjnë dhe të marrin përsipër një nga mediat më të mëdha në vend", tha ai.
Qindra anëtarë të bandës tashmë janë ndaluar nga policia ndërsa rrugët e Guayaquil janë bosh gjatë shtetrrethimit gjatë natës, ditën ato po bëhen më të ngarkuara ndërsa njerëzit vijojnë jetën e tyre si normalisht.
Rreziku është se po shkohet drejt një konflikti të armatosur të rrënjosur dhe se vendi po i afrohet gjithnjë e më shumë shndërrimit në një “narko-shtet” të plotë.