Ministria e Jashtme ka reaguar për sulmet e një dite më parë të Iranit kundrejt Emirateve të Bashkuara Arabe duke shprehur solidaritet të plotë. Në reagimin e postuar në rrjetet sociale theksohet se sulmet janë shkelje e sovranitetit dhe së drejtës ndërkombëtare, ndërsa rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Ministria bën thirrje për uljen e tensioneve dhe rrugëzgjidhje dipomatike.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë sulmet më të fundit me raketa dhe dronë të ndërmarra nga Irani kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat u vunë sërish në shënjestër të një agresioni të egër. Këto goditje të paprovokuara ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë objektet energjetike, përbëjnë një shkelje të qartë të sovranitetit dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Shqipëria qëndron në solidaritet të plotë dhe të palëkundur me Emiratet e Bashkuara Arabe, udhëheqjen e saj dhe popullin e Emirateve, si edhe me partnerët tanë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Sulme të tilla janë të papranueshme dhe rrezikojnë më tej stabilitetin rajonal. Siguria në Lindjen e Mesme ka implikime të drejtpërdrejta për Evropën dhe më gjerë. Prandaj, bëjmë thirrje për përmbajtje, ulje tensionesh dhe një angazhim të ripërtërirë ndaj zgjidhjeve diplomatike.

Shqipëria do të vijojë të punojë ngushtë me partnerët e saj për të promovuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon”, thuhet në postim.