Sulmet kibernetike nga Irani, gati 2 orë mbledhje Këshillit të Sigurimit Kombëtar! Presidenca: Politika dhe shoqëria të bëhet bashkë, aleatët na qëndruan pranë

TIRANË- Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, e thirrur nga presidenti Bajram Begaj, ku në fokus ishte çështja e për sulmet kibernetike. Në mbledhje e cila zgjati për rreth 2 orë, ishin të pranishëm 14 anëtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama. Sakaq të ftuar ishin Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj si dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko. Në mbledhjen e thirrur nga presidenti Begaj munguan ministrat Bledi Çuçi dhe Ulsi Manja, të cilët dërguan zv.ministrat.

Niveli i cenimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse  ishin objekt i diskutimeve të hollësishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Presidenca bëri me dije se këto sulme bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë sonë kombëtare. Presidenca thotë se në takim u vlerësua ndihma e aleatëve, si SHBA, NATO dhe BE dhe u theksua domosdoshmëria e vijimit të bashkëpunimit të ngushtë me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen. 

Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike nga Irani në një kohë të shkurtër brenda pak muajve! Sulmi i parë kibernetik ndodhi në mes të muajit korrik të këtij viti, ku u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat nuk funksionuan për 4 ditë. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Ndërsa më 10 shtator, u sulmua sistemi TIMS. Ky sulm ‘paralizoi’ për disa orë pikat e kalimit kufitar të të gjithë vendit, në Rinas, Kakavijë, e Kapshticë, ku policia hapi regjistrat duke punuar manualisht.

Shqipëria akuzoi Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e teknologjisë së informacionit të qeverisë, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online. Kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet, për shkak të këtij sulmi. Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dënuan sulmin kibernetik ndaj aleatit të NATO-s dhe thanë se kishin arritur në përfundimin se pas tij qëndronte Irani. Kongresmenët amerikanë në SHBA kanë dorëzuar një rezolutë që dënon sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë dhe kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet.

Çfarë është Këshilli i Sigurimit Kombëtar
Ligji për Drejtimin e Forcave të Armatosura përcakton se “Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore”. Këshilli i Sigurimit nuk merr vendime, por ndihmon Presidentin në detyrat e tij kushtetuese.

Cilët janë anëtarët e Këshillit?
Këshilli i Sigurimit përbëhet nga 14 anëtarë dhe kryesohet nga Presidenti i Republikës. Anëtarët e tjerë të tij janë kryetari i Kuvendit, kryeministri, 7 ministra—i mbrojtjes, drejtësisë, punëve të brendshme, financave, transportit, punëve të jashtme dhe energjisë. Anëtarë e tjerë janë Kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Ligji i jep të drejtën Presidentit të  “ftojë pjesëmarrës të tjerë” në mbledhjet e Këshillit, por që nuk gëzojnë të drejtat e anëtarëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:05
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Presidenca zbardh bisedat: Ministrat raportuan, politika të bëhet bashkë

1664985877_1200pxAlbanianpresident.jpg

Presidenca ka zbardhur detajet e bisedës së zhvilluar sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Sipas njoftimit sulmet kibernetike të muajve të fundit, niveli i cenimit të sistemeve elektronike shtetërore dhe masat që janë marrë dhe po merren nga strukturat përgjegjëse  ishin objekt i diskutimeve të hollësishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

“Gjatë diskutimeve u theksua se sulmet keqdashëse, të sponsorizuara nga qeveria e Iranit, duhet të bëjnë bashkë të gjithë aktorët institucionalë, politikë e shoqërorë për të analizuar situatën e sistemeve elektronike dhe për ta trajtuar sigurinë kibernetike të gjithë infrastrukturës kritike të vendit, si një element thelbësor të sigurisë sonë kombëtare.

 Ministra dhe përfaqësues të lartë të institucioneve përgjegjëse raportuan mbi analizën e deritanishme të situatës, planet dhe masat, që po ndërmerren për adresimin e mangësive të vërejtura në infrastrukturë dhe kapacitete.

 Në mënyrë të veçantë, u vlerësua se mbështetja e ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe agjencitë e ndryshme amerikane, që kanë punuar e po punojnë me agjencitë tona, ka qenë thelbësore për identifikimin e tipologjisë së agresionit kibernetik dhe kundërpërgjigjen tonë.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar konfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar me të gjitha vendet partnere, NATO-n, dhe BE-në duhet të vazhdojë, me qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, kundërvepruese e parandaluese dhe mospërsëritjen e sulmeve të tilla në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ora 14:15
FOTO/ Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Rama përshëndet Begajn, Rrumbullaku shfaqet i buzëqeshur

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, kryeministri Edi Rama është fotografuar duke shtrënguar dorën me presidentin Bajram Begaj. Ndërsa drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku shfaqet i buzëqeshur gjatë bisedës me Olsian Çelën.

Ora 11:35
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, e pranishme edhe drejtoresha e AKSHI-t

 

Në mbledhjen që po zhvillohet në këto momente në Presidencë e Këshillit të Sigurimit Kombëtar po merr pjesë edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), znj. Mirlinda Karçanaj.

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ari: 10/10/2022 18:43

    Presidenti....hahaha. Del percjell shefin

    Përgjigju
  • Bilo pilafi: 10/10/2022 18:10

    Qe ne qershor qe filluan sulmet kibernetike, tani ne tetor mblidhet keshilli. Hahahaha. Albanistan hesapi.

    Përgjigju
  • Jona: 10/10/2022 15:57

    Hahahahaha..fiks e mo si beni dhe ju ja eshte njeri aty qe merr rrogen e presidentit,e pyt ai per cdo gje se mos i prish humorin me ndonje vendim qe si pelqen madherise se tij rames dora vet,po i dha okain ai e ben perndryshe nuk ben asnje hap pa lejen e tij,hahahaah

    Përgjigju
  • fiks: 10/10/2022 11:21

    pse ka president shqiperia? ne dime qe kryeminister kryetar bashke dhe president esht vetem njeri, ai esht i lartmadhnishmi i gjati dhe bukuroshi nga surreli.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave