State Police General Director, Artan Didi
TIRANË, 11 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi i konsideron akte të pastra terroriste dy shpërthimet me tritol ndodhur një ditë më parë në Tiranë.
Përmes një deklarate për shtyp, Didi ka dhënë detaje të reja lidhur me ngjarjen e ndodhur në orët e para të ditës së martë në Tiranë, ku pati dy shpërthime me tritol dhe një mbeti në tentativë.
Sipas Didit, mes tri ngjarjeve ka një ngjashmëri përsa i përket llojit të lëndës së përdorur por edhe sasisë.
"Si në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ashtu edhe në pallatin e komisarit Alfred Lumani, lloji i lëndës eksplozive të përdorur është tritol dhe në të dyja rastet është përdorur në masën 400 gr. Shpërthimi i tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit, shtoi Kryepolici është bërë me telekomandim në distancë nga celulari, ndërsa sasia tritolit e vendosur në pallatin e komisarit ku shpërthimi është bërë me fill përcjellës".
Kryepolici Didi, nga krahu tjetër vuri në dukje faktin se vendosja e tritolit tek farmacia e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ajo në afërsi të kryqëzimit të Shkollës "Vasil Shanto" dyshohet se janë vendosur nga e njëjta dorë, ndërsa sa i takon tritolit të vendosur pranë banesës së zyrtarit të Policisë, ai tha se dyshohet se është vendosur nga një dorë tjetër, por pavarsisht hetimet po vijojnë edhe për këtë.
Përsa i përket tritolit të gjetur në stacionin e urbanit në rrugën "Muhamed Gjollesha" (pranë kryqëzimit Vasil Shanto), Didi tha se sasia e tritolit është zbuluar nga një qytetar i cili ka njoftuar policët e shërbimit të cilët pas konstatimit të një pakoje të dyshimtë kanë njoftuar sallën operative e cila dërgoi specialistët që bënë edhe shpërthimin e komanduar. Ndërkohë pas kësaj grupi hetimor ka siguruar një sërë provash që do të shërbejnë për hetimin e mëtejshëm. Shpërthimi i kontrolluar në rrugën Muhamed Gjollesha është bërë nga forcat RENEA. Kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi ka deklaruar se dyshohet se dy eksplozivet ai te farmacia e Bashkim Tahirit dhe te Vasil Shanto janë vendosur nga e njëjta dorë./a.g/