Gjatë sulmeve ditën e sotme në disa KZAZ në qytete të ndryshme, mbetën të lënduar efektivë të Rendit, të Policisë Bashkiake dhe militantë që mësynë në ambientet që shfrytëzohen si Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Në Kamëz, në KZAZ numër 27 në shkollën "Ibrahim Rugove", si pasojë e gazit lotsjellës mbetën të lënduar 4 oficerë policie, 3 të Rendit e një bashkiak, si dhe një qytetar.
Ndërsa në Spitalin e Traumës shkuan të lënduar Alfred Lika nga Burreli, i cili është vëllai i kryetarit të Partisë Demokratike në këtë zonë. Ai mbërriti në spitalin e Traumës pasi u transportua me helikopter.
Gjithashtu në Spitalin e Traumës, Rasim Hoxha 52 vjeç nga Kamza, efektiv i policisë Bashkiake i lënduar gjatë përplasjeve në KZAZ numër 27.
Gaz lotësjellës u hodh edhe në Kukës, ku mbeti i lënduar një punonjës i policisë bashkiake. Ndërsa si pasojë e gurëve të hedhur drejt uniformave blu që ruanin ambientet e KZAZ në palestrën e një gjimnazi, mbeti i lënduar një efektiv. Aty punonjësit e Rendit u sulmuan me gurë nga një grup militantësh të djathtë.
Ndërkohë, një protestuar, B.S, 58 vjeç ka lënë spitalin.
Më poshtë zhvillimet që shfaqin incidentet ku mbetën të plagosur gjatë përplasjeve sot
Kryetari i PD-së Lulzim Basha vizitoi në spitalin e Traumës dy persona që mbetën të lënduar nga sulmet mbi KZAZ-të. "Alfred Lika nga Burreli dhe Rasim Hoxha nga Kamza. Alfred Lika ka nje plage ne koke nga goditjet e policise, ndersa Rasim Hoxha, punonjes i policise bashkiake eshte sulmuar me gaz helmues ne krye te detyres" akuzon PD-ja.
Partia Demokratike denoncon se vëllai i kryetarit të PD-së në Burrel është plagosur pasi sipas tyre u godit nga Forcat Speciale gjatë momentit kur po tentohej që të futej në KZAZ. Po sipas PD-së, i plagosuri u transportua në Tiranë me helikopter.
"Një person eshte plagosur ne Burrel, kur qytetaret ishin duke zbatuar dekretin e Presidentit, ne mbrojtje te kushtetutes. Ai quhet Alfred Lika, i cili eshte goditur nga Forcat Speciale, te cilat, ne paligjshmeri te plote me veprimet e tyre, i kane shkaktuar fraktura te renda ne koke. Alfred Lika, vellai i Kryetarit te PD, Burrel, eshte nisur me helikopter drejt Tiranes" denoncon PD-ja.
Dhunë, përplasje dhe tension në Kukës. Militantë të PD-së kanë sulmuar KZAZ-në numër 11 në ambientet e një palestre duke shqyer me forcë derën, pas së cilës ndodheshin efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Me një kamionçinë dhe një kavo të lidhur në fund të saj, ata kanë tërhequr derën e palestër duke e shqyer.
Ndërkohë, të tjerë militantë, por edhe zyrtarë të Bashkisë së Kukësit, mes të cilëve edhe Policia bashkiake, kanë qëlluar me gurë ndaj derës së KZAZ-së duke rrezikuar edhe efektivët e FNSH-së.
Më herët ata dogjën para KZAZ-së goma makinash.
Kanë larguar kamionçinën me të cilën do të tentonin të shqyenin me forcë derën e KZAZ. Në Kukës, militantët zgjodhën të djegin goma para KZAZ-së që ndodhet në ambientet e një palestre. Policia, që ndodhet brenda dhe jashtë ambienteve të KZAZ-së në mbrojtje të materialev zgjedhore, ka hedhur gaz lotsjellës. Për pasojë, ka mbetur i lënduar edhe një efektiv i Policisë Bashkiake, i cili së bashku me zyrtarë dhe militantë të PD-së nga bashkia kanë shkuar të zbatojnë dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve, duke mos lejuar që ato të mbahen më 30 qershor siç Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po procedon duke bërë të gjitha përgatitjet. Militantët nga ana tjetër kanë thyer me gurë xhamat e KZAZ-së.
Një efektiv i Policisë Bashkiake të Kamzës ka humbur ndjenjat pas përplasjeve të ndodhura në KZAZ numër 27 që ndodhet në shkollën "Ibrahim Rugova". Punonjësit e Policisë Bashkiake dhe militantë të Partisë Demokratike, punonjës në bashki, kanë mësyrë brenda portës kryesore të shkollës ku ka nisur një përplasje mes forcave të rendit dhe të bashkisë. Në këto kushte për të shmangur përshkallëzimin e situatës në dhunë dhe për të mos lejuar futjen në ambientet e brendshme të KZAZ në klasat e shkollës, policia është detyruar të hedhë gaz lotsjellës.
Ndërsa efektivët e rendit janë pajisur me maska anti-gaz, policët bashkiakë ishin të papërgatitur. Një prej tyre ka përfunduar në spital pasi humbi ndjenjat pas hedhjes së gazit lotsjellës. Në ndihmë i erdhën qytetarët të cilët e transportuan me makinë private për në spital.