Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, paralajmëroi SHBA-në që të mos “tërhiqet sërish drejt kënetës”, pas një dite sulmesh në Ngushticën e Hormuzit.

“Ndërsa bisedimet po përparojnë falë përpjekjeve dashamirëse të Pakistanit, SHBA duhet të jetë e kujdesshme që të mos tërhiqet sërish në kënetë nga dashakeqësit. Po ashtu edhe Emiratet e Bashkuara Arabe,” thotë ai duke shtuar: “Projekti Liria është Projekti Dryni.”

“Projekti Liria” i Donald Trump, i nisur të hënën, synon të përdorë ushtrinë amerikane për të shoqëruar anijet tregtare të bllokuara jashtë këtij korridori të rëndësishëm detar. Irani këmbëngul se e kontrollon Ngushticën dhe dje, sipas SHBA-ve, lëshoi raketa dhe dronë kundër anijeve ushtarake dhe tregtare.

Trump tha se SHBA “rrëzoi” shtatë “anije të shpejta” iraniane, një pretendim i mohuar nga Teherani.

Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan dëme në anije tregtare, ndërsa një sulm i dyshuar iranian shkaktoi një zjarr në një depo nafte në Emirate. Rreth 2,000 anije mendohet të jenë të bllokuara në Ngushticën e Hormuzit. SHBA thotë se dy anije me flamur amerikan arritën të largoheshin dje.

Kompania e transportit detar Maersk tha se një nga anijet e saj arriti të largohej, e shoqëruar nga ushtria amerikane. 

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:52
Kryeparlamentari iranian: SHBA-të po shkelin armëpushimin

Kryetari i parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor në bisedimet e muajit të kaluar me SHBA-të, tha se këto të fundit kanë rrezikuar sigurinë e transportit detar dhe energjisë në Ngushticën e Hormuzit.

Në një postim në X këtë mëngjes, pas nisjes së “Operacionit Liria” nga Donald Trump të hënën, Mohammad Ghalibaf akuzon SHBA-të për “shkelje të armëpushimit” dhe “vendosje të një bllokade” në Ngushticë.

Ai e përfundon postimin duke paralajmëruar se “status quo”-ja është “e papranueshme” për SHBA-të, ndërsa thotë se Irani “madje nuk ka filluar ende”.

Ora 09:48
Kërcënimi i ri i Trump për Iranin: Do të fshihet nga faqja e dheut nëse sulmon anijet amerikane

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump tha në një intervistë për Fox News se Irani do të “fshihej nga faqja e dheut” nëse vendi sulmon anijet amerikane gjatë “Operacionit Liria”.

Ai shtoi gjithashtu se Irani është bërë “shumë më i përkulshëm” në negociatat e paqes, duke theksuar se SHBA ka burime ushtarake më të mëdha se Irani.

Deklaratat e Trump vijnë pasi ai tha në Truth Social se forcat amerikane kishin goditur shtatë “anije të vogla” iraniane si pjesë e operacionit për të hapur Ngushticën e Hormuzit. SHBA gjithashtu deklaroi se ka rrëzuar dronë dhe raketa iraniane.