Donald Trump e ka ndërtuar një pjesë të madhe të politikës së tij të jashtme mbi idenë se Shtetet e Bashkuara duhet të rikthehen të jenë të frikshme. Por këtë herë ndodhi diçka paradoksale: Arabia Saudite, një nga aleatët më të rëndësishëm të Uashingtonit në Lindjen e Mesme, i kërkoi Trumpit të ndërhynte, dhe ai refuzoi dy herë. Sipas agjencisë Axios, princi saudit Mohammed bin Salman e telefonoi dy herë brenda së njëjtës ditë, të enjten, dhe në telefonatën e dytë i kërkoi shprehimisht të autorizonte sulme kundër Huthëve, të cilët po përparojnë në Detin e Kuq dhe po kërcënojnë eksportet saudite. Trump refuzoi, duke u kufizuar në premtimin për ndihmën e shërbimeve amerikane të inteligjencës. Kjo prapaskenë është konfirmuar nga ABC Neës, CNN dhe Reuters, të cilat kanë cituar burime nga administrata amerikane.

Të mbështetur nga Teherani, Huthët kanë përparuar përgjatë bregdetit jemenas të Detit të Kuq dhe kanë marrë Mocha-n dhe ishullin Perim, duke rritur mundësinë e kontrollit të kalimit strategjik të Bab el-Mandebit, porta jugore e Detit të Kuq. Ky pozicion u ka dhënë atyre një avantazh strategjik nga i cili mund të kërcënojnë ose godasin anijet që kalojnë nëpër ngushticë. Por për Riadin ekziston një problem edhe më i drejtpërdrejtë: Huthët kanë kërcënuar anijet dhe eksportet saudite të naftës, të cilat kishin gjetur një alternativë ndaj bllokimit të ngushticës së Hormuzit, të kontrolluar nga Irani. Nëse Huthët do të mbyllnin Bab el-Mandebin, do të ishte skenari më i keq: do të rrezikonin edhe 7% të furnizimeve globale me naftë dhe rreth 12% të tregtisë botërore. Kjo përbën një levë të jashtëzakonshme presioni në duart e iranianëve.

Trump ka lënë të kuptohet se fuqia amerikane ka një çmim që Uashingtoni nuk është gjithmonë i gatshëm ta paguajë, edhe sepse presidenti, me popullaritetin në rënie brenda vendit për shkak të luftës me Iranin dhe me një arsenal ushtarak që është zvogëluar gjatë këtyre muajve, nuk dëshiron të hapë një front tjetër dhe të prishë një marrëveshje të arritur me jemenasit një vit më parë. Por ky qëndrim, siç ndodh shpesh, u shpreh nga presidenti përmes një sërë deklaratash që shkaktuan përgënjeshtrime dhe irritim. Nga Dublini, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Trump ia atribuoi (“me shumë gjasë”) Iranit, dhe jo Huthëve, përgjegjësinë për sulmin ndaj naftësjellësit Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite (të cilin Riadi u detyrua ta mbyllte, duke pësuar dëme në eksport), më pas zbuloi se Huthët i kishin kërkuar të mos ndërhynte. “Kemi pasur disa kontakte. Na telefonuan dhe thanë se nuk duan që të merremi me ta. Nuk duan të luftojnë me ne.” Më pas deklaroi se “gjithçka do të shkojë mirë” në Ngushticën e Hormuzit dhe se “çmimi i naftës do të bjerë sapo të përfundojë lufta”.

Pak më vonë, Huthët e përgënjeshtruan. Në një postim të publikuar në X, Hazem al-Assad, anëtar i zyrës politike të Ansarullahut, “Partizanëve të Zotit”, i cilësoi deklaratat e Trumpit si “të pabazuara dhe të rreme”. “Si zakonisht, me gënjeshtrat e tij prej kllouni, krimineli Trump del me deklarata pa asnjë bazë”, shtoi ai.

Tashmë frontet janë dy dhe jo më vetëm një. E megjithatë, vetëm pak kohë më parë Trump premtoi izolim financiar që do ta gjunjëzonte Iranin dhe do t’i jepte një kthesë konfliktit. Edhe atëherë, ashtu si pas shpërthimit të luftës në fund të shkurtit, presidenti amerikan kishte premtuar rezultate të shpejta. Objektivi ishte ta shtrëngonte Teheranin me darën ekonomike dhe, në të njëjtën kohë, ta mbante luftën në nivel të ulët, në mënyrë që të mos rëndonte koston e jetesës në Shtetet e Bashkuara. Huthët e prishën planin. Trump nuk mund të lejojë që jemenasit të mbyllin ngushticën e Bab el-Mandebit, duke shkaktuar një rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë, por gjithashtu nuk dëshiron të futet në një tjetër rrugë pa krye./La Repubblica