Sulmet terroriste të ISIS në Kabul, 175 të vdekur e 200 të plagosur, 13 prej viktimave, ushtarë amerikanë! Biden betohet për hakmarrje: Do ta paguani! Frikë për të tjera sulme në aeroport

Sulmet terroriste të ISIS në Kabul, 175 të vdekur e 200 të plagosur, 13 prej viktimave, ushtarë amerikanë! Biden betohet për hakmarrje: Do ta paguani! Frikë për të tjera sulme në aeroport

Presidenti Biden, pasojat e sulmeve dhe një prej kamikazëve

Ka shkuar në 175 numri i viktimave nga sulmet terroriste në në aeroportin e Kabulit mbrëmjen e djeshme, ndërsa 200 persona kanë mbetur të plagosur. Mes viktimave, të paktën 13 janë ushtarë amerikanë, ndërsa Presidenti i SHBA, Joe Biden është betuar për hakmarrje ndaj sulmuesve, duke thënë 'do t'ju bëjmë ta paguani".

Biden konfirmoi në një fjalim mbrëmë nga Shtëpia e Bardhë të enjten se bombardimet u kryen nga Shteti Islamik në Provincën Khorasan.

“Ata që kryen këtë sulm, si dhe kushdo që i bën keq Amerikës, duhet të dinë këtë: Ne nuk do të falim; ne nuk do të harrojmë. Ne do t'ju gjuajmë dhe do t'ju bëjmë të paguani. Unë do të mbroj interesat tona për njerëzit tanë me çdo kusht", tha Biden.

Biden shtoi se SHBA do të vazhdojë evakuimet e qytetarëve amerikanë dhe aleatëve amerikanë pavarësisht sulmit.

“Ne nuk do të pengohemi nga terroristët; ne nuk do t'i lejojmë ata të ndalojnë misionin tonë. Ne do të vazhdojmë evakuimet", shtoi Biden.

Evakuimi i civilëve tani është përshpejtuar pas sulmeve, ndërsa SHBA ka paralajmëruar për të tjera sulme me raketa apo bomba që synojnë aeroportin e Kabulit. Ndërkohë forcat talebane janë pozicionuar në aeroportin e Kabulit dhe janë gati të marrin kontrollin e plotë këtë fundjavë, sapo forcat amerikane të largohen, thanë të premten dy zyrtarë të lartë talebanë.

Shpërthimet pasditen e djeshme ndodhën në hyrjen e portës Abbey, ku qindra njerëz ishin grumbulluar me qëllimin për t'u larguar nga Afganistani. Pamjet nga aeroporti i Kabulit ishin tragjike, me njerëz të gjakosur që vraponin për të kërkuar ndihmë. ISIS-K, Shteti Islamik i provincës afgane të Khorasan mori përgjegjësitë për sulmin.

Sulmet ndodhën disa orë pas paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Australia, që i bënë thirrje më herët qytetarëve të tyre të largohen nga aeroporti i Kabulit, thirrje që nuk u dëgjuan nga jerëzit, mes dëshpërimit për t'u larguar nga duart e talebanëve.

1630045383_1630015616kabul.jpg

Autori i një prej sulmeve kamikaze jashtë aeroportit të Kabulit

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:58
Forcat talebane pozicionohen në aeroportin e Kabulit

Forcat talebane janë pozicionuar në aeroportin e Kabulit dhe janë gati të marrin kontrollin e plotë këtë fundjavë, sapo forcat amerikane të largohen, thanë të premten dy zyrtarë të lartë talebanë.

Një komandant i lartë tha se forcat talebane kishin marrë pjesën më të madhe të aeroportit, "përveçse një pjese të vogël ku amerikanët janë akoma".

Një zyrtar i dytë tha se forcat ishin gati për të marrë kontrollin e plotë, duke shtuar: "është vetëm çështje e një kohe të shkurtër".

"Sapo amerikanët të largohen, ata thjesht duhet të na japin sinjalin dhe ne pastaj do të marrim përsipër kontrollin," tha ai. "Kjo mund të bëhet qysh në fundjavë."

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se talebanët nuk kanë nën kontroll ndonjë zonë ushtarake të aeroportit./VOA

Ora 22:42
Po u largohen talebanëve, këto janë shtetet që kanë nxjerrë njerëzit e tyre dhe afganë nga Kabuli

Kur mbeten vetëm pak ditë nga afati përfundimtar për të tërhequr trupat afgane nga Kabuli, disa shtete kanë përfunduar evakuimet nga Afganistani.

Mbretëria e Bashkuar ka hyrë në fazën përfundimtare të evakuimeve nga Kabuli.

SHBA do të qëndrojë deri më 31 gusht nëse kërkohet. Uashingtoni thotë se më shumë se 111,000 njerëz janë evakuuar që kur filloi transportimi ajror gati dy javë më parë

Spanja i ka dhënë fund evakuimit të shtetasve të saj. Dy avionë ushtarakë që transportonin 81 spanjollët e fundit jashtë Kabulit mbërritën në Dubai herët të Premten.

Gjermania përfundoi fluturimet evakuuese të enjten. Ushtria e vendit evakuoi 5,347 njerëz, përfshirë më shumë se 4,100 afganë

Franca thotë se, që nga mbrëmja e së enjtes, më shumë se 100 shtetas francezë dhe mbi 2,500 afganë kishin arritur në tokën franceze. Qeveria thotë se nuk do të jetë më në gjendje të evakuojë njerëzit pas mbrëmjes të së Premtes

Australia ka përfunduar përpjekjet e saj për evakuim dhe do të ndërpresë operacionet e saj në terren. Ajo ka evakuuar më shumë se 4,100 njerëz gjatë nëntë ditëve të fundit

Ora 21:37
Biden paralajmërohet për sulme të tjera terroriste në Kabul, zyrtari i Shtëpisë së Bardhë: Ditët në vijim do të jenë më të rrezikshme

Presidenti amerikan Joe Biden është paralajmëruar se një sulm tjetër terrorist në kryeqytetin afgan Kabul ka të ngjarë të ndodhi në ditët në vijim, thotë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Në një takim me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, Biden u tha se po merreshin të gjitha masat e mundshme për të mbrojtur personelin amerikan dhe të tjerët në aeroportin e qytetit.

"Ditët e ardhshme të këtij misioni do të jenë periudha më e rrezikshme deri më tani," tha zyrtari, duke shtuar se forcat amerikane po shikonin objektivat e mundshëm të IS-K. Presidenti u informua se pavarësisht çdo kërcënimi, trupat amerikane do të vazhdojnë me misionin e evakuimit deri në afatin e 31 gushtit.

Misioni, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, do t'i jepte përparësi qytetarëve amerikanë të mbetur që donin të largoheshin, me forcat amerikane "të angazhuara në mjete të ndryshme për t'i çuar ata në aeroport në mënyrë të sigurt".

Ora 18:08
Pentagoni: Jemi të përgatitur për sulme të tjera në Kabul! 111,000 afganë janë evakuuar deri tani

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha nëpërmjet zëdhënësit John Kirby se ushtria amerikane është e përgatitur për sulme të tjera. "Ne ende besojmë se ka kërcënime të tjera," thotë zëdhënësi i Pentagonit, duke shtuar: "Në fakt, unë do të thoja kërcënime specifike, të besueshme."

Më herët në konferencë, Kirby tha se SHBA planifikon të respektojnë afatin e evakuimit brenda më 31 gusht. Në total 111,000 njerëz janë larguar nga Afganistani si pjesë e misionit të evakuimit. Ende ka rreth 5.400 afganë në aeroportin e Kabulit që presin për t'u larguar nga vendi.

Ora 15:25
Zgjatën mbi 3 orë, Turqia zhvillon bisedimet e para me talebanët në aeroportin e Kabulit, Erdogan: Nëse është e nevojshme do të disikutojmë përsëri

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia zhvilloi bisedimet e para me talebanët në Kabul, duke shtuar se Ankaraja ende po vlerësonte ofertën e talebanëve për të ndihmuar në operimin e aeroportit ndërkombëtar të Kabulit.

Udhëheqësi turk tha se diskutimet u mbajtën në një strukturë ushtarake në aeroportin e Kabulit, ku ambasada e Turqisë është vendosur përkohësisht.

'Ne kemi zhvilluar bisedimet tona të para me talebanët, të cilat zgjatën tre orë e gjysmë, ” u tha Erdogan gazetarëve. "Nëse është e nevojshme, ne do të kemi mundësinë për të zhvilluar përsëri bisedime të tilla."

Turqia anëtare e NATO -s kishte qindra trupa në Afganistan si pjesë e misionit të aleancës dhe ishte përgjegjëse për sigurinë e aeroportit gjatë gjashtë viteve të fundit.

Duke iu përgjigjur kritikave të brendshme lidhur me angazhimin e Turqisë me grupin e armatosur, Erdogan tha se Ankaraja "nuk kishte luks" të qëndronte duarkryq në rajonin e paqëndrueshëm.

"Ju nuk mund të dini se cilat janë pritjet e tyre ose cilat janë pritjet tona pa folur. Çfarë është diplomacia, miku im? Kjo është diplomaci ”, tha Erdogan.

Turqia kishte planifikuar të ndihmonte në sigurimin dhe drejtimin e aeroportit strategjik të Kabulit, por të Mërkurën filloi të tërhiqte trupat nga Afganistani - një shenjë e dukshme e Ankarasë që braktisi këtë qëllim.

Erdogan tha se talebanët tani donin të mbikëqyrnin sigurinë në aeroport, duke i ofruar Ankarasë mundësinë për të drejtuar logjistikën e saj. Ai tha se dy bombat vetëvrasëse që vranë të paktën 110 njerëz, përfshirë 13 trupa amerikanë, jashtë aeroportit gjatë ditëve të fundit të një përpjekje urgjente për evakuim të enjten treguan rëndësinë e njohjes së detajeve se si do të sigurohet qendra ajrore.

"Ata thanë:" Ne do të sigurojmë sigurinë, ju drejtoni aeroportin ". Ne nuk kemi marrë ende asnjë vendim për këtë çështje, "tha Erdogan.

Komentet e Erdogan erdhën ndërsa forcat amerikane që ndihmuan në evakuimin e afganëve të dëshpëruar për të ikur nga Afganistani, u përgatitën për më shumë sulme ndërsa garonin për të përfunduar evakuimet para afatit të fundit të muajit të caktuar nga Presidenti Joe Biden.

Ankaraja deri më tani ka evakuuar të paktën 350 ushtarë dhe më shumë se 1,400 njerëz nga Afganistani që nga marrja nën kontroll e talebanëve këtë muaj.

Turqia ka vlerësuar atë që e përshkroi si deklaratë të moderuar nga talebanët që kur kapi Kabulin më 15 gusht.

Ora 13:42
OBSH: Në spitalet në Afganistan po mbarojnë ilaçet, nevojë emergjente për furnizime

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka thënë se në Afganistan ka nevojë urgjente për medikamente, ndërsa furnizimet në spitale po mbarohen.

Furnizimet emergjente për spitalet, si dhe ilaçet për trajtimin e kequshqyerjes kronike tek fëmijët janë ndër çështjet prioritare, tha Rick Brennan, drejtori rajonal i urgjencës i OBSH -së.

"Tani për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe disa konsideratave të tjera operacionale, aeroporti i Kabulit nuk do të jetë një opsion të paktën për javën e ardhshme," tha ai.

Por OBSH thotë se po planifikon të krijojë një urë ajrore në qytetin verior të Mazar-i-Sharif me ndihmën e qeverisë pakistaneze brenda dy ose tre ditëve.

Ora 12:46
Vendi i tij i ‘pushtuar’ nga talebanët, historia e një ish-ministri afgan që la gjithçka dhe sot punon si korrier në Gjermani

Me shpresën për një jetë më të mirë, Seed Sadaat që dikur ishte ministër komunikimi në qeverinë afgane, u largua shtatorin e kaluar drejt Gjermanisë, ku edhe po punon si korrier.

Ish-ministri afgan tregoi për Reuters, se në venin e tij të origjinës është kritikuar shumë për punën e tij të re dhe kjo për shkak se ka shërbyer më parë për qeverinë afgane, detyrë të cilën e la në vitin 2018.

Ai u shpreh se tashmë për atë një punë edhe thjesht një punë dhe asgjë më shumë.

I veshur në uniformën e tij portokalli të punës dhe pranë biçikletës, 49-vjeçari tha se nuk ka përse të ndihët në faj për vendimet e tij.  

“Unë shpresoj që edhe politikanë të tjerë të bëjnë po të njëjtën gjë, të ndjekin rrugën time për të punuar sesa të fshihen.”, tha ai.

Historia e tij u vu në fokus të mediave, pas kaosit që ka “shpërthyer” në vendin e tij nga marrja nën kontroll e talebanëve.

Tani familja dhe miqtë e tij duan gjithashtu të largohen nga vendi i prejardhjes së tyre dhe t’i bashkohen afganëve të tjerë të evakuuar drejt vendeve të sigurta.

Rruga që zgjodhi Sadaat, nuk ishte aspak e lehtë. Ai “luftoi” shumë kohë për të gjetur një punë që t’i përshtatej edhe përvojës së tij, por shanset e tij gjithnjë edhe pakësoheshin.

“Gjuha në çdo punë ishte shumë e rëndësishëm dhe unë nuk e dija”, tha ai.

Çdo ditë ai shkon në një shkollë ku mëson dhe praktikon gjuhën gjermane, ndërsa më pas i hipën biçikletës dhe fillon punë.

"Ditët e para ishin emocionuese, por të vështira," tha ai, duke përshkruar sfidën e të mësuarit të biçikletës në trafikun e qytetit.

"Sa më shumë që dilni dhe sa më shumë shihni njerëz, aq më shumë mësoni," shtoi ai.

Historia e ish-ministrit afgan është një frymëzim!

Ora 11:14
Sulmi terrorist në Kabul, eksperti amerikan: Nuk duhet t’i besojmë premtimeve të talebanëve për sigurinë e afganëve

Pas “goditjes” së parë terroriste në Aeroportin e Kabulit, ku edhe humbën jetën më shumë së 110 persona, eksperti amerikan në çështjet e terrorizmit, u shpreh se nuk duhet të kemi besim te talebanët lidhur me sigurinë e qytetarëve.

“Është e papranueshme që SHBA apo çdo vend i civilizuar të ketë besim te talebanët për sigurinë e qytetarëve.”, tha ai.

Trupat amerikane duhet të marrin kontrollin e menjëhershëm të perimetrit të aeroportit të Kabulit për të parandaluar një sulm tjetër gjatë procesit të evakuimit.

Sales, shtoi se presidenti i SHBA, Joe Biden duhet të mbajë premtimin për kapjen e personave përgjegjës për sulmin dhe t’i kërkojë qeverisë të rishikojnë planin për largimin nga Kabulit përpara 31 gushtit, afatit të caktuar për përfundimin evakuimit të afganëve.

"Ne duhet të mbajmë një prani ushtarake në terren për aq kohë sa duhet për të evakuuar çdo amerikan i cili është lënë mbrapa”, u shpreh ai.

Ditë më parë, disa zdhënës të talebanëve kanë dhënë deklarata për mediat duke thënë se do të kujdesen për të gjithë shtetasit afganë, në veçanti për gratë dhe fëmijët, që janë edhe grupi më i rrezikuar

Ora 11:04
ISIS-K, grupi i ri terrorist që vrau mbi 110 persona në Kabul! Me militantë mizorë, që u ruhen edhe talebanët e sotëm

Një degë rajonale e ISIS që është aktiv në Afganistan dhe Pakistan quhet Shteti Islamik i Khorasan, përgjegjës pë sulmet e përgjakshme pasditen e djeshme jashtë aeroportit të Kabulit. Ky është grupi më ekstrem dhe më i dhunshëm krahasuar me grupet e tjera  xhihadiste në Afganistan. U krijua në janar 2015 në kulmin e fuqisë së ISIS në Irak dhe Siri, para se kalifati i vetëshpallur të shpërbëhej dhe çmontohej nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA.

Në ISIS -K u rekrutuan xhihadistët afganë, pakistanezë. ISIS-K janë akuzuar për disa nga ngjarjet më të rënda , ky shënjestra kanë qenë shkollat e vajzave, spitale, maternitetet ku thuhet se kanë vrarë gra shtatzëna dhe infermiere. Ata veprojnë jo vetëm në  Afganistan. ISIS-K janë pjesë e rrjetit global të ISIS që kërkon të kryejë sulme ndaj objektivave perëndimorë, ndërkombëtarë dhe humanitarë kudo që mund t’i arrijë. ISIS-K qenë kulmin e tyre numëronin 3 mijë luftëtarë, por që kanë patur dhe humbje nga përplasjet me forcat amerikane, me ato afgane, madje edhe me talebanët, ka baza kryesore në  provincën lindore të Nangarhar, pranë rrugëve të kontrabandës së drogës me Pakistanin.

Kohët e fundit, studiuesit e grupeve ekstreme, kanë treguar se ISIS -K  ka lidhje të forta rrjetin Khalil Haqqani i cili aktualisht është njeriu përgjegjës për sigurinë në Kabul dhe për kokën e të cilit SHBA kishin vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh. Disa sulme të mëdha midis 2019 dhe 2021 përfshinin bashkëpunim midis ISIS-K, rrjetit Haqqani të talebanëve dhe grupeve të tjera terroriste me bazë në Pakistan.

ISIS-K ka dallime të mëdha me talebanët, pasi i akuzon ata për braktisjen e Xhihadit dhe fushën e betejës në favor të një zgjidhjeje të negociuar të paqes të arritur në “hotele të shtrenjta” në Doha të Katarit.

Militantët e Shtetit Islamik tani përfaqësojnë një sfidë të madhe të sigurisë për qeverinë e ardhshme talebane, diçka që lidershipi i talebanëve e ka ndarë me agjencitë perëndimore të inteligjencës, njofton BBC .

Ora 08:57
150 afganë mbërrijnë në Korenë e Jugut, pritja e ëmbël që i bëri vendi: Do të ndajmë dhimbjen tuaj bashkë!

Mes lajmeve të trishta, për vdekjen e 90 personave dhe plagosjen e 150 të tjerëve pas sulmit në Kabul, pamje që reflektojnë paqe dhe siguri vijnë nga Koreja e Jugut.

“Ne do të ndajmë dhimbjen tuaj së bashku. Paçi një qëndrim sa më të rehatshëm.”, me këto fjalë në një pankartë të madhe të vendosur në aeroport, ka pritur Koreja e Jugut 150 afganët e evakuuar.

Në sytë e trembur të fëmijëve të vegjël, kishte rënë hija e paqes ata tashmë janë të sigurt...Në duar mbanin arushat e tyre, për t’i shtrënguar kur zhurma dhe kaosi i vendit ku lindën i frikësonte.

Puna për evakuimin e sa më shumë prej personave të ndodhur në aeroport në pritje me padurim për t’u larguar vazhdon.

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Festat sjellin trafik të rënduar në Tiranë, eksperti: Semaforët e shumtë bllokojnë qarkullimin, duhen mbikalime! Shoferët nuk zbatojnë rregullat

Festat sjellin trafik të rënduar në Tiranë, eksperti: Semaforët e shumtë bllokojnë qarkullimin, duhen mbikalime! Shoferët nuk zbatojnë rregullat