Dy atentate kamikaze jashtë aeroportit në Kabul! ISIS merr përgjegjësinë e sulmit terrorist! 60 të vdekur e 140 të plagosur! Mes viktimave, 12 trupa amerikanë! SHBA: Priten të tjera shpërthime

AFGANISTAN- Të paktën 60 persona kanë humbur jetën dhe 140 të tjerë kanë mbetur të plagosur në Kabul, si pasojë e dy shpërthimive të fuqishëm që u regjistrua pasditen e sotme jashtë aeroportit të qytetit. Ngjarja u konfirmua nga Pentagoni, ndërsa pas shpërthimeve, u qëllua edhe me armë zjarri. Mediat amerikane raportojnë se 11 marinsa amerikanë dhe një mjek i marinsave kanë vdekur nga shpërthimi.

Shpërthimet ndodhën në hyrjen e portës Abbey, ku forcat britanike janë vendosur në ditët e fundit, ndërsa Ministria e Mbrojtjes britnaike tha se nuk flitet për të plagosur apo viktima mes trupave. ISIS-K, Shteti Islamik i provincës afgane të Khorasan ka marrë përgjegjësitë për sulmin.

Pentagoni lajmëroi se operacionet e evakuimit do të vijojnë pavarësisht ngjarjes së rëndë ndërsa paralajmëroi për të tjera sulme që mund të ndodhin. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, tha nëpërmjet një postimi në Twitter se prioritet mbetet evakuimi i sa më shumë njerëzve, sa më shpejt.

Sulmet ndodhën disa orë pas paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Australia, që i bënë thirrje më herët qytetarëve të tyre të largohen nga aeroporti i Kabulit, pas alarmit për një sulm terrorist. Pamjet që vijnë nga Kabuli janë tragjike, teksa afganëve i është këruar të qëndrojnë larg portave të aeroportit, për shkak të rrezikut të një shpërthimi tjetër.

Sulmi u paralajmërua edhe nga kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se një sulm i mundshëm terrorist nuk ishte “teorik” po “një kërcënim real”.

"Nga njëra anë, ne do të donim të kishim sa më shumë kohë që të jetë e mundur për të nxjerrë sa më shumë njerëz, por nga ana tjetër nëse nuk do të kemi vendosur një marrëveshje të re me talebanët, për të zgjatur evakumin rreziku i sulmeve do të rritej”, tha ai gjatë një interviste më herët sot.

Pavarësisht paralajmërimeve, afganët nuk u larguan nga aeroporti, ndërsa Ahmedullah Rafiqzai, një zyrtar i aviacionit civil afgan që punonte në aeroport, tha se njerëzit vazhduan të grumbulloheshin rreth portave të aeroportit dhe se nga dëshira e madhe për të lënë vendin e tyre nuk kanë frikë të përballen edhe me vdekjen.

Trupat perëndimore punojnë nën ethe dhe presionin e kohës për të evakuuar me shpejtësi qytetarët nga aeroporti, ndërsa shpërthimet kanë vështirësuar punën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 70 mijë njerëz, përfshirë edhe qytetarët e tyre, personelin e NATO-s dhe afganët në rrezik.

Një ndër evakuimet më të mëdha në historinë njerëzore, ka nisur prej 14 gushtit, një ditë pasi Talebanët arritën të “thyenin” edhe Kabulin.

 

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 03:04
Biden zotohet se SHBA do gjejë autorët e sulmeve në aeroportin e Afganistanit: Do t’ju kapim dhe do t’ju bëjmë të paguani

Presidenti amerikan Joe Biden është zotuar se Shtetet e Bashkuara do t’i gjejnë autorët e sulmeve kamikaze dhe personat e tjerë përgjegjës për ato sulme vdekjeprurëse, jashtë aeroportit të Kabulit, ku mijëra njerëz ishin mbledhur me shpresën për të ikur nga vendi i kontrolluar nga talebanët.

Në fjalimin e tij, zoti Biden u zotua se evakuimet do të përfundojnë dhe Shtetet e Bashkuara do t’i kapin ata që qëndrojnë pas sulmit.

"Ata që kryen këtë sulm, si dhe cilido që do t’i bëjë keq Amerikës duhet ta dinë: Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t'ju kapim dhe do t'ju bëjmë të paguani," tha ai nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti tha se evakuimet do të vazhdonin. "Ne do t'i nxjerrim (nga Afganistani) amerikanët që duan të largohen," tha ai.

Të paktën 60 afganë dhe 13 trupa amerikanë u vranë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe afganë, ndërkohë që 143 afganë kanë mbetur të plagosur.

Ora 22:53
Gjermania i jep fund evakuimeve nga Afganistani, tërhoqi sot trupat e fundit

Gjermania ka përfunduar misioni e saj të evakuimeve në Afganistamn, ndërsa trupat e saj të fundit janë tërhequr sot nga Kabuli dhe mbërritën në Tashkent të Uzbekistanit këtë mbrëmje.

Gjermania ka evakuuar në total 5,347 njerëz nga të paktën 45 vende, përfshirë më shumë se 4,000 afganë.

Ora 22:30
Shpërthim i tretë dëgjohet në Kabul, më i fortë se 2 të parët! Talebanët: Ushtria amerikane po shkatërron municionet

1630010025_99999.jpg

Kabuli nuk gjen qetësi, pas 2 shpërthimeve të para është dëgjuar edhe një i tretë. Një zëdhënës i talebanëve konfirmoi se shpërthimi i tretë ishte nga ushtria amerikane e cila sipas tij poshkatërronte municionet. Al Jazeera raporton se shpërthimi ishte më i madh dhe bëri më shumë zhurmë se të parët. Ende nuk dihen detaje të tjera, nëse ka rritje të bilancit të viktimave.

Ora 21:46
ISIS merr përgjegjësinë e sulmit terrorist jashtë aeroportit të Kabulit

Grupi Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin në aeroportin e Kabulit. Nëpërmjet një postimi në kanalin e tyre në Telegram, ISIS shkroi se një sulm kamikaz shpërtheu në mes të afganëve dhe forcave  amerikane

Ora 21:30
Sulmi terrorist në Kabul, Pentagoni: Do vazhdojmë me misionin e evakuimit! Presim që sulmet të vijojnë, po përgatitemi

SHBA do të vijojnë me misionin e evakuimit në Kabul, pavarësisht sulmit terrorist pasditen e sotme jashtë aeroportit të qytetit, që i mori jetën të paktën 60 personave, mes të cilëve 12 marinsa amerikanë.

Kjo u bë me dije nga gjenerali i Komandës Qendrore të SHBA, Kenneth McKenzie. Ai ia atribuojë sulmin grupit të Shtetit Islamik, ndërsa shtoi se priten të tjera sulme.

"Ne do të vazhdojmë të ekzekutojmë misionin pavarësisht këtij sulmi. Kërcënimi nga ISIS është plotësisht real, ne presim që ato sulme të vazhdojnë. Po bëjmë gjithçka është e mundur për t'u përgatitur për këto sulme" tha ai.

McKenzie shtoi se rreth 1.000 shtetas amerikanë ende besohet se janë në Afganistan.

Ora 21:05
Sulmi terrorist në aeroportin e Kabulit, mes viktimave edhe 11 marinsa amerikanë dhe një mjek i Marinës

11 marinsa amerikanë dhe një mjek i Marinës u vranë si pasojë e shpërthimeve që u regjistruan sot, jashtë aeroportit të Kabulit. Lajmi u konfirmua për mediat e huaja nga zyrtarë amerikanë.

Vdekjet shënojnë viktimat e para të ushtrisë amerikane në Afganistan që nga shkurti i vitit 2020.

Ora 19:19
Shpërthimet në Kabul, Talebanët: Sulmi ndodhi në zonën nën kontrollin e SHBA

Talibanët kanë reaguar pas sulmit terrorist jashtë aeroportit në Kabul, ndërsa thonë se shpërthimet ndodhën në zonën nën kontrollin e SHBA

"Emirati Islamik dënon ashpër bombardimin që synonte civilët në aeroportin e Kabulit. Shpërthimet ndodhën në një zonë ku forcat amerikane janë përgjegjëse për sigurinë " tha Zabihullah Mujahid në një postim në Twitter.

Suhail Shaheen, një zëdhënës tjetër i talebanëve, tha se grupi "po i kushtonte vëmendje të madhe sigurisë dhe mbrojtjes së njerëzve të tij".

Ora 18:50
Pamjet tronditëse nga aeroporti i Kabulit pas shpërthimeve, dëshmitarët: Trupa njerëzish përfunduan në kanal

Janë tronditëse pamjet që vijnë nga aeroporti i Kabulit, ku dy shpërthime kamikaze i morën jetën të paktën 60 personave, duke lënë të plagosur 140 të tjerë. BBC sjellë rrëfimet e disa dëshmitarëve të pranishëm në vendngjarje, të cilët thonë se nga shpërthimi i fuqishëm, trupat e njerëzve përfunduan në një kanal aty pranë.  

"Trupa njerëzish përfunduan në kanal. Shpërthimet ishin shumë të fuqishëm, njerëzit ishin në panik të plotë. Pas shpërthimeve talebanët filluan të qëllonin të ajër për të shpërndarë turmën", thotë një dëshmitarë.

"Pashë një burrë me një foshnje të gjakosur në duar që vraponte", tha një tjetër.

Ora 18:41
SHBA: ISIS qëndron pas sulmit sot në aeroportin e Kabulit

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara besojnë se grupi ISIS-Khorasan, shteti islamik i provincës afgane të Khorasan qëndron prapa sulmit sot në aeroportin e Kabulit.

Sipas SHBA, qeveria është ende duke hetuar, sulmi në aeroport ka "të gjitha shenjat dalluese" të një sulmi të ISIS-K.

Ora 18:13
Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s reagon pas sulmit në Kabul: Prioritet evakumi i sa më shumë  njerëzve dhe sa më shpejt

Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, ka reaguar ndaj ngjarjeve që po ndodhin në aeroportin e Kabulit. Me një postim në Twitter ai ka dënuar sulmin, ndërsa shtoi se prioritet është evakuimi i sa më shumë njerëzve sa më shpejt të jetë e mundur.

"Unë dënoj ashpër sulmin e tmerrshëm terrorist jashtë aeroportit të Kabulit. Mendimet e mia janë me të gjithë të prekurit dhe të dashurit e tyre. Prioriteti ynë mbetet të evakuojmë sa më shumë njerëz në vend të sigurisë sa më shpejt të jetë e mundur".

Ora 17:59
Sulmi në Kabul, ish-përkthyesi i forcave britanike që po priste të largohej nga Afganistani: Ishte si dita e kijametit, pashë njerëz të mbuluar me gjak që vraponin

'Ishte si dita e kijametit', kështu e ka përshkruar sulmin në Kabul ish-përkthyesi i forcave britanike në Afganistan, që po priste në aeroport të evakuohej së bashku me gruan dhe fëmijët e tij në vegjël.

"Ishte si dita e kijametit, njerëz të lënduar kudo. Pashë njerëz që vraponin me gjak në fytyrë dhe trup", tha ai për 'Sky News.

Ora 17:14
Sulmi terrorist në Kabul, Biden mbledh ekipin e sigurisë, Johnson takim urgjent me qeverinë! Macron: Të marrim masa para se situata të bëhet e pakontrollueshme

Pas shpërthimit në Kabul, ku humbën jetën të paktën 60 persona dhe 140 të tjerë kanë mbetur të plagosur, Presidenti i SHBA, Joe Biden ka mbledhur ekipin e sigurisë kombëtare.

Po ashtu edhe kryeministri britanik, Boris Johnson do të mbajë një takim urgjent mbi situatën në aeroportin e Kabulit të enjten pasdite.

Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se situata është "përkeqësuar thellësisht". Ai bëri thirrje për kujdes para se situata të bëhet e pakontrollueshme dhe shtoi se situata rreth aeroportit mbetet shumë e rrezikshme.

Macron tha se pavarësisht sulmit, Franca synonte të vazhdonte operacionin e saj të evakuimit, për aq kohë sa mund të garantohej një mjedis i sigurt.

"Për disa ditë Franca, së bashku me aleatët e tjerë, ka bërë maksimumin në këtë situatë, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë," tha ai.

Ora 16:42
Sulmi në Kabul, dyshohet për 2 shpërthime! Kamikazi hodhi eksplozivin mes turmës së njerëzve, një tjetër hapi zjarr! Qëllimi, bllokimi i evakuimeve

Ministria turke e mbrojtjes raporton se në aeroportin e Kabulit kanë ndodhur 2 shpërthime. Gazetari afgan Bilal Sarëary raporton se shpërthimi në aeroportin e Kabulit ndodhi në një kanal të ujërave të zeza ku refugjatët afganë po verifikonin dokumentet e tyre. Sipas tij një kamikaz shpërtheu eksplozivin e tij në turmën e njerëzve para se një sulmues i dytë të fillonte të hapte zjarr.

Ora 16:14
Shpërthim i fuqishëm jashtë aeroportit të Kabulit, dyshohet për 60 viktima! Pentagoni: Sulm kamikaz, nuk dihet ende nëse ka viktima

Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar jashtë aeroportit të Kabulit paditen e sotme, ndërsa lajmi është konfirmuar nga Pentagoni. Shpërthimi ka ndodhur në hyrjen e portës Abbey, ku trupat britanike janë vendosur në ditët e fundit. Ishte një nga tre portat që ishin mbyllur pas paralajmërimeve për një kërcënim terrorist. Dyshohet për 60 viktima, ndërsa shpërthimi u shkaktua nga një sulm kamikaz.

 

Ora 12:08
Mes lotësh dhe dhimbjen e largimit, gazetarja ëndërrimtare afgane flet për BBC: Këtu nuk marrë dot frymë! Nëse do e dinin se kush jam do më vrisnin

E pafuqishme, mes lotësh dhe dhimbjen e “lamtumirës” ne zemër gazetarja ëndërrimtare në një intervistë emocionale, tregon se duhet largohet nga vendi i saj, Afganistani, pasi aty jeton me frikën se mund ta vrasin.

“Nuk mund të marrë frymë këtu. Unë e dua vendin tim, por nuk mund të qëndrojë këtu.”, thotë ajo me një zë të mbytur.

Ajo tregon, se talebanët nuk e njohin dhe nëse do e dinin se kush është do ta vrisnin, pasi ajo është një gazetare. Një gazetare e cila bën punën e saj me shumë pasion dhe ka shumë ëndrra për të ardhmen, të cilat i ka harruar prej 15 gushtit. Ka harruar çdo gjë! Mendimet e kanë turbulluar dhe nuk mund të njohi më vendin e saj..

“Unë duhet të lë vendin tim, nuk mund të jetojë këtu. Nuk mund të marrë frymë këtu. Talebanët po më vrasin këtu, po më luftojnë dhe po qëllojnë me armë. Ata nuk njohin, ata nuk e dinë se unë jam gazetare, nëse do e dinin do më vrisnin. Unë e dua vendin tim, por nuk mund të qëndrojë këtu. Nuk mund të qëndrojë, duhet të largohem.”, tregoi ajo.

Në një pikë intervistës, 2 gratë, gazetarja e BBC dhe ajo afgane shpërthejnë në lot.

Momenti mes tyre:

Gazetarja BBC: Më vjen shumë keq që të duhet të largohesh nga vendi jot.

Gazetarja afgane: Ata nuk e dinë se kush jam, po ta dinin do të vrisnin. Por unë jam thjesht një gazetare, është ëndrra ime por tani ka mbaruar.

Ora 10:29
Blinken për evakuimin e afganëve: Jemi në rrugën e duhur por nëse misioni nuk përmbushet, nuk do të llogarisim afatin e 31 gushtit

 

Në një kohë kur presidenti i Amerikës, Joe Biden është shprehur se misioni i evakuimit nga aeroporti i Kabulit do të vijojë deri më 31 gusht, sekretari i SHBA, Anthony Blinken tha se ky proces në ndihmë të qytetarëve amerikanë dhe partnerëve afgan nuk ka afat.

Biden ka folur lidhur me situatën, teksa “vlonin” alarmet kërcënuese për një sulm të mundshëm terrorist në aeroport, ku po presin me mijëra persona me shpresën e largimit.

Blinken theksoi se megjithëse misioni është në rrugën e duhur dhe pritet të realizohet në kohë, nuk do të respektohet afati nëse ai nuk ka përfunduar dhe se talebanët duhet të mbajnë premtimin për largimin e sigurt të personave që dëshirojnë të ikin.

“Ne jemi në rrugën e duhur për të përfunduar misionin tonë në Afganistan deri më 31 gusht, me kusht që talebanët të vazhdojnë të bashkëpunojnë, dhe nuk do të ketë ndërprerje.

Por më lejoni të jem i qartë, nuk ka asnjë afat në punën tonë për të ndihmuar qytetarët e mbetur amerikanë dhe partnerët afganë që vendosin se duan të largohen për ta bërë këtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatët dhe më shumë së gjysma e vendeve në botë, i kanë bërë të qartë talebanëve se kanë përgjegjësi dhe duhet të mbajnë premtimin se çdo njeri që dëshiron të largohet, mund ta bëjë dhe të ndihet i sigurt edhe pas 31 gushtit.”, tha ai gjatë fjalës së tij.

 

Ora 09:08
'Ky realitet i ri është i hidhur', Merkel: Evakuimi nga aeroporti i Kabulit do të përfundojë brenda pak ditësh

Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri të ditur se transporti ajror në Afganistan do të përfundojë "brenda pak ditësh".  Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që ish-punonjësit lokalë dhe njerëzit e tjerë në nevojë në Afganistan nuk do të mbrohen, tha Merkeli në deklaratën në emër të qeverisë para Bundestagut. Ajo tha se po punohet "në të gjitha nivelet".

Në fjalën e saj, kancelarja foli për një vendim të vështirë në lidhje me tërheqjen e punonjësve lokalë.  "Le të përfytyrojmë për një çast që Gjermania të mos kishte filluar vetëm tërheqjen e Bundeswehr-it në pranverë, por edhe tërheqjen e punonjësve lokalë e të organizatave ndihmëse gjermane. Disa do ta kishin vlerësuar këtë me siguri si kujdes parashikues", tha ajo. Nga ana tjetër dikush do të ishte përballur me akuzën e braktisjes së njerëzve në Afganistan. "Të dyja perspektivat janë të justifikuara," tha Merkeli.

Nuk shmanget përgjegjësia

"Në atë kohë, qeveria federale pa shkaqe shumë të forta për të vazhduar të ndihmonte njerëzit në Afganistan, pasi trupat të ishin tërhequr, të paktën në aspektin e bashkëpunimit të zhvillimit," ndihmë bazë shumë specifike, që nga maternitetet në furnizimin me ujë dhe energji elektrike", tha Merkeli. Për këtë ishim ende të varur nga ekipet vendase, shumë prej të cilëve ishin të gatshëm të vazhdonin punën në Afganistan.

"Unë definitivisht nuk dua të zhvendos përgjegjësinë për vendimet e marra mbi këta njerëz dhe qëndrimin e tyre ndaj ndihmës." Në retrospektivë, është e lehtë të analizosh dhe vlerësosh situatën "Më pas, të dish gjithçka dhe ta parashikosh atë saktësisht është relativisht e lehtë", tha Merkeli. Por vendimi duhej të merrej në situatën në atë kohë. Tani të gjitha përpjekjet janë përqendruar "në fluturimet e evakuimit.

Shpejtësia e zhvillimit u nënvleftësua

Merkeli i quajti zhvillimet e ditëve të fundit "të tmerrshme".  Për shumë njerëz në Afganistan ato janë "një tragjedi e madhe".  Talibanët "tani janë një realitet në Afganistan dhe shumë njerëz në Afganistan kanë shumë frikë," tha kancelarja. "Ky realitet i ri është i hidhur". Qeveria e saj nuk do të "frikësohet" as nga bisedimet me talebanët radikalë islamikë.  "Qëllimi ynë duhet të jetë të ruajmë sa më shumë ndryshimet që kemi bërë në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit." Zhvillimet janë gjithashtu të hidhura për aleatët që kanë luftuar atje për vite me radhë për struktura liberale dhe kundër terrorizmit. Kancelarja deklaroi se ka qenë gjithmonë e qartë "se i gjithë operacioni me plotëkuptimin e fjalës qëndron dhe bie me qëndrimin e ushtarakëve më të fortë në aleancë - SHBA".

Komuniteti ndërkombëtar priste edhe se do të kishte luftime me talebanët e forcuar. Por befasi ishte shpejtësia me të cilën forcat afgane të sigurisë hoqën dorë nga rezistenca e tyre - përkatësisht që ata as do ta nisnin rezistencën.  Kjo u përshpejtua edhe në momentin kur udhëheqja politike e Afganistanit u largua nga vendi. 

"Ne të gjithë padyshim e nënvlerësuam shpejtësinë e zhvillimit. Kjo vlen edhe për Gjermaninë." Merkeli tha se Bundeswehri kishte larguar me fluturime më shumë se 4.600 persona nga Afganistani deri tani. Kanë qenë njerëz nga gjithsej 45 kombe, pothuajse gjysma e tyre gra.  Merkeli theksoi se nuk kishte pasur asnjë rrugë të veçantë për Gjermaninë në Afganistan.  Gjithçka bëhet në koordinim të ngushtë me aleatët./ DW

J.GJ./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon

Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon