Vila e ish-diktatorit Enver Hoxha tashmë është kthyer në një shtëpi pritëse për artistë nga e gjithë bota dhe menaxhohet nga fondacioni francez Art Explora. Mbrëmjen e sotme u sulmua me breshëri molotovësh e mjetesh piroteknike në katin e parë dhe të dytë nga militantët e Berishës, një akt ky i paprecedentë.

Rezidentë, që prej janarit e deri në muajin mars, në vilën e ish-diktatorit janë 8 artistë të ardhur nga Polonia, Turqia, Kosova, Kina, Bangladeshi, Bosnje & Hecegovina dhe Kosova. Së bashku me ta në vilë ka dhe personel.

Nga pamjet e transmetuara, shihet qartë që në momentin e sulmit brenda kishte njerëz. Brenda ndodheshin 10 persona, 7 prej tyre artistë të huaj dhe 3 të tjerë personel. Artistja nga Greqia Amalia Vekri ka publikuar në profilin e saj në rrjete sociale dhe pamje nga momenti i sulmit me molotovë nga protestuesit e PD.

Report Tv ka publikuar pamje nga brenda vilës ku shihen dëmet e lëna pas, xhama të thyer e objekte të dëmtuara. Sakaq, Report Tv gjithashtu ka kontaktuar dhe me një prej artisteve që ndodhej brenda në vilë në momentin e sulmit me molotovë, e cila tregon se janë të terrorizuar dhe të tronditur nga ngjarja e papritur. Në ato momente, përpara godinës nuk ka pasur efektivë të policisë, ndërsa është dashur ndërhyrja e tyre dhe e zjarrfikësve për të bërë të mundur daljen e tyre nga ndërtesa, që ishte në flakë si në katin e parë ashtu dhe në katin e dytë.

Artistja tregon se sot për ta ka qenë një ditë shumë e bukur, e mbushur me aktivitete, gjë të cilën e kanë pasqyruar dhe nëpërmjet fotografive të postuara në rrjetet  tyre sociale.

“Ishim gati 12 veta, artistë dhe 2 veta staf. U hodhën shumë molotovë dhe ka goxha dëme. Kishim një ditë të bukur, me ëorkshope, me të rinj, me joga; kemi qenë gjatë ditës në oborr, një ditë me diell, pra një ditë festive. Ambienti ka qenë i hapur publik, njerëzit mund të vinin të qëndronin. E kuptuam që ishin molotovët e protestës sepse pamë protestuesit që po vinin drejt vilës dhe ishte bllokuar edhe rruga nga policia. Ishte tronditëse. Artistët janë të huaj dhe ndodhen aty nga janari. Janë në fund të rezidencës së tyre”, tha artisja për Report Tv, e cila ka zgjedhur që identiteti i saj të mbetet anonim.

Turma e mercenarëve të Partisë Demokratike nuk kursyen sot as vilën e diktatorit Enver Hoxha që sot nga një objekt që diku i shërbente një regjimi të ashpër, është kthyer në një qendër kulturore që pret artistë nga e gjithë bota.

Lista e artistëve të huaj rezidentë në vilë
Agnieszka Mastalerz – Poland
Amalia Vekri – Greece
Betül Aksu – Turkey
Dardan Zhegrova – Kosovo
Kemil Bekteši – Bosnia and Herzegovina & Kosovo
Lumturie Krasniqi – Kosovo
Palash Bhattacharjee – Bangladesh
Yao Qingmei – China

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:37
Protesta e dhunshme e PD, reagon sërish Koçiu: Sali Berisha po merr peng Shqipërinë, sulm drejt artit dhe turizmit në vend

1772314721_xgfjullll.JPG

Ministrja e Brendshme në detyrë, Albana Koçiu, ka reaguar sërish pas akteve të dhunës në protestën e sotme të Berishës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu e ka cilësuar protestën e Berishës një sulm të hapur ndaj stabilitetit të vendit.

Po ashtu Koçiu ka shkruar se jeta e përditshme e shqiptarëve nuk mund të mbetet peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë. Teksa ka paralajmëruar agresorët për një përgjigje të fortë, Koçiu ka thënë gjithashtu se sulmi në vilën e Enver Hoxhës, rezidencë ku brenda ndodheshin artistë të huaj, është një akt dhune drejt artit dhe turizmit në vend.

Postimi i Koçiut:

U vërtetua se objektivi i vërtetë i kësaj dhune është dëmtimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare, sabotimi i turizmit dhe përpjekja për të nxirë me çdo kusht imazhin e Shqipërisë në sytë e botës, pikërisht në momentin tonë më të mirë.

Maskat ranë përfundimisht. Sot u shfaq hapur dhe pa asnjë dritëhije objektivi i vetëm i Sali Berishës dhe familjes së tij: mbajtja peng e Shqipërisë për llogaritë e tyre personale.

Ajo që pamë në rrugët e Tiranës nuk ishte një protestë demokratike, por një shfaqje e pastër e një sjelljeje antikombëtare dhe anti-shqiptare, ku interesi personal i një individi dhe i familjes së tij vendoset mbi qetësinë dhe sigurinë e një populli të tërë.

Ky nuk është më aksion politik, por një sulm i hapur ndaj stabilitetit të vendit.

Shqipëria, qytetarët e këtij vendi dhe jeta e përditshme e këtij kombi nuk mund të mbeten peng i një tufe banditësh të armatosur me molotovë, që kërkojnë të shkaktojnë kaos dhe terror. Në çmendurinë e tyre, ata nuk kursyen as artin, duke goditur një rezidencë ku ndodheshin artistë të huaj, një akt që tregon degradimin e plotë të një lëvizjeje që nuk njeh asnjë vlerë njerëzore.

Ky sulm ndaj interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë është i paprecedentë dhe nuk do të tolerohet. Po aq e vendosur dhe e paprecedentë do të jetë edhe përgjigjja institucionale, në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe të ardhmes europiane të vendit.

Ora 22:30
Të terrorizuar nga sulmet me molotovë të militantëve të PD në vilën e Enver Hoxhës, artistët për Report Tv: Kishim një ditë të bukur, tani jemi të tronditur

 

Gazetarja e Report Tv Blerina Goce, pas një komunikimi me 7 artistët e ndodhur brenda në vilën e Enver Hoxhës, sot e kthyer në qendër kulturore, tregon se ata ndihen të terrorizuar, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.

Gazetarja Goce sqaron se është dashur ndërhyrja e efektivëve të policisë dhe zjarrfikësve që artistët të dalin nga vila ndërkohë që ka pasur flakë në katin e parë dhe të dytë të ndërtesës. Report Tv gjithashtu ka kontaktuar dhe një artiste që ndodhej në ato momente brenda në vilë, e cila tregon tronditjen nga sulmi i paprecedentë dhe i papritur.

“Ishim gati 12 veta, artistë dhe 2 veta staf. U hodhën shumë molotovë dhe ka goxha dëme. Kishim një ditë të bukur, me ëorkshope, me të rinj, me joga; kemi qenë gjatë ditës në oborr, një ditë me diell, pra një ditë festive. Ambienti ka qenë i hapur publik, njerëzit mund të vinin të qëndronin. E kuptuam që ishin molotovët e protestës sepse pamë protestuesit që po vinin drejt vilës dhe ishte bllokuar edhe rruga nga policia. Ishte tronditëse. Artistët janë të huaj dhe ndodhen aty nga janari. Janë në fund të rezidencës së tyre”, tha njëra prej artisteve.

Ora 22:21
Sulmi me molotovë drejt vilës me artistë, Gonxhja: Akt terrorist ndaj imazhit të Shqipërisë, nuk mund ta digjni dot frymën e lirisë

Ministri Blendi Gonxhja ka reaguar për sulmin drejt vilës së Enver Hoxhës, duke e cilësuar atë si një akt të papranueshëm dhune dhe agresioni ndaj artit, lirisë dhe imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë. Sipas tij, në godinë ndodheshin 12 artistë, shumica të huaj, të cilët fatmirësisht nuk pësuan lëndime. Ai e konsideron ngjarjen një sulm terrorist ndaj vlerave demokratike të vendit, duke theksuar se projekte si ArtExplora përfaqësojnë hapjen, kulturën dhe orientimin evropian të Shqipërisë. Gonxhja kërkon gjithashtu që drejtësia të veprojë me përgjegjësi për këtë rast.

“Është absolutisht revoltuese të shohësh se si verbëria politike e një opozite të dëshpëruar nuk ndalet para asgjëje, duke lëshuar masivë molotovi mbi një godinë ku brenda ka artistë, njerëz, jetë dhe krijimtari! Të sulmosh me egërsi një qendër ndërkombëtare arti si ArtExplora, një nga fondacionet më prestigjioze në botë për mbështetjen e talentit dhe rezidencave artistike, është një akt terrorizmi që tenton të na kthejë pas në epokat më të errëta të hirit dhe shkatërrimit.

Sot, në ato mure nuk ka më izolim ideologjik, por studio ku artistë elitarë nga e gjithë bota kanë zgjedhur të jetojnë e të krijojnë. Kjo vilë, e shndërruar në një tempull të mendimit të lirë, është dëshmia e triumfit tonë mbi diktaturën dhe dhuna e sotme është një sulm ndaj qytetërimit tonë që mbi kujtesën ngre ndërgjegjen. 12 artistë, shumica të huaj, e mes tyre edhe të rinj që vijnë nga vende me fronte lufte dhe që kanë përjetuar trauma, pikërisht sepse programi ka edhe natyrë sociale e solidare, ndodheshin sot aty, për fat pa pasoja, ndërsa po informojme e qetësojmë familjet. Një komunitet artistik që jeton e punon në atë objekt për të materializuar lirinë u terrorizua sot nga antiliria!

Ky nuk është opozitarizëm, ky është një agresion i hapur dhe i shëmtuar ndaj imazhit të ri të Shqipërisë dhe miqve tanë ndërkombëtarë! Ky akt i pabesë vandalizmi tregon fytyrën e vërtetë të një opozite që ushqehet vetëm me rrënim! Ata duan ta shohin Shqipërinë të mbuluar nga tymi dhe balta, sepse nuk e durojnë dot ringritjen tonë, nuk e durojnë dot suksesin e një vendi që po bëhet pikë referimi për kulturën dhe turizmin!

Ju mund të hidhni molotov, por nuk mund ta digjni dot frymën e lirisë. Vila31 x ArtExplora dhe artistët tanë në rezidencë nuk do të mposhten nga frika dhe ky shtet nuk do të lejojë që prapambetja dhe dhuna politike të marrin peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë! Do ndjekim me vëmendje nëse edhe këtë herë prokuroria do falë, si pa zarar, një krim ndaj jetës!”, shkruan Gonxhja.

Ora 22:06
U sulmua me breshëri molotovësh/ Report Tv sjell pamjet ekskluzive nga brenda vilës së Hoxhës, xhama të thyer e objekte të dëmtuara

Report Tv ka siguruar pamje nga brenda vilës së diktatorit Enver Hoxha pas sulmit të militantëve të PD-së, të cilët hodhën breshëri molotovësh e mjetesh piroteknike. Gjatë këtij momenti të paprecedentë, në vilën që sot shërben si qendër kulture, ndodheshin 7 artistë të huaj dhe 3 persona të tjerë që shërbejnë si personel. Vila mori flakë nga kati i parë në atë të dytin ndërsa nga pamjet që sjell Report Tv shihen dëmet e lëna pas, xhama të thyer e objekte të dëmtuara.