Sulmi izraelit me dron në Iran, dyshohet si pjesë e ‘strategjisë së frenimit’

Sulmi izraelit me dron në Iran, dyshohet si pjesë e ‘strategjisë së frenimit’

Shpërthimi me bombë në një ndërtesë ushtarake të Iranit

Një sulm i dyshuar izraelit me dron goditi një ndërtesë ushtarake iraniane më 28 janar, që sipas analistëve ishte një sulm që është pjesë e përpjekjes së re për të frenuar Teheranin.

Përpjekjet e zgjatura për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, të arritur midis Iranit dhe fuqive botërore, kanë dështuar. Në mungesë të një marrëveshjeje, Teherani ka grumbulluar mjaftueshëm uranium të pasuruar në nivel të lartë për të krijuar disa armë bërthamore, ka thënë agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara.

Irani po ashtu varet nga lidhjet ushtarake me Rusinë dhe i furnizon trupat ruse me dronë luftarakë për luftën kundër Ukrainës. Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani po ashtu mund t’i dërgojë Moskës raketa të fuqishme balistike dhe raketa të tjera.

Gjatë vitit të kaluar, brenda Iranit ka pasur një sërë incidentesh, përfshirë sabotime, sulme kibernetike, atentate dhe vrasje të mistershme të anëtarëve të Gardës së fuqishme Revolucionare Islamike, por edhe të shkencëtarëve dhe inxhinierëve. Për disa prej këtyre incidenteve, Teherani ka fajësuar Izraelin, armikun e tij rajonal.

“Deri vitin e kaluar, strategjia e frenimit e Izraelit kishte dy aspekte kryesore: parandalimin e transferimit të armëve dhe pajisjeve iraniane për në Siri dhe Liban, duke sulmuar autokolonat tokësore dhe ajrore, dhe duke u përpjekur që të pengojë programin bërthamor të Iranit përmes sulmeve ndaj shkencëtarëve dhe uzinave bërthamore iraniane”, tha Hamidrez Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Teherani është një mbështetës kyç i presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe i grupit militant libanez, Hizballah.

Azizi tha se Izraeli ka sulmuar ndërtesat ushtarake, dhe jo ato bërthamore, brenda Iranit gjatë muajve të fundit, që sipas tij, vënë në pah “elementin e tretë, të ri” të politikës së Izraelit ndaj Iranit.

“Këto sulme si duket synojnë sabotimin e prodhimit të raketave të avancuara dhe dronëve nga Republika Islamike”, tha Azizi për Radion Evropa e Lirë.

“Kundërshtimi i aktiviteteve destabilizuese të Iranit”

Mediat amerikane kanë cituar zyrtarë të paidentifikuar të inteligjencës amerikane të cilët kanë thënë se Izraeli qëndron pas sulmit në ndërtesën ushtarake në qytetin Isfahan, që është shtëpi e qendrës për kërkim dhe prodhim të raketave. Pentagoni ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë të përfshira në këtë sulm.

Shkalla e dëmit në ndërtesën ushtarake është ende e paqartë. Ministria e Mbrojtjes së Iranit ka deklaruar se shpërthimi në “punëtori” ka shkaktuar vetëm dëme të vogla dhe nuk ka pasur viktima. Videot e postuara në rrjetet sociale kanë treguar se aty ka ndodhur një shpërthim.

Sulmi pasi një udhëtim në Izrael nga shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, William Burs, dhe një vizitë të mëhershme të këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.

Gjatë vizitës në Izrael më 30 janar, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha gazetarëve se zhvilloi bisedime me Qeverinë izraelite të krahut të djathtë lidhur me “thellimin e bashkëpunimit për t’iu kundërvënë dhe kundërshtuar aktivitetet destabilizuese të Iranit në rajon dhe më tej”.

Teherani nuk ka fajësuar ende askënd për sulmin. Ministri i Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, tha se “sulmi frikacak me dron” synonte krijimin e “pasigurive” brenda Republikës Islamike.

Irani thirri në bisedë të ngarkuarin me punë në Teheran të Ukrainës pasi një ndihmës i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Mykhaylo Podolyak, shkroi në Twitter për “shpërthimin gjatë natës në Iran”, duke shtuar se Ukraina “ju kishte paralajmëruar”. REL

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht