Kuvendi ka reaguar lidhur me sulmin kibernetik nga një grup hakerash të lidhur me Iranin duke bërë me dije se ka ndodhur mbrëmjen e së hënës. Është vënë re një hyrje e paautorizuar në rrjet dhe fshirja e një pjese informacionesh në disa llogari.

Kuvendi bën me dije se sulmi ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e sistemeve të brendshme, por asgjë s’është prekur. Njëkohësisht janë marrë masat e nevojshme për izolimin dhe neutralizimin e sulmit, si edhe rikuperimin e të dhënave të fshirja.

“Në përgjigje të interesimit të medias, Kuvendi i Shqipërisë informon se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:00, është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit. Gjatë verifikimeve është vënë re fshirja e një pjese të informacionit në disa llogari përdoruesish të punonjësve të administratës. Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm të sofistikuar kibernetik, i cili ka pasur si synim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme. Nga analizat e para rezulton se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur. Faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë dhe sistemet e tjera që mbështesin funksionimin e institucionit vijojnë të funksionojnë normalisht. Menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit. Ndërkohë, ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira në llogaritë e përdoruesve”, thotë njoftimi.

Gjithashtu, veç institucioneve të posaçme për sigurinë kibernetike, është ofruar mbështetje edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Për këtë situatë është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po punon për analizimin e plotë të incidentit, identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura. Në këtë proces Kuvendi i Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Drejtorinë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, gjatë këtyre orëve është ofruar mbështetje teknike edhe nga partnerët ndërkombëtarë, me të cilët po vijon komunikimi për vlerësimin e situatës dhe hapat e mëtejshëm”, përfundon njoftimi i Kuvendit.


Lajmi kryesor:

‘Po strehoni muxhahedinët’, Irani sulm kibernetik Kuvendit, publikohen email-et e deputetëve! Parlamenti: U fshinë disa të dhëna, morëm masa