Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar sulmin ndaj gazetarëve që po mbulonin në terren protestën kundër shkrirjes së Bashkisë së Maliqit. Gazetarët u sulmuan dhe u penguan gjatë ushtrimit të detyrës nga organizatori i protestës, Arjan Asimi, i cili i akuzoi mediat si “të shitura” dhe “në shërbim të pushtetit”.
AGSH e cilëson të papranueshme çdo formë intimidimi, fyerjeje apo dhune ndaj gazetarëve, duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk mund të cenojë të drejtën e medias për të raportuar lirisht.
Shoqata kërkon nga Policia e Shtetit që të dokumentojë plotësisht ngjarjen, të verifikojë denoncimet e gazetarëve dhe të marrë masat e parashikuara nga ligji.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësim serioz për incidentin e ndodhur gjatë një proteste të zhvilluar në Maliq, ku gazetarët që po raportonin nga terreni janë penguar dhe sulmuar gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas dëshmive të gazetarëve të pranishëm, organizatori i protestës, Arjan Asimi, ka ndërhyrë në momentin kur ata po intervistonin qytetarë pjesëmarrës në protestë, duke ndërprerë intervistat dhe duke i akuzuar mediat si “të shitura” dhe “në shërbim të pushtetit”. Situata më pas është përshkallëzuar me ofendime dhe përplasje fizike, duke detyruar gazetarët të ndërpresin raportimin dhe të largohen nga protesta.
AGSH e konsideron të papranueshme çdo formë intimidimi, fyerjeje, kërcënimi apo dhune ndaj gazetarëve, pavarësisht se nga kush ushtrohet ajo dhe pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike të personave të përfshirë.
Protesta është një e drejtë demokratike, por po aq themelore është e drejta e gazetarëve për ta raportuar atë lirisht, pa u penguar, fyer apo sulmuar. Pakënaqësia ndaj mënyrës se si një media raporton nuk mund të shërbejë në asnjë rrethanë si justifikim për agresion ndaj punonjësve të medias.
Gazetarët e përfshirë në incident i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Maliq. AGSH u kërkon Policisë së Shtetit dhe autoriteteve kompetente të dokumentojnë plotësisht ngjarjen, të verifikojnë me seriozitet denoncimet e gazetarëve dhe të marrin masat e parashikuara nga ligji.
AGSH u bën thirrje gjithashtu organizatorëve të protestave, përfaqësuesve politikë dhe çdo personi publik që të respektojnë punën e gazetarëve dhe të garantojnë që aktivitetet publike të jenë mjedise të sigurta për raportimin e lirë”, shkruan AGSH.
Lajmi kryesor:
‘Territorialja’/ Sulmohen gazetarët gjatë protestës në Maliq, mes tyre edhe korrespondenti i Report Tv! Aktivisti i Lapajt i pengon gjatë detyrës: Shporruni, i shërbeni sistemit (VIDEO)









