MALIQ- Protesta kundër shkrirjes së Bashkisë së Maliqit dhe bashkimit të saj me Korçën u shoqërua me tensione, ndërsa organizatori Arian Asimi dhe disa prej protestuesve sulmuan gazetarët që po raportonin ngjarjen në terren, mes tyre edhe korrespondentin e Report Tv në Korçë, Armand Braho.

Në momentin kur grupet e xhirimit po intervistonin disa prej protestuesve, organizatori i protestës, Arian Asimi, i njohur edhe si eksponent politik i Adriatik Lapajt, iu drejtua gazetarëve me akuza dhe ofendime, duke i cilësuar mediat si të shitura dhe në shërbim të pushtetit. Situata degradoi edhe në përplasje fizike, duke penguar gazetarët gjatë ushtrimit të detyrës.

Arian Asimi: Ta tregoj unë këtë fytyrë, që i shërben këtij sistemi dhe vjen këtu për të prishur protestën.

Gazetarët: Po sulmoni të gjithë gazetarët.

Asimi: Shporru që këtu, mos provoko në protestë. Do të dilni para të gjithë shqiptarëve. Pse filmon? Ti duhet të largohesh se i shërben këtij sistemi.

Përballë ofendimeve dhe akuzave, gazetarët ndërprenë intervistat, hoqën mikrofonat dhe u larguan nga protesta, duke refuzuar të vijonin raportimin në këto kushte.

Më pas ata iu drejtuan Komisariatit të Policisë së Maliqit për të bërë denoncim për rastin.