Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka mbledhur me urgjencë drejtuesit e policisë së Qarkut të Elbasanit, pas incidentit të dy ditëve më parë ku një automjet i blinduar sulmoi makinën e zv/drejtorit të policisë

Ngjarja ndodhi pas një aksioni në lagjen "Dyli Haxhire" për sekuestrimin e automjeteve luksoze. Blutë po shoqëronin në komisariat për verifikime një "Range Rover" 100 mijë euro kur papritur automjeti i policisë u godit nga një audi i cili lëvizte me shpejtësi. 

Automjeti rezultoi në pronësi të biznesmenit të njohur nga Elbasani, Petrit Çela. 

Menjëherë pas kësaj ngjarje, policia arrestoi Ledio Zabelin, 26 vjeç dhe Kelmend Xhaferri, 35 vjeç, ku ky i fundit drejtonte "Range Rover" mjetin që u ndalua fillimisht për kontroll, ndërsa Zabeli ishte pasagjer.

Më pas policia prangosi edhe rojën e tregut agro-ushqimor Valmir Dedja, i cili pengoi oficerët e policisë për të ushtruar kontroll.

Për “Audin” e blinduar u raportua se ishte në pronësi të biznesmenit Petrit Çela, ndërsa në momentin e ngjarjes drejtohej nga djali i tij.

Ndërkaq, dje biznesmeni Çela mohoi të jetë i përfshirë në ngjarje dhe se nuk është në kërkim por se është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime.

 Burime pranë policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se pritet të ketë shoqërime të tjera lidhur me ngjarjen, ndërsa hetimet do përfshijnë edhe punonjës të policisë.  
audi i blinduar
(Audi që përplasi makinën e zv/drejtorit të policisë së Elbasanit)

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com