Sulmi në Gjermani/ 5 të vdekur, mes tyre një 9-vjeçar, 205 të plagosur, 41 në gjendje të rëndë! Scholz viziton tregun e Krishtlindjeve (VIDEO)

GJERMANI- Qyteti i Magdeburgt në Gjermani u trondit mbrëmjen e djeshme nga një sulm. Bilanci është rritur në 5 viktima, mes tyre një 9-vjeçar, si dhe 205 të plagosur. Sulmuesi që është vënë në pranga, një mjek me origjinë nga Arabia Saudite u fut me makinë në tregun e Krishtlindjeve duke përplasur turmën e njerëzve. 

Sipas policisë, 50-vjeçari i cili e kishte marrë mjetin me qira hyri në turmë duke lëvizur me shpejtësi për  rreth 400 metra. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve okularë, sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg filloi në orën 19:04 të kur një BMW e errët hyri në turmë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz mbërriti në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, i veshur me të zeza.

Mediat raportojnë se sulmuesi e ka marrë me qira automjetin pak para sulmit, ndërsa besohet se ai ka vepruar i vetëm. Sulmuesi jeton në Gjermani që nga viti 2006. Pamjet treguan edhe momentin e arrestimit të tij, i shtrirë në tokë me duar të lidhura dhe dy policë që qëndrojnë pranë tij.

Ngjarjet në Magdeburg "parashikojnë më të keqen", tha kancelari gjerman Olaf Scholz. "Mendimet e mia shkojnë për viktimat dhe familjet e tyre. Ne jemi pranë tyre dhe qytetarëve të Magdeburgut", shkruan ai në një mesazh në X.

Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe kryeministri Rama, presidenti Begaj e ministri Hasani.

SHBA është "të tmerruar nga sulmi" në Magdeburg, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen ka dënuar "aktin brutal dhe frikacak" në Magdeburg dhe presidenti francez thotë se është "thellësisht i tronditur".

“Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen dhe miqtë, falënderimet e mia për policinë dhe punonjësit e shpëtimit. “Ky akt dhune duhet të hetohet dhe të dënohet ashpër”.

Sipas disa raporteve të lajmeve gjermane, i dyshuari nuk ishte i njohur për autoritetet si një ekstremist islamik, ndërsa mediat sociale dhe postimet në internet duket se sugjerojnë se ai kishte qenë kritik ndaj Islamit.

Një shërbim përkujtimor do të mbahet në katedralen e qytetit sot në orën 19:00 me orën lokale. Ngjarjet e planifikuara kulturore, duke shfaqjet teatrale, anulohen për ditët në vijim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:51
FOTOT/ Masakra në Magdeburg, gjermanët zhvillojnë homazhe për viktimat

1734811141_facbddb3df714a95b6d7a6b5129d.jpg

Qindra njerëz, përfshirë përfaqësues të ekstremit të djathtë, u mblodhën në Magdeburgo 24 orë pas sulmit vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjeve, i cili shkaktoi të paktën pesë të vdekur dhe 200 të plagosur.

Qindra besimtarë, mes tyre presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, morën pjesë në katedralen e qytetit në ceremoninë përkujtimore të dedikuar familjarëve të viktimave, ekipeve të shpëtimit dhe të ftuarve. Një turmë e madhe njerëzish u mblodh jashtë kishës për të ndjekur ceremoninë përkujtimore në një ekran të madh, duke vendosur lule dhe ndezur qirinj.

Qindra të tjerë zaptuan sheshin qendror të qytetit, ku disa shfaqën pankarta të ekstremit të djathtë.

Ora 18:08
Gjermani/ Sulmi në tregun e Krishtlindjeve, mes viktima është një fëmijë 9 vjeç! 41 nga 205 të plagosurit janë në gjendje të rëndë

1734730362_gjermani.JPG

Foto nga vendngjarja/ 20 dhjetor 2024

Një djalë 9-vjeçar është mes 5 viktimave të sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg. Kështu deklaroi një zyrtar nga qyteti i Magdeburgut, Ronni Krug, i cili shtoi se nuk kishte informacione të mëtejshme për të rriturit e vrarë.

Numri i të plagosurve është 205,  41 persona janë lënduar rëndë ose shumë rëndë, shtoi ai.

Prokurori Horst Nopens shtoi se i dyshuari, një mjek saudit 50-vjeçar, është nën hetim nën dyshimin për vrasje, tentativë për vrasje.  Ai u mor në pyetje.

Ora 17:31
Masakra në Magdeburg, prokuroria: Vrasësi, i pakënaqur me trajtimin e refugjatëve! AfD reagon pas lajmeve se autori ishte simpatizant i saj

1734798944_20241207T110936Z606459035RC2.jpg

Alice Weidel

"Siç qëndrojnë gjërat," motivi i sulmuesit të Magdeburgut "mund të jetë pakënaqësia me mënyrën se si trajtohen refugjatët sauditë në Gjermani". Këtë e tha në një konferencë shtypi kryeprokurori i Magdeburgut, Horst Walter Nopens.

Për më tepër, pas lajmeve se vrasësi i identifikuar si Taleb Al Abdulmohsen ishte simpatizant i partisë së ekstremit të djathtë, AfD, kjo e fundit ka hedhur poshtë aludimet se ai mund të ketë qenë anëtar i saj. 

"Mund të përjashtojmë që autori i sulmit në Magdeburg të ishte anëtar i AfD. Asnjëherë nuk ka pasur as një kërkesë për t'u bashkuar", tha zëdhënësja e kreut të "Alternativës për Gjermaninë" Alice Weidel për Rheinische Post.

Ora 15:18
Zbulohet identiteti i autorit të masakrës në Magdeburg: Psikiatër saudit anti-islam, fans i AfD-së dhe Elon Muskut

1734790825_talebalabdulmohsen.jpg

Taleb Al Abdulmohsen

E kapën njëqind metra larg vendit të masakrës. Policia e ndaloi pranë një stacioni tramvaji, ai u shtri në tokë për t’u prangosur pranë BMW-së së marrë me qira, i qetë. Por, mes disa sekondave të masakrës dhe arrestimit, Taleb Al Abdulmohsen arriti të postonte disa video të çmendura, të cilat mund të jenë një nga çelësat për të kuptuar masakrën e Krishtlindjeve që tronditi Gjermaninë.
“Jam i persekutuar nga gjermanët”, pohon ai në video. Në një postim në X (ish-Twitter) shkruan: “Sokrati u vra nga grekët dhe askush nuk pagoi. Nëse duhet bërë drejtësi, atëherë ajo duhet të ndalojë islamizimin e Evropës”.

Duke ndjekur mbrapsht biografinë e tij, përmes aktivitetit të tij intensiv në X, intervistave të tij dhe gjurmëve të jetës në qytetin ku jetonte, Bemburg, del në pah profili i një degradimi të ngadaltë, por të pandalshme, të një qytetari model. Del historia e një mbërritjeje në Gjermani që nisi me perspektivat më të mira, si refugjat plotësisht i integruar, dhe e një biografie që doli jashtë shtegut për shkak të një fanatizmi në rritje kundër islamit, që e kishte çuar ish-refugjatin të përqafonte teza dhe figura të spikatura të ekstremit të djathtë bashkëkohor, nga Elon Musk te Alice Weidel, duke kaluar te kreu i Identitarëve, Martin Sellner.

Lindja dhe mbërritja në Gjermani
I lindur në vitin 1974 në Hufuf, Arabi Saudite, Taleb Al Abdulmohsen mbërriti në Gjermani në vitin 2016, pasi përfundoi specializimin në psikiatri.

Angazhimi për gratë
Fillon punë në një klinikë në Bemburg, në Saksoninë-Anhalt, rreth pesëdhjetë kilometra në jug të Magdeburgut. Në ato vite, profili i tij dukej ai i një emigranti të integruar dhe bujar: Al Abdulmohsen angazhohet për gratë saudite që duan të ikin nga regjimi dhe “nga përdhunimet e tutorëve të tyre meshkuj”, siç tregon në vitin 2019 për “Frankfurter Rundschau”.
“Jam personi më kritik ndaj Islamit në histori”, rrëfehet ai për gazetën gjermane. Pasojnë intervista të tjera: me gazeta të mëdha gjermane, me BBC.

Në atë kohë, Al Abdulmohsen kishte ende besim në sistemin gjerman të azilit, që “mund t’u dhurojë grave lirinë”. Sidomos bashkëkombëseve të tij të shtypura nga një monarki islamike. Dhe ai vetë e fitoi statusin e refugjatit në vitin 2016, sepse pretendonte se refuzimi i tij i plotë ndaj Islamit e kishte ekspozuar ndaj kërcënimeve me vdekje nga fanatikët. Por në vitet që pasuan, diçka shkoi keq.

Ndryshimi
Al Abdulmohsen filloi të postonte video gjithnjë e më të gjata, gjithnjë e më të çuditshme. Psikiatri dukej sikur kishte humbur besimin te Gjermania dhe po radikalizohej. Në X, ai sulmonte gjithnjë e më shpesh vendin që e mirëpriti, duke e fajësuar se “gjuan refugjatët sauditë brenda dhe jashtë vendit për t’ua shkatërruar jetën”. Pohonte se Gjermania dëshiron të “islamizojë Evropën”, postonte një foto të ish-kancelares Angela Merkel me mbishkrimin në anglisht: “E kam shkatërruar Evropën”.

Musk dhe AfD
Dhe një ide fikse filloi t’i pushtonte mendjen. Që bashkatdhetarët e tij kërcënoheshin nga “autoritetet” gjermane, që për ateistët si ai, Gjermania preferonte “xhihadistët”. Në faqe amerikane anti-islame filloi të kërkonte mbylljen e kufijve. Dhe rrëshqitja e tij shkoi aq larg, sa filloi të simpatizonte ekstremizmin e djathtë, gjerman dhe global.
I pëlqente teknosovranisti Elon Musk, admironte të djathtën ekstreme gjermane, për të cilën shkruante: “Kush, përveç AfD-së, lufton Islamin?”. Gjeti ngushëllim, në urrejtjen e tij të thellë kundër myslimanëve, edhe te kreu i Identitarëve, Martin Sellner. Dhe Alice Weidel-it, kreut të AfD-së, Al Abdulmohsen i shkroi drejtpërdrejt në X: “E majta është e çmendur, na duhet AfD për të mbrojtur policinë”.

Dikush vuri re ato postime, ato komente gjithnjë e më agresive. Sipas mediave gjermane, autoritetet saudite i kishin sinjalizuar Berlinit për ato çmenduri në rritje. Por askush nuk veproi. Madje as kur pranë profilit të Taleb Al Abdulmohsen u shfaq një mitraloz./ La Repubblica

Ora 11:41
Sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani, shkon në 5 numri i viktimave, 205 të plagosur! Scholz mbërrin në Magdeburg

1734777930_scholz.JPG

Numri i të vdekurve nga sulmi në Magdeburg ka shkuar në 5. 

Sipas mediave gjermane janë mbi 205 të plagosur, mes të cilëve rreth dyzet janë në gjendje të rëndë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbërritur në Magdeburg për të nderuar viktimat e sulmit të djeshëm në një treg Krishtlindjesh.

I veshur me të zeza, Scholz shoqërohet nga ministra kombëtarë dhe rajonalë që mbajnë lule.

Ora 09:12
Von der Leyen dënon sulmin në tregun e Krishtlindjeve: Ngushëllimet e mia shkojnë për të afërmit e viktimave

1729935762_vonderleeyennekosooves.JPG

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se “mendimet e saj janë me viktimat”, pas sulmit “brutal dhe frikacak” në një treg Krishtlindjesh në qytetin gjerman të Magdeburgut, dje në mbrëmje.

Von der Leyen, një politikane konservatore gjermane, e cila drejton krahun ekzekutiv të BE-së, bëri thirrje që “akti i dhunës” të “hetohej dhe të ndëshkohej ashpër”.

“Ngushëllimet e mia shkojnë për të afërmit dhe miqtë e viktimave”, shkroi Von der Leyen në X, duke falënderuar policinë dhe shërbimet e shpëtimit.

Ora 07:28
Sulmi terrorist në Gjermani, Begaj: I tmerrshëm, duhet të dënohet

1734641651_bajrambegaj.jpg

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas sulmit terrorist në Gjermani, me të paktën 2 viktima.

“Sulmi i tmerrshëm ndaj qindra njerëzve paqësorë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë duhet të dënohet në termat më të ashpër si një akt frikacak, jo dinjitoz dhe i pajustifikueshëm.

Shqipëria qëndron me vendosmëri me popullin e Magdeburgut dhe të gjithë Gjermanisë me këtë rast dhe shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave”, shprehet Begaj.

SI.E./K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bim: 21/12/2024 08:25

    Na doli nje ekstremist antiislamik dhe laik nje soj si Breivik ne Norvegji

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 24 Janar, 09:42

    Sa i drejtë do të jetë procesi i primareve në PD?



×

Lajmi i fundit

Financuan blerjen e mbi 7 tonë drogë nga Kolumbia për në Spanjë, EUROPOL godet kartelin shqiptar në Dubai! 6 mln euro të sekuestruara

Financuan blerjen e mbi 7 tonë drogë nga Kolumbia për në Spanjë, EUROPOL godet kartelin shqiptar në Dubai! 6 mln euro të sekuestruara