Talenti me origjinë shqiptare, Brajan Gruda, ka dhënë një tjetër sinjal të qartë për të ardhmen e tij ndërkombëtare, duke konfirmuar se zgjedhja e tij mbetet Gjermania dhe jo Shqipëria.

Mesfushori me tipare sulmuese, i cili e ka prejardhjen nga Shkodra, ishte një nga objektivat kryesorë të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për ta bindur që t’i bashkohej kuqezinjve. Megjithatë, lojtari ka qenë vazhdimisht i prerë në qëndrimin e tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gruda theksoi: “Gjithmonë është nder të luash për Gjermaninë. Disa hapa mbrapa, por i lumtur me rezultatet. Rikthehemi së shpejti”, duke lënë të kuptohet qartë prioritetin e tij.

Aktualisht, Gruda është pjesë e përfaqësueses U-21 të Gjermanisë dhe konsiderohet titullar i padiskutueshëm. Ai shihet gjithashtu si një lojtar me potencial për ekipin A, edhe pse gjasat për një ftesë në Kupën e Botës 2026 mbeten të kufizuara për momentin.

Ndërkohë, në të njëjtën skuadër të Gjermanisë janë edhe emra të tjerë me origjinë shqiptare, si Nelson Weiper dhe Arijon Ibrahimovic, të cilët vijojnë të jenë në radarët e FSHF-së për një përfaqësim të mundshëm në të ardhmen.