Superliga shqiptare e futbollit mbylli sot raundin e 21-të. Duke nisur nga ora 13:30 te tri pikët doli KF Tirana, ndërsa Teuta dhe Vora barazuan 1-1. Bardheblutë e Nuhiut mposhtën 1-0 Flamurtarin në sfidën e mbijetesës dhe ndezin shpresat për shpëtimin e sezonit, ndërsa Teuta barazoi 1-1 në Vorë në një sfidë që u mbyll pas 106 minutash lojë dhe protestave. AF Elbasani fitoi 2-0 kundër Dinamos, duke futur në krizë ekipin e Ilir Dajës.
Në "Selman Stërmasi" KF Tirana mposhti 1-0 Flamurtarin me golin e Myslovic në minutën e 77-të. Afrimi i kësaj merkatoje ka rezultuar i goditur për bardheblutë që marrin tri pikë shumë jetike në garën për mbijetesën, por sërish mbeten në vendin e fundit, tanimë vetëm një pikë pas Flamurtarit dhe dy pas Bylisit. Ndeshja në "Selman Stërmasi" nisi me një minutë heshtje dhe homazhe në nderim të Irinës, vajzës 10-vjeçare të futbollistit të Tiranës, Freddy Alvarez, e cila u nda tragjikisht nga jeta dje pas një incidenti në banesë. Myslovic ia dedikoi asaj golin e fitores së Tiranës.
Në "Elbasan Arena", vendasit e AF Elbasanit fituan 2-0 kundër Dinamos. "Blutë" e Ilir Dajës kanë tre ndeshje pa fitore, dy nga të cilat humbje radhazi dhe janë në krizë rezultatesh. Për të besuarit e Ivan Gvozdenovic vendosi dopieta e Ibtahima Diallo në pjesën e parë. AF Elbasani me 38 pikë mbetet në vendin e tretë, në ndjekje të kreut.
Në stadiumin e Vorës, Teuta barazoi 1-1 kundër vendasve. Kasalla kaloi fillimisht Vorën në epërsi pas 26 minutave lojë, ndërsa fundi ishte dramatik. Një penallti e dhënë në favor të Teutës në minutën e 90-të nga arbitri Olsid Ferataj solli protestën e futbollistëve të Vorës dhe më pas braktisjen e ndeshjes për disa minuta nga ana e tyre. Pas rikthimit në fushë ishte Xhoele Macolli që vendosi barazimin 1-1 në këtë duel i cili zgjati 106 minuta.
Pas raundit të 21-të, Superliga bashkëkryesohet nga Vllaznia dhe Egnatia me nga 39 pikë, por me shkodranët në krye për shkak të ndeshjeve direkte. Ndjekin AF Elbasani dhe Dinamo. Në fund Bylisi, Flamurtari dhe Tiranë, por zona e ftohtë ka filluar të ketë një garë shumë interesante.
Superliga, raundi 21:
E shtunë, 24 janar 2026
13:30 Bylis 2-2 Egnatia
16:30 Vllaznia 1-0 Partizani
E diel, 25 janar 2026
13:30 Tirana 1-0 Flamurtari
13:30 Teuta 1-1 Vora (u luajt në Vorë)
16:30 AF Elbasani 2-0 Dinamo
Renditja:
Komente








