BALLSH - Superliga shqiptare e futbollit nisi këtë të shtunë me raundin e 21-të. Në Ballsh, vendasit e Bylisit ndalën 2-2 kryesuesit e Egnatias, teksa kreu mund të ndryshojë në fund të gjithë takimeve. Dueli tjetër që ishte programuar për sot në orën 13:30, ai mes KF Tiranës dhe Flamurtarit, u shty me 24 orë për shkak të ngjarjes tragjike që përfshiu futbollistin bardheblu Freddy Alvarez, vajza e vogël e të cilit u nda nga jeta mëngjesin e sotëm.

Në "Adush Muça" të Ballshit, Bylisi siguroi një pikë që mund të rihapë garën për titullin kampion dhe mbijetesën. Barazimi 2-2 kundër Egnatias tregoi se edhe pse në zonën e mbijetesës, Bylisi ka një ekip për t'u respektuar dhe kështu djemtë e Mirel Josës rigjejnë një pikë pas tre humbjeve radhazi.

Mohammed Yahaya në shtesën e dytë të pjesës së parë kaloi në epërsi Egnatian, ndërsa Bylisi përmbysi me Përgjonin dhe penalltinë e Ibrahim Mustapha me nisjen e fraksionit të dytë. Duhej minuta e 70-të që një aksion i bukur të nxirrte në pozicion goditës Daniel Adjessan, me sulmuesin e Egnatias që vendosi barazimin 2-2.

Pas javës së 21-të Egnatia e gjen veten për momentin sërish në krye me 39 pikë, tre më shumë se Vllaznia. Shkodranët luajnë sot kundër Partizanit në "Loro Boriçi" dhe një fitore e tyre do i katapultonte në vendin e parë me pikë të barabarta me Egnatian, pasi në tre përballjet direkte mes tyre, Vllaznia ka dy fitore në Shkodër dhe një barazim (2-2) në Rrogozhinë.

Superliga, raundi 21:

E shtunë, 24 janar 2026

13:30 Bylis 2-2 Egnatia

16:30 Vllaznia - Partizani

E diel, 25 janar 2026

13:30 Tirana - Flamurtari

13:30 Teuta - Vora

16:30 AF Elbasani - Dinamo

Renditja: