Të dielën do të luhen pjesa më e madhe e javës së 31 të Superligës ku 6 skuadra do të kërkojnë me patjetër fitoren për të arritur objektivat në këtë fund sezoni. Në Korçë Skënderbeu do të presë Flamurtarin në ndeshje ku vendoset shumë për Kupat e Europës, pasi ekipet janë jo shumë larg nga njëri-tjetri. Në prag të takimit, trajneri i Skënderbeut Orges Shehi, i druhet dendësisë së ndeshjeve që korçarët kanë patur në periudhën e fundit.
“Lujamë tre ndeshje në harkun e 8 ditëve kështu që pas ndeshjes me Kukësin jemi munduar të rikuperojmë energjitë. Kur takimet janë afër ritmi dhe tempi në stërvitje bie.”
Ndërkohë dy futbollistët e Flamurtarit, kapiteni Franc Veliu dhe Mesfushori Argjend Mustafa janë shprehur:
Veliu: “Në kampionat mesa mbaj mend kemi 9 humbje. Shpresoj që historia të kthehet në favorin tonë dhe të marrim tre pikët.”
Mustafa: “Për Europën të them të drejtën kam besim që mund ta arrijmë. Normal duhet të jemi të gjithë grup dhe të vazhdojmë me këtë ecuri që kemi, pastaj gjithçka është e mundshme.”
Një ndeshje tjetër me shumë interes do të luhet në Gjirokastër mes Luftëtarit dhe Tiranës. Bardheblutë të cilët në mesjavë barazuan pa gola në Kupë me gjirokastritët këtë herë do tentojnë të fitojnë me patjetër për të siguruar mbijetesën. Tirana e vendit të tetë është dy pikë më pak se Luftëtari, por rrezikohet shumë nga Kastrioti i vendit të 9 që këtë javë e ka fitoren të sigurtë pasi kalendari i rezervon ndeshjen me Kamzën.
Ndeshja tjetër e ditës së dielë është ajo mes Kukësit dhe Teutës. Verilindorët kanë ende shpresa për titullin dhe do tëntojnë me patjetër fitoren, ndërsa nga ana tjetër durrsakët synojnë të rikthehen te rezultatet pozitive dhe të luftojnë fort për zonën e Europës.