Partizani ka fituar ndeshjen e javës së 13-të të Kategorisë Superiore teksa ka mposhtur Laçin me rezultatin e ngushtë 1-0 në Selman Stërmasi. Të kuqtë e kryeqytetit kanë marrë fitoren e 10-të të sezonit dhe ndodhen të vetëm në krye të renditjes me 31 pikë, një më shumë se ndjekësit më të afërt e Skënderbeut.
Që nga minuta e parë ishin vendasit ata që kontrolluan ndeshjen por e kishin shumë të vështirë të krijonin mundësi goli ndaj një Laçi që mbrohej në mënyrë të organizuar. Pjesa e parë ishte e vakët dhe pa shumë momente kulmore, por pas pushimit skuadrat dalin më të karikuara nga dhomat e zhveshjes. Dhe në minutën e 62’ erdhi goli i vetëm i takimit. Ishte Bardhi ai që shënon me kokë nga brenda zonës. Ky ishte goli i tretë në këtë sezon për talentin e kryeqytetasve.
Laçi mundohet të reagojë dhe shpërdoron një mundësi të mirë me Elvi Berishën, por goditja e tij pritet mrekullisht nga portieri Alban Hoxha. Ishte pikërisht Berisha që në minutën e 84’ bën një ndërhyrje brutale ndaj kundërshtarit duke dalë me karton të kuq të menjëhershëm. Situata tensionohet në minutat e fundit, me miqtë që vazhdonin të bënin ndërhyrje të ashpra në dëm të vendasve. Gjithsesi, Partizani e ka të lehtë të ruajë avantazhin.
Skënderbeu fiton në fund
Skënderbeu arrin që të mposhtë Flamurtarin me një gol të Devi Bregut në minutën e 89-të. Korçarët rikthehen te fitorja, në një ndeshje mjaft të luftuar, ku ndodhi gjithçka. Gola të anuluar, raste për penallti dhe situata të rrezikshme. Në fund ka vetëm një fitues, gëzojnë vendasit, që nuk i ndahen Partizanit. Në anën tjetër është Flamurtari që thyhet pas 5 ndeshjes. Pjesa e parë nisi me një rast mjaft të diskutueshëm. Batha goditi me kokë, por Teqja e ndali topin, duke e rikthyer në lojë. Bushiç arriti që ta kontrollonte dhe të shënonte, por anësori sinjalizoi pozicion jashtë loje. Protesta nga miqtë, por që ishin të pavlefshme. Në 30 minutat e para kuqezinjtë ishim mjaft kërkues dhe ushtronin shumë presion, duke i vënë vendasit në vështirësi në disa raste.
Më pas ishte radha e Skënderbeut që të krijonte disa raste të rrezikshme, me Bregun që pa në disa tentativa radhazi Koliçin ta ndalte. Pjesa e dytë nisi me të njëjtën fytyrë si fundi i fraksionit të parë. Skënderbeu ishte më agresiv, ndërsa vlonjatët e kishin paksa të vështirë që të bënin diçka para, ndonëse në disa raste tentuan të rrezikonin përmes kundërsulmeve. Në të 63-ën Krasniqi pretendoi për një ndërhyrje të parregullt nga Mustafa në brendësi të zonës së vlonjatëve, por ndante të njëjtin mendim gjyqtarët, duke e konsideruar ndërhyrjen e rregullt. Në minutat e mbetura lodhja ishte e dukshme, me skuadrat që kishin harxhuar shumë energji. Bushiç krijon një situatë të rrezikshme pak minuta para fundit të kohës së rregullt, por edhe pse topi devijohet nga Aliti, Teqja devijon në këndore, duke larguar një rast mjaft të rrezikshëm.
Bregu mendon për të entuziazmuar tifozët në stadiumin e Skënderbeut. Vlonjati ndëshkon ish-skuadrën e tij, pasi shfrytëzon mjaft mirë një harkim të Vangjelit. Festë e anësorit, i cili edhe pse i dëmtuar luajti me injeksion dhe u dha pikë të plota “ujqërve të dëborës. Skuadra e Dajës mbetet në kuotën e 20 pikëve. Skënderbeu në krahun tjetër nuk i ndahet Partizanit në krye të klasifikimit. Të besuarit e Shehit reagojnë mirë pas humbjes me Laçin në mesjavë. Java e ardhshme rezervon ndeshje mjaft delikate për të dyja skuadrat, pasi Flamurtari do të presë në shtëpi Partizanin, ndërsa Skënderbeu do të udhëtojë drejt kryeqytetit për t’u ndeshur me Tiranën.
Ky bardhi ka 10 vjet talent. E ben ndonje gol ne 6 muaj
Përgjigju