Elita e futbollit shqiptar zbret sot në fushë me tre takimet e para për raundin e 14-të. Në orën 16:30 në 'Arenën e Demave' në kryeqytet, Partizani pret Bylisin. "Demat" kanë katër ndeshje pa humbje, por mes tyre rezulton vetëm një fitore.

Ballshiotët janë një "kockë e fortë" dhe këtë e treguan kundër Dinamos në fundjavën e shkuar, duke barazuar 0-0. Sfida e fazës së parë foli 3-1 për Bylis, që përmbysën Partizanin.

Në prag të ndeshjes për mediet foli Oltijon Kërnaja. Trajneri i Partizanit vlerësoi rivalët, por tha se të tijve iu bën punë vetëm tri pikëshi. Pas 13 ndeshjeve të luajtura këtë sezon, Partizani me 14 pikë mban vendin e shtatë, ndërsa Bylis me 13 pikë ndodhet në pozitën e tetë.

"Gjendja e skuadrës në prag të takimit ndaj Bylis?

Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, luajmë kundër Bylisit në fushën tonë. Ekipi është shumë mirë si fizikisht edhe emocionalisht. Vijmë mbas disa rezultateve, të themi të mira, ndoshta meritonim edhe më shumë nga sa ka dhënë verdikti i fushës. Ekipi duket mirë, t’ia lëmë fushës pjesën tjetër.

Si e vlerësoni Bylisin si kundërshtar?

E kemi thënë disa herë, ekipet nuk kanë ndonjë ndryshim të madh në kampionatin shqiptar, janë aty-aty. Këtë e tregoi edhe në ndeshjet e fundjavës së kaluar ku Bylis barazoj me Dinamon, një ekip pretendent dhe nuk ka diferenca, ndaj e vlerësojmë maksimalisht Bylisin. Eshtë një ekip me lojtarë shumë cilësorë, një grup të ruajtur nga viti kaluar dhe në rast se mund të gabosh të ndëshkojnë shumë keq.

Në fazën e parë jeni mundur 3-1 me Bylis?

Eshtë e vërtetë që nuk kemi patur një ndeshje të mirë në Ballsh sidomos pas minutës së 40-të. Në 40 minutat e para kemi qenë ne superior duke kaluar edhe në avantazh 0-1. Në fundin e pjesës së parë kemi çaluar në disa aspekte dhe sigurisht e kemi analizuar në shumë detaje ndeshjen e kaluar, por edhe ndeshjet e tjera të Bylis.

Në prag është edhe derbi i kryeqytetit me Tiranën. Ndeshja me Bylisin është një provë?

Jo, vëmendja e gjithë ekipit, lojtarëve, stafit e gjithë tifozëve është te Bylis. Kemi ndeshjen e radhës, një ndeshje që do vlejë shumë për ne. Është një ndeshje të cilën ne na duhet ta fitojmë me patjetër në shtëpinë tonë. Të ngjitemi në renditje, të afrohemi avash-avash aty ku i takon Partizanit. Gjej rastin t'i ftoj të gjithë tifozët, t'i falënderoj për mbështetjen që kanë dhënë gjatë gjithë kësaj kohe. Ne do japim maksimumin dhe gjithë vëmendja është vetëm për ndeshjen me Bylisin.

Kalendari i ngjeshur?

Nga ana fizike duke qenë se ne kemi patur shumë dëmtime normale mund të kemi lodhje të ndonjë lojtari. Nga ana tjetër duke parë që ndeshjet janë shumë afër do mundohemi t'i marrim maksimumin e mundshëm dhe analiza të kaloj në një stad tjetër. Sigurisht që do ishte mirë të kishim ndonjë afrim nga dëmtimet, por pak e vështirë.

Çfarë do t’ju kënaqte ndaj Bylis?

Vetëm fitorja na kënaq, asnjë rezultat tjetër", tha trajneri i Partizanit para ndeshjes kundër Bylisit.

Veç këtij dueli, sot luhen edhe Teuta - AF Elbasani dhe Dinamo - KF Tirana.

Superliga, raundi 14-të:

E mërkurë, 03 dhjetor 2025

16:30 Partizani - Bylis

16:30 Teuta - AF Elbasani

19:30 Dinamo - KF Tirana

E enjte, 04 dhjetor 2025

16:30 Egnatia - Flamurtari

16:30 Vora - Vllaznia

Renditja: