Të mërkurën do të luhet java e katër e Superligës me të pesta ndeshjet ku mbi të tjera spikat Vllaznia-Teuta. Shkodranët që renditen të parët me pikë të plota vijnë pas një fitoreje euforike kundër Tiranës, por në prag të takimit më durrsakët, që këtë sezon synojnë titullin kampion, përpiqen të tregohen me këmbë në tokë.
Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë: “Ne jemi në fillim të sezonit dhe askush nuk e priste që të kishim tre fitore njëra pas tjetrës. Kështu që do vazhdojmë të punojmë fort sepse jemi në fillim të këtij sezoni.”
Ndërkohë Tirana e Nevil Dedes, trajnerit që debutoi me humbje te bardheblutë, do të presë në Selman Stërmasi, stadium që luan për herë të parë këtë sezon pas rikuperimit të fushës, ekipin e Bylisit. Në prag të takimit trajneri Dede dhe mesfushori Idriz Batha shprehen:
Nevil Dede, trajneri i Tiranës: “Është e vërtetë që rezultatet nuk janë të mira sidomos për objektivat dhe historinë e klubit tonë. Mendoj se grupi është i qetë dhe në këtë moment duhet të marrim përgjegjësitë, që të rikthehemi sa më shpejt te rezultatet pozitive dhe më pas çdo gjë të marri rrugën që I takon.”
Idriz Batha, futbollist i Tiranës: “Bylis është një skuadër që ka treguar se është kockë e fortë për të gjithë ekipet. Është skuadër e fortë por ne do ti marrim masat dhe shpresoj të bëhet një lojë e bukur.”
Sakaq Partizani i Ilir Dajës në javën e katërt do të përballet me debutuesit e Apolonisë në transfertë, një skuadër të cilën e mposhti në Kupën e Shqipërisë. Sipas Dajës këtë herë do të jetë një tjetër ndeshje.
Ilir Daja, trajner i Partizanit: “Apolonia ka një ekip me djem të ri që duan të promovohen dhe janë të motivuar në çdo ndeshje dhe në të njëjtën shkallë motivimi duhet të jemi edhe sepse në fund çdo ndeshje është e barabartë me tre pikë.”
Në Elbasan Arena Kukësi që po has shumë vështirësi në fillim të këtij sezoni do të presë Laçin.
Safet Gjici, president i Kukësit: “Unë mendoj që ekipi që ekipi do vi çdo javë e më shumë duke u lidh me njëri-tjetrin dhe besoj se do kemi rezultate të frikshme deri në fund të sezonit, por nuk kuptoj disa që nuk marrin vesht nga sporti dhe flasin në jajër, këtu edhe disa analistë. E dimë shumë mirë që rezultatet nuk mund ti prisnim që në fillim. Kemi një ekip të ndërtuae për të dalë kampion, por të ndërtuar rishtazi, me shumë lojtarë cilësor. Janë lojtar të ri te Kukësi, por lojtarë me eksperiencë me përvojë.”
Ndeshja tjetër e kësaj jave do të jetë mes Skënderbeut dhe Kastriotit në Korçë.